1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët protestojnë në vendkalimin kufitar në Jarinje

Serbët protestojnë kundër zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi.

Disa qindra serbë të veriut të Kosovës që në orët e para të mëngjesit të ditës së martë janë tubuar afër vendkalimit kufitar në Jarinje, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të protestuar kundër zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi, e njohur si IBM. Serbët po mbajnë të bllokuar këtë pikë kufitare. Protesta e serbëve të veriut ndodhi në ditën, kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, takohen në Bruksel për të tretën herë për të jetësuar zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi.

Protesta zhvillohet në zonën e gjelbër

Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, konfirmon se protesta e serbëve po zhvillohet jashtë kufirit të Kosovës, në zonën e gjelbër.

“E tëra, që po ndodh, është në hapësirën e ndërmjetme, e njohur si zona e gjelbër, por më shumë në territorin e Serbisë. Në hapësirën tokësore të Kosovës nuk ka asgjë”, thotë zëdhënësi Besim Hoti.

Edhe zyrtarë të forcave paqeruajtëse konfirmojnë se protesta e serbëve po zhvillohet në zonën e gjelbër ndërmjet kufirit Kosovë-Serbi.

Mediat lokale serbe citojnë kryetarin e kuvendit paralel të komunës së Leposaviqit, Slavko Stevanoviq, të ketë thënë se serbët e veriut do ta kundërshtojnë në çdo formë zbatimin e marrëveshjes së IBM-së, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Deputetët e katër komunave të veriut të Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe veriut të Mitrovicës, janë tubuar për ta treguar pakënaqësinë e tyre dhe se nuk e pranojnë doganën dhe kufirin ndërmjet veriut të Kosovës dhe Serbisë”, citohet të ketë thënë Sllavko Stevanoviq.

Autoritetet në Kosovë dënojnë protestën

Reagimin e një mase të serbëve të veriut në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinje e ka dënuar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo thotë se kjo dhunë çon drejt përshkallëzimit të situatës dhe dëmton përpjekjet e institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për të vendosur rendin dhe ligjin dhe për të garantuar një jetë normale për qytetarët, që jetojnë në veri të Kosovës.

“Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, garanton stabilitet për të dyja shtetet, fuqizon sundimin e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare, si dhe ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Kjo marrëveshje siguron qarkullimin e lirë të mallrave në përputhje me normat ndërkombëtare”, thotë presidentja Atifete Jahjaga.

Sidoqoftë zyrtarë të forcave paqeruajtëse thonë se tash për tash pika kufitare Kosovë-Serbi në Jarinje vazhdon të mbahet e bllokuar nga serbët lokale, ndërsa në pjesën e Kosovës, deri ku është përgjegjësia e kontrollit nga trupat e KFOR-it, nuk janë shënuar incidente.