1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët zgjodhën të keqen më të vogël

Zgjedhjet parlamentare e presidenciale në Serbi nuk sollën ndonjë ndryshim të madh të pushtetit në vend. Nisur nga kriza ekonomike, votuesit vendosën për atë që është e parashikueshme dhe për vazhdimin e kursit evropian.

Boris Tadiq

Boris Tadiq

Serbia po rënkon si kurrë më parë nga kriza ekonomike. Papunësia ndodhet në një nivel rekord historik. Shumica e kompanive nuk mund të paguajnë me kohë rrogat e punëtorëve. Korrupsioni lulëzon. Megjithatë, në zgjedhjet parlamentare votuesit shprehën sërish besimin e tyre për partitë e koalicionit të deritanishëm qeverisës. Për presidentin e deritanishëm, Boris Tadiq, janë të mira shanset që partia e tij pro-evropiane demokratike (Partia Demokratike - DS), të futet në koalicion me socialistët (SPS). Fituese e vërtetë e zgjedhjeve parlamentare është pasuesja e partisë së ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, sepse elektorati i saj është rritur çuditërisht në mënyrë të konsiderueshme, ndaj ajo mund të futet më e sigurt në bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar. Kryetari i saj, Ivica Daçiq, i cili deri tani kishte marrë një rol të rëndësishëm në qeveri si ministër i Brendshëm, mund të avancojë edhe më shumë se deri tani si rival politik i Tadiqit.

Partia Përparimtare nacional-konservatore (SNS), nën drejtimin e Tomislav Nikoliqit, e cila me një diferencë të ngushtë ka fituar zgjedhjet parlamentare, nuk pritet të marrë pushtetin: Sepse kësaj partie i mungon një partner i përshtatshëm për koalicion.

Serbët vendosin për atë çka është e parashikueshme

Në sfondin e gjendjes së vështirë ekonomike, zgjedhësit në Serbi vendosën për koalicionin e deritanishëm dhe në këtë mënyrë për të keqen më të vogël. Ata janë të zhgënjyer nga puna e koalicionit të mëparshëm qeverisës, me gjendjen e keqe ekonomike që lidhet me të. Këtë e tregon edhe humbja që pësoi partia e Tadiqit, me një të tretën e votave.

Verica Spasovska komenton

Verica Spasovska komenton

Një vazhdim i aleancës së vjetër qeverisëse do të thotë për rajonin vazhdimësi dhe parashikueshmëri. Kjo për faktin se kursi pro-evropian i përfocuar pikërisht nga statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE mund të ndiqet tani me prioritet të lartë. Po ashtu parashikohet se në këtë mënyrë mund të vazhdohet edhe dialogu, dhe me të normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, e cila nuk njihet nga Serbia si një shtet i pavarur.

Por Bashkimi Evropian gjithashtu do të kërkojë që të shpërbëhen strukturat paralele në Veri të Kosovës dhe në përgjithësi reduktimin e ndikimit të Serbisë në Veri të Kosovës. Përtej politikës së jashtme detyra kryesore e qeverisë së re do të jetë zbatimi i reformave të brendshme në mënyrë që të çohet përpara procesi i anëtarsimit në BE: sistemi gjyqësor duhet të reformohet, kompanitë shtetërore duhet të privatizohen dhe duhet të luftohet dukshëm më shumë se deri tani korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Në të njëjtën kohë me zgjedhjet parlamentare, votuesit kanë dhënë votën e tyre edhe për presidentin e ardhshëm, i cili në fakt ka një funksion përfaqësues në Serbi. Por, Boris Tadiqi gjatë mandatit të tij ia ka rritur në mënyrë të konsiderueshme rëndësinë e postit të presidentit. Tadiqi në dallim nga kryeministri i zbehtë, Mirko Cvetkoviq ishte i pranishëm kudo. Por kjo kishte të bënte dhe me faktin se Tadiqi nuk ishte vetëm president i vendit, por edhe kryetar i partisë më të madhe në pushtet.

Edhe më tej në rrugë drejt BE-së

Prandaj pritet me padurim se si do të përfundojnë zgjedhjet e balotazhit pas dy javësh në garën kokë më kokë mes Tadiqit dhe Nikoliqit. Edhe pse Tadiqi në të vërtetë prin me një shumicë shumë të ngushtë kundër Nikoliqit dhe ka një shans të mirë që të marrë mbështetjen e socialistëve, prapëseprapë zgjedhja e tij nuk është e sigurt.

Por edhe nëse Nikoliqi do të fitonte balotazhin kundër Tadiqit, kjo nuk do të ishte zgjedhje që do të përcaktonte fatin e ardhshëm të Serbisë. Nga njëra anë partia e Nikoliqit nuk është shkëputur ende nga e kaluara e saj e errët. Pas ndarjes nga Partia Radikale e kriminelit të dyshuar për krime lufte Vojisllav Sheshel ajo asnjëherë nuk është ballafaquar me rolin e bandave paraushtarake të mbështetura prej saj gjatë kohës së luftës. Përkundrazi, ajo është ndarë thjesht për arsye taktike, për shkak se Nikoliqi nuk ka asnjë shans për t'u bërë kryeministër në Beograd për aq kohë sa Sheshel ndodhet në bankën e të akuzuarve në Hagë.

Por edhe nëse Nikoliqi do të fitojë zgjedhjet presidenciale, rruga e Serbisë drejt BE-së nuk mund të ndalet më. Edhe Nikoliq është shprehur qartë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Votuesit në Serbi kanë dërguar një mesazh të qartë: rruga drejt Bashkimit Evropian duhet të vazhdojë të ndiqet. Edhe pse ajo nuk ka për të qenë e lehtë dhe do të zgjasë edhe një dekadë.

Autor: Verica Spasovska

Redaktoi: Esat Ahmeti