1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbi: Kapiteni Vučić dhe litari i anijes

Kryeministri serb, Vučić lë shumë kohë me krijimin e qeverisë, megjithëse që para zgjedhjeve parlamentare ai e kishte të sigurtë mazhorancën. Lojë pushteti apo injorancë? Analiza nga Dragoslavv Dedovic.

Ndodhi gjë apo jo? Në fund të prillit Serbia zgjodhi një parlament të ri, për herë të tretë në katër vite. Jo për shkak të konflikteve të pazgjidhura apo krizave politike. Gjithçka u organizua me qëllim që një njeri - kryeministri i vjetër dhe i ri, Alexandar Vučić - të sigurojë, zgjerojë dhe zgjasë pushtetin e tij dhe të qeverisë së tij. Tre muaj pas fitores nuk ka akoma qeveri në Serbi.

Parahistoria e shpalosjes së pushtetit

Ka katër vjet që Alexandar Vučić është njeriu më i fortë në shtetin serb. Pas një fitoreje të ngushtë në zgjedhjet e vitit 2012, ai donte të ringjitej në pushtet. Për këtë ai ia la postin e kryeministrit, parnerit të vogël të koalicionit, socialistit dhe kreut të kësaj partie, Ivica Dačić. Asokohe atij i mungonin shenjat e dukshme të pushtetit. Në rastin më të parë Alexandar Vučić e ndryshoi këtë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2014 i sollën sukses dhe një shumicë absolute. Që nga ky moment ai është kreu i qeverisë serbe.

Prandaj shume vetë pyesnin, se pse Alexandar Vučić në kulmin e pushtetit të tij, përsëriti të njëjtën lojë dhe nxiti zgjedhje të reja duke testuar vullnetin e popullit. Sërish të njëjtat rezultate për kryeministrin, vetëm se kësaj here opozita ishte më e përçarë. Pse kërkon pra Alexandar Vučić gjithnjë e më shumë nga e njëjta gjë? Përgjigja është banale: Ai e zgjati në kohën e duhur qeverisjen e tij - për sa kohë që sondazhet e mbështesnin. Votuesit i dhanë atij me këtë metodë edhe dy vite pushtet.

Punë me themel apo delir?

Alexandar Vučić aktualisht punon për programin e qeverisë. 200 faqe të shkruara me dorë. Politologu Djorđe Pavićević në Universitetin e Beogradit e quan këtë joserioze: "Një program i tillë qeveritar tregon vetëm se Vučić ka përmasa gjigandomane në çdo kuptim."

Sipas ligjit, qeveria duhet të jetë formuar 90 ditë pas zgjedhjes së parlamentit. Por për shkak se deputetët serbë u mblodhën në qershor në parlamant, ora është shtyrë në ditët e para të shtatorit. Arsyet që Vučić paraqet për këto shtyrje janë qesharake: njëherë ai ka qenë vizitë tek presidenti kinez, pastaj Brexit, në fund një vizitë tek Fondi Monetar Ndërkombëtar në gusht. Opozita e dobët sheh arsyet në kuadrin e teorive të komplotit. Ai pret sinjale nga Moska, Uashingtoni, Brukseli apo të gjithë bashkë. Diku jashtë përcaktohet qeveria e re.

Në Beograd dëgjohet se partnerët për koalicion presin në radhë, madje edhe kundërshtarë të vendosur si ish-presidenti Tadiç, apo partia liberaldemokrate. Për Vučić ata mund të presin në stol, kjo në rast se partneri socialist bëhet i padurueshëm. Presim dhe pimë çaj: Kështu Vučić e ka ulur shumë çmimin politik mes partnerëve potencialë. Vladan Marjanovic nga gazeta javore "NIN" thotë se në marrëdhënie kaq të qarta të pushtetit, nuk ka pse të ketë një zgjatje të tillë. "Ndoshta kreu i emëruar e mban të gjithë opinionin publik varur, me qëllim që në fund të gjithë presin fjalën e fundit të tij."

Vučić e përdor me dëshirë fjalën "stabilitet". Në politikën e jashtme kjo vlen, në drejtim të Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë e Malit të Zi ai e mënjanon gjuhën e ashpër. Pas Brexit ai tha se "Për stabilitetin e Serbisë është e rëndësishme që anija e vogël serbe të jetë e lidhur fort përmes litarit me anijen e madhe gjermane."

Ndikim tek media

Kjo dëgjohet me dëshirë në Berlin e Bruksel. Prandaj nuk shihen problemet që janë krijuar me shtimin e pushtetit të Vučićit pa një kontroll të vërtetë të pushtetit. Vučić i ndikon dhe i kontrollon mediat në mënyrë "të butë", gati me një mënyrë postmoderne. Mediat private janë në dorë të miqve të afërt me partinë. Atyre publike u vendoset një drejtues besnik i partisë. Sistemi i kontrollimit të butë funksionon më mirë se cenzura. Vučić mund të vazhdojë të shkruajë programin në 200 faqe bukurshkrim. Deri në shtator ai ka kohë.