1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nish:Arrestohet drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë

29 Shtator 2016

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmoi arrestimin e Nehat Thaçit nga Ferizaji. Ai është arrestuar mbi bazat e “fletarrestit të lëshuar me urdhër të Gjykatës së Lartë në Nish për veprën penale terrorizëm”.

https://p.dw.com/p/2QjhI
Bildergalerie Mitrovica
Fotografi: DW/R. Alija

"Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në Nish, për përcaktimin e paraburgimit nga viti 2010, Nehat Thaçi është ndaluar dhe mbahet në njësinë e paraburgimit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Në njoftim e kësaj Ministrie bëhet e ditur se "Thaçi është arrestuar mbrëmë (të mërkurën në mbrëmje), rreth orës 2,0 në vendkalimin administrativ mes Kosovës dhe Serbisë, në Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë Qendrore”. Pritet që Nehat Thaçi të paraqitet gjatë ditës së enjte përpara gjykatës në Nish.

Arrestimin e ka konfirmuar edhe  zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se Nehat Thaçi është drejtor rajonal i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut. Hoxha tha, se Thaçi është arrestuar pak pas mesnatës së 28 shtatorit, në vendkalimin kufitar "Dheu i Bardhë” në magjistralen Gjilan-Bujanoc.

"Policia e Kosovës nuk ka deri tani asnjë sqarim nga autoritet serbe për arsyet e arrestimit të drejtorit rajonal të Policisë. Përmes autoriteteve kompetente të EULEX-it është kërkuar sqarim zyrtar për arsyet e arrestimit nga pala serbe”, bëri të ditur Hoxha.