1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët të përçarë në prag të zgjedhjeve

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në shumë qarqe konsiderohen si historike për Kosovën. Për herë të parë prej shpalljes së pavarësisë, të dielën do të votojnë të gjithë banorët e Kosovës - pra edhe serbët e veriut.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave qendrore në zgjedhje lokale në Kosovë do të jetë shumë më e lartë se në zgjedhjet e kaluara. Kështu shprehen përfaqësuesit e partive politike në këto komuna me shpjegimin se pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhje do t'i kontribuojë edhe thirrja e autoriteteve të Serbisë për dalje në votime. Zoran Stojkoviq, udhëheqës i listës "Srpska" në komunën Partesh, mendon se pas këtyre zgjedhjeve do të zhbëhen të gjitha strukturat e deritanishme paralele serbe. Pjesëmarrje më e madhe pritet edhe në komunat e tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe, por jo edhe në katër komunat e veriut.

"Nuk e besoj se në veri do të kemi një pjesëmarrje tepër të lartë të serbëve në votime. Më së shumti 10-20 % e qytetarëve serbë do të dalin në vendvotime", pohon avokati serb, Ljubomir Pantoviq.

Megjithatë ai dhe shumë analistë të tjerë janë të mendimit se këto zgjedhje mund të konsiderohen si shumë të rëndësishme, (disa thonë edhe historike), për faktin se për herë të parë prej përfundimit të luftës së Kosovës në vitin 1999 zgjedhje lokale të organizuara nga autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare do të mbahen në gjithë territorin e Kosovës.

Bashkim apo ndarje e Kosovës

Për herë parë zgjedhje në gjithë territorin e Kosovës Rasim Demiri, Partia e bohsnjakëve dhe Emilija Rexhepi, Partia e Re Demokratike

Për herë parë zgjedhje në gjithë territorin e Kosovës Rasim Demiri, Partia e bohsnjakëve dhe Emilija Rexhepi, Partia e Re Demokratike

Kjo është mundësuar me marrëveshjet e arritura në Bruksel mes kryeministrave të Kosovës Hashim Thaçi dhe Serbisë Ivica Daçiq. Por si shpesh deri tani, interpretimet e palës serbe dhe asaj kosovare, për domethënien e këtyre zgjedhjeve janë të ndryshme. Analisti Behlul Beqaj është i mendimit se këto zgjedhje janë vetëm "hapi i parë drejt ndarjes përfundimtare të Kosovës".

Pushteti serb, sipas tij, ka luajtur me vite të tëra me serbët në veri. "Tani kemi një situatë paradokslale, sepse në Kosovë po kërkohet një zgjidhje për problemin etnik, ndërkohë që një nga standardet evropiane është ndërtimi i shoqërisë multietnike dhe multikulturore. Në shtigje afatgjata ne po investojmë në destabilizimin e veriut", pohon Beqaj me shpjegimin, se pas zgjedhjeve në veri do të bashkohen katër komunat me shumicë serbe dhe do të krijohet një entitet i fortë, i cili pas një periudhe jo tepër të gjatë", do të kërkojë bashkimin me Serbinë, në vend që të bashkohen në institucionet e Kosovës."

Ndërsa Pantoviq mendon ndryshe. Ai thotë se në "në veri do të ketë probleme dhe vështirësi të mëdha", por "një ditë institucionet e Kosovës do ta shtrijnë pushtetin edhe në këtë pjesë të vendit". Analistët dhe qytetarët e veriut të Kosovës bëjnë thirrje për kujdes, sepse nuk mund të përjashtohet as mundësia e incidenteve gjatë këtyre zgjedhjeve. Sipas tyre kundërshtarët e pjesëmarrjes në zgjedhje mund të përdorin edhe dhunë ndaj atyre, që duan të votojnë.

Përçarjet në Beograd

Kryeministri i Serbisë Daçiq dhe zëvendëskryeministri Vuçiq janë shpesh të pakënaqur me përgatitjet e zgjedhjeve

Kryeministri i Serbisë Daçiq dhe zëvendëskryeministri Vuçiq janë shpesh të pakënaqur me përgatitjet e zgjedhjeve

Mendimet sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje dhe ardhmërisë së katër komunave me shumicë serbe në veri, janë të ndara edhe në Beograd. Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq janë shpesh të pakënaqur me përgatitjet e zgjedhjeve, po ata u kanë bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Jo për faktin se duhet të integrohen në institucionet e Kosovës dhe se në këtë mënyrë duan ta njohin pavarësinë e Kosovës (Daçiq dhe Vuçiq, ende pohojnë se kurrë nuk do ta njohin shtetin e Kosovës), por për faktin se serbët në këtë mënyrë mund të mbrojnë më mirë interesat e tyre. Burimet në Beograd thonë se ata do të kërkojnë pas zgjedhjeve që bashkësisë së katër komunave serbe t'u bashkohen edhe komunat tjera me shumicë serbe nga pjesët qendrore të vendit. Territorialisht kjo nuk do të jetë e mundur, por nga komunat e tjera me shumicë serbe kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë me autoritetet që do të krijohen në veri.

Në anën tjetër përfaqësuesit e Partisë Demokratike Serbe të ish kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, të cilët në veri ende kanë një influencë të madhe, mendojnë se "me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje ata do ta njohin përfundimisht pavarësinë e Kosovës." Nënkryetari i DSS, Sllobodan Samarxhiq, ka bërë thirrje që të gjithë serbët t'i bojkotojnë zgjedhjet, sepse "me pjesëmarrjen në zgjedhje ata do të konfirmonin tradhëtinë e qeverisë në Beograd". Sipas tij serbët në veri "brenda disa muajve do t'i humbin të gjitha, që kanë pasur deri tani: të ardhurat nga Beogradi, pasurinë, sigurinë elementare dhe jetën normale."

E përçarë edhe Kisha

Patriarku serb Irinej ka bërë thirrje që serbët të dalin në vendvotime.

Patriarku serb Irinej ka bërë thirrje që serbët të dalin në vendvotime.

E përçarë në mendime lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje është edhe vetë Kisha Ortodokse Serbe. Patriarku serb Irinej ka bërë thirrje që serbët të dalin në vendvotime. "Mendoj se kjo është në interesin e serbëve. Serbët duhet të dalin në zgjedhjet e ditës së dielë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre më të aftë", theksoi Patriarku, i cili bëri të ditur se shumë shpejt lidhur me qëndrimet ndaj zgjedhjeve do të bisedojë edhe me mitropolitin e Malit të Zi, Amfilohije, i cili është deklaruar kundër daljes së serbëve në vendvotime. Sipas Amfilohije, "çdo votim do të thoshte pranim i dhunës dhe ndarjes së dhunshme të Kosovës nga Serbia". Patriarku serb Irinej u shpreh se Amfilohije "jo vetëm që do të jetë mitropolit, por edhe zot i Malit të Zi, ndaj edhe këto dallime". "Për fat të keq të gjitha janë të ndara, pra edhe mendimet. Më e mira do të ishte që serbët e Kosovës të vlerësojnë vetë, se cilat janë interesat e tyre. Por unë mendoj se duhet të dalin në zgjedhje", pohon kreu i Kishës Ortodokse Serbe.