1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbi Grujiçiq zgjidhet kryetar bashkie në Srebrenicë

Qyteti ku është bërë masakra më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, Srebrenica, zgjedh për kryetar bashkie një serb.

 Mladen Grujicic

Mladen Grujiçiq

Serbi Mladen Grujiçiq është zgjedhur kryetar i ri i bashkisë së Srebrenicës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Sarajevë kumtoi se kandidati i koalicionit të partive serbe "Zajedno za Srebrenicu" ("Së bashku për Srebrenicën"), ka fituar më shumë vota se kandidati i partive boshnjake Qamil Durakoviq.

Grujiçiq ka fituar në zgjedhjet e fundit lokale 4.678 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, bosnjaku Durakoviq fitoi 3.910 vota.    

KQZ i Bosnjë-Hercegovinës i bëri publike këto të dhëna mbi bazën e votimit me 2 tetor, kur u mbajtën zgjedhjet lokale në Bosnjë-Hercegovinë.

Rezultatet janë zyrtare, por një anëtar i Komisionit, boshnjaku Suad Arnautoviq, tha se kishte abstenuar në votim, sepse nuk është i kënaqur me (mos)numërimin e votave që janë dërguar me postë për bashkinë e Srebrenicës.

KQZ ka refuzuar të numërojë rreth 2000 vota që kanë ardhur me postë, me shpjegimin se ato janë dërguar pas kalimit të afatit kohor. Zgjedhjet me 2 tetor kanë qenë të shtatat me radhë, prej miratimit të Marrëveshjes së Dejtonit, në vitin 1995.

Srebrenica konsiderohet si simboli i masakrave më të mëdha në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë luftës së fundit, brenda dy-tre ditësh, në këtë qytet u vranë nga forcat serbe rreth 8000 myslimanë.