1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët ngrijnë të gjitha funksionet në institucionet e Kosovës

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në qeveri dhe parlament vendosën të ngrijnë të gjitha funksionet, pas miratimit të ligjit për Trepçën në kuvendin e Kosovës.

Miratimi i ligjit për Trepçën nga ana e kuvendit të Kosovës, ka bërë që përfaqësuesit serb në qeveri dhe parlament të ngrijnë të gjitha funksionet e tyre. Këtë e bëri të ditur vet lista "Serpska”, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar me dy partitë më të mëdha në Kosovë, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Ligji për Trepçën, me të cilin qeveria e merr nën kontroll kompleksin metalurgjik, u miratua të premten (07.10) me 82 vota pro, pavarësisht kundërshtimit të deputetëve serb dhe protestave të serbëve në veriun e Kosovës.

"duke mos dashur ta bëjmë situatën edhe më të keqe se sa është, për momentin ne vetëm formalizojmë vendimin e të tjerëve në Prishtinë që e kanë marrë për ne. Ngrijmë pjesëmarrjen tonë në punën e Qeverisë së Kosovës, komisionet ndërministrore dhe organet e tjera qeveritare, në të cilat prania jonë vetëm do të jetë formale dhe jo thelbësore, pa marrë parasysh pikëpamjet dhe mundësitë për të ndikuar vendimet”, thuhet në deklaratën për media të listës Serpska.

Ky subjekt politik që e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet për të adresuar siç thonë ata, situatën e re, sepse sipas tyre qytetarët serb të Kosovës "ende po trajtohen si qytetarë të rendit të dytë”.

Edhe deputetët serb në kuvendin e Kosovës pas ngrirjes së funksioneve, në reagimin e tyre thonë se ata "janë përballur me një nga situatat më të vështira dhe të rrezikshme në një dekadë e gjysmë dhe me vendimet që këto ditë janë sjellë”, sipas tyre" do të varet jo vetëm fati i përfaqësuesve politikë të Listës Serbe, por edhe fati i popullit serb në këtë fushë”.

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ai nuk e mirëpret bojkotimin nga Lista Serbe të punës në Kuvend dhe Qeveri, por ka thënë se veprimi i tyre nuk e rrezikon funksionimin e koalicionit qeverisës.

"Nuk e rrezikon aspak koalicionin. Bojkoti nuk është zgjidhje. Nuk ka kompromis për çështje nacionale. Kjo nuk është as në të mirë të minoritetit serb”, tha kryetari i kuvendit Kadri Veseli, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i PDK-së.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili tha se lista Serbe nuk mund ta shantazhojë dhe as kërcënojë qeverinë.

"Lista Serbe nuk mund të na shantazhojë. Kjo nuk do të mund ta rrezikojë koalicionin. Ne kemi vota të mjaftueshme për funksionalizimin e koalicionit. Me shantazhim nuk do të mund të na imponojnë rrugëzgjidhjen”, tha Ismet Beqiri.

Përfaqësimi i serbëve të Kosovës në institucione është i garantuar me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për çështjet që nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, pa votimin edhe të serbëve të Kosovës, asnjë çështje nuk mund të kalojë, sepse, akoma vlen rregulli i votimit të dyfishtë ku duhet edhe votat e deputetëve serb. Në rastin e ligjit për Trepçën nuk u deshën dy të tretat e votave të parlamentit.

Qeveria e Serbisë për  më 11.10 ka paralajmëruar mbledhje për të diskutuar siç thuhet "rreth veprimeve shtetërore të Serbisë, pas miratimit në kuvendin e Kosovës të ligjit për Trepçën”. Qeveria e Serbisë pretendon pronësinë mbi gjigantin metalurgjik Trepça, ndërsa, autoritetet në Prishtinë thonë se pronat e Kosovës i takojnë asaj dhe qytetarëve të saj, ndërsa Beogradi nuk ka çfarë të kërkojë në Trepçë. Kompleksi metalurgjik Trepça ndodhet në qytetin e Mitrovicës i ndarë në dy pjesë në atë veriore e banuar me shumicë serbe dhe atë jugore e banuar me shumicë shqiptare. Minierat e Trepçës ndodhen në pjesën jugore ndërsa, shkritoret në pjesën veriore.