1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët sërish bllokojnë rrugët në veri

Serbët e veriut janë të pakënaqur me marrëveshjen për përdorimin e vulave kosovare në dogana me Serbinë dhe kanë bllokuar disa rrugë. Të pakënaqur janë edhe disa analistë dhe parti politike shqiptare në Kosovë.

Rruga Prishtinë-Rashkë.

Sërish bllokada.

Serbët kanë bllokuar sërish disa rrugë në veri të Kosovës. Kryetari i Qarkut paralel serb për Mitrovicë, Radenko Nedeljkoviq tha se ata kanë  bllokuar në Rudare magjistralen Mitrovicë - Rashkë. Më parë ai dhe kryetarët e katër komunave parlalele serbe në veri kanë kundërshtuar marrëveshjen mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit për përdorimin në kufi të vulave me titull "Dogana e Kosovës".

Nedeljkoviq tha se "serbët janë të vendosur" që të realizojnë qëllimet e tyre, duke shtuar se ata do të bllokojnë edhe rrugë të tjera në drejtim të pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Ata në këtë mënyrë duan të kundërshtojnë masat e KFOR-it për bllokimin e futjes së mallrave nga Serbia në Kosovë. Forcat ndërkombëtare kanë bllokuar edhe "rrugët alternative", që përdoren për futjen ilegale të mallrave serbe në Kosovë.

Sebët kërkojnë shkarkimin e Stefanoviqit

Serbët e veriut kanë kundërshtuar marrjen e kontrolleve në kufi prej policëve dhe doganierëve shqiptarë. Ata kanë kërkuar edhe shkarkimin e Borisllav Stefanoviqit, për shkak të "dëmeve që u ka bërë serbëve në Kosovë".

"Me nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel Stefanoviqi ka rrezikuar interesat tona vitale dhe na ka ndarë nga shteti ynë Serbia", deklaroi Millan Ivanoviq. Ai dhe përfaqësuesit tjerë të serbëve të veriut kanë kërkuar që për marrëveshjen e fundit për dogana të mbahet edhe një seancë e posaçme e parlamentit të Serbisë.

Borisllav Stefanoviq.

Borisllav Stefanoviq "duhet të largohet".

Vet Stefanoviqi tha se marrëveshja e fundit nuk prejudikon statusin e Kosovës, sepse vulat nuk kanë kurfarë simboli të shtetit. Ndërsa presidenti Boris Tadiq edhe një herë kundërshtoi heqjen e institucioneve paralele serbe në Kosovë.

"Kancelares gjermane Angela Merkel i kam thënë se ato nuk janë institucione paralele, por të vetmet institucione të zgjedhura me mjete demokratike, të cilat u mundësojnë jetën normale njerëze në veri të Kosovës", theksoi Tadiq.

Të pakënaqur edhe në Kosovë

Analistët në Prishtinë pohojnë se edhe pas marrëveshjes për vulat, eksporti i mallrave kosovare  në Serbi do të jetë shumë i vështirë. Kjo për faktin se dokumentat përcjellëse të këtyre mallrave mbajnë mbishkrime me simbolet e shtetit të Kosovës.

Ministrja kosovare për Tregti dhe Industri Mimoza Kusari Lila ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë me masa reciprociteti ndaj Serbisë, në qoftë se ajo edhe më tej nuk lejon futjen në territorin serb të mallrave kosovare. Me skepticizëm e sheh marrëveshjen e arritur në Bruksel edhe Safet Gërxhaliu, kryetar i Dhomës Ekonomike të Kosovës, me shpjegimin se Serbia do të bëjë probleme për shkak të dokumentacionit të mallrave kosovare.

E pakënaqur me marrëveshjen është edhe lëvizja Vetvendosja. Rreth 30 persona, të cilët janë prezantuar si aktivistë të kësaj lëvizje, kanë sulmuar në aeroportin e Prishtinës me domate dhe gjëra të tjera, kolonën e zëvendëskryeministres Edita Tahiri. Ata kundërshtojnë marrëveshjen dhe kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë. Policia ka arrestuar shumicën prej tyre, ndërsa qeveria e Kosovës ka dënuar këtë sulm.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi