1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët të ndarë në vlerësimin e rezolutës së re

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme ndaj rezolutës së re për Kosovën. Disa ndihen të tradhëtuar, të tjerët mendojnë se ajo hap dyert për çtensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Serbë të Kosovës djegin flamurin e BE-së, 2008

Serbë të Kosovës djegin flamurin e BE-së, 2008

Këshilli kombëtar i serbëve të veriut të Kosovës, është një organ serb në përbërjen e të cilit ndodhen disa pëfaqësues politik të serbëve të veriut. Në një takim të mbajtur gjatë fundjavës në Leposaviq, ky këshill vlerësoi se miratimi nga Kombet e Bashkuara i rezolutës së unifikuar të Bashkimit Evropian dhe Serbisë është një disfatë për Serbinë në raport me Kosovën duke adresuar kritika të ashpra për klasën politike në pushtet në Beograd.

Kryetari i bordit ekzekutiv të këshillit kombëtar serb për veriun, Momir Kasalloviq, u shpreh se pushteti në Beograd tradhtoi serbët e Kosovës dhe aleatët e Serbisë, kur pranoi që të unifikojë një rezolutë për Kosovën me bashkimin evropian vendet e të cilit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kasalloviq: ”pushteti në Beograd tradhtoi serbët e Kosovës”


“Rezoluta për Kosovën që u miratua në Kombet e Bashkuara, përbën tradhti klasike për serbët e Kosovës nga qeveria aktuale serbe. Një humbje të tillë një shtet sovran nuk duhet ta pranojë dhe atë nuk e ka pritur askush nga serbët e Kosovës”, thotë Momir Kasalloviq.

Mirëpo, ndryshe mendojnë përfaqësues të serbëve nga Kosova qëndrore të cilët kanë pranuar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Rangjel Nojkiq, kryetar i partisë serbe “Lëvizja për Ringjalljen serbe”, thotë për DW, se rezoluta për Kosovën e miratuar në Kombet e Bashkuara është një zgjidhje e mirë për çtensionimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, Beogradi veproi me mençuri.

Nojkiq: “Rezoluta hap dyert pët shtensionimn e marrëdhënieve Kosove-Serbi”

“Në qoftë se këtu kërkojmë fitues apo humbës, unë mendoj se Beogradi nuk mund të përfshihet në grupin që klasifikohet si humbës. Rezoluta i ka hapur dyert për zgjidhjen e shumë çështjeve të cilat janë pengesë në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thotë Rangjell Nojkiq.

Sipas tij, tash Prishtina ka një përgjegjësi të madhe për të shqyrtuar aktet legjislative që kanë të bëjnë me pakicat dhe t'i respekotjë ato, ndërsa në anën tjetër Beogradi e ka për obligim që të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj serbëve të Kosovës.

Edhe një përfaqësuese tjetër e serbëve të Kosovës qëndrore, Rada Trajkoviq, u tha mediave lokale se rezoluta për Kosovën, e cila ishte kompromis i Serbisë me vendet e Bashkimit Evropian, është me rëndësi së veçantë para së gjithash për Serbinë. Ajo thotë se organet shtetërore të Serbisë kanë hyrë në marrëdhënie partneriteti me Bashkimin Evropian dhe kjo për Serbinë është mjaft e rëndësishme.

Përfaqësi ruse në Mitrovicë?

Mirëpo, këshilli kombëtar i serbëve të veriut të Kosovës i zhgënjyer me miratimin e rezolutës për Kosovën në Kombet e Bashkuara, ka vendosur që t'i drejtohet me një kërkesë Federatës Ruse, që të hapë një përfaqësi diplomatike në veri të Mitrovicës. Kështu thotë Momir Kasalloviq i cili udhëheqë këtë këshill. “Ne do të shkojmë te ambasadori i Federatës Ruse në Beograd nga i cili do të kërkojmë që Rusia të hapë në veri të Mitrovicës një konsullatë. Kjo konsullatë mund të jetë një degë e ambasadës ruse në Beograd. Ne jemi të bindur se Federata Ruse do të mbronte më me dinjitet të drejtat e komunitetit serb në Kosovë”, thotë Momir Kasalloviq.

Sidoqoftë, veriu i Kosovës posaçërisht veriu i Mitrovicës vazhdon të jetë një zonë me një prani të madhe të strukturave paralele serbe dhe ku ndarjet etnike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve janë të thella që kohë pas kohë prodhojnë tensione. E tillë ishte e shtuna në mbrëmje, ku pas humbjes së kombëtarës së Serbisë nga Turqia në kampionatin botëror të basketbollit, grupe shqiptarësh dhe serbësh u përleshën duke hedhur gurë në drejtim të njëri tjetrit. Për pasojë disa polic të misionit EULEX u lënduan në përpjekje për të vënë nën kontroll situatën.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 13.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PAqw
  • Data 13.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PAqw