1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët në Kosovë të përçarë për mbështetjen ose jo të qeverisë Thaçi

Kryeministri në detyrë i Kosovës Hashim Thaçi pohon se qeveria e re do të jetë gati deri të hënën. Por jo të gjithë deputetët serbë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me kryeministrin Thaçi.

Deputetja serbe Rada Trajkoviç kundër futjes në koalicion me partinë e Hashim Thaçit.

Deputetja serbe Rada Trajkoviç kundër futjes në koalicion me partinë e Hashim Thaçit.

Shumica dërmuese e deputetëve serbë janë të gatshëm të futen në koalicionin qeveritar me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re. Por ata megjithatë nuk janë unikë. Nga 13 deputetët serbë sa do të jenë në përbërjen e re të parlamentit, Partia e Pavarur Liberale me tetë deputetë është e sigurt ,se do të futet në qeveri. Ndërkohë që katër deputetët e "Listës së bashkuar serbe", janë të përçarë. Dy prej tyre duan të bashkëqeverisin me Thaçin e dy jo. E para e kësaj liste, Rada Trajkoviq pohon, se 60 persona të cilët janë në këtë listë apo e kanë themeluar atë, janë kundër futjes në koalicion me partinë e kryeministrit Thaçi.

"Dy deputetë tanë kanë vendosur të bashkëpunojnë me zotin Thaçi. Cilat janë motivet e tyre për këtë afërsi me zotin Thaçi unë nuk e di, por e di që ditët e fundit sërish po përpiqen të vendosin kontakte me ne. Mbase mendojnë se kështu do të mund të institucionalizojnë pozicionet e tyre. Por zoti Thaçi po krijon qeverinë me kuadrot e veta dhe gjithnjë e më pak ka hapsirë për partitë serbe", pohon ajo.

Rada Trajkoviq shprehet kundër futjes në këtë koalicion qeveritar me shpjegimin, se serbët në këtë mënyrë do të shfajësonin kryeministrin Thaçi nga akuzat e dëgjuara kohët e fundit për shitjen e supozuar të organeve në Kosovë.

"Kush tjetër, në qoftë se ne heqim dorë, do të insistojë në hetimet serioze dhe të përgjegjshme lidhur me akuzat që janë dëgjuar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës!?", pyet Trajkoviq.

Nga ana tjetër, një prej udhëheqësve të Partisë së Pavarur Liberale, Nenad Rashiq, thotë se serbët në kushtet që jetojnë tani, nuk mund të gjejnë asnjë shpjegim dhe nuk kanë kohë për të mbetur në opozitë.

Deputeti serb Nenad Rashiq.

Deputeti serb Nenad Rashiq kërkon pjesëmarrje në qeveri për të përmirësuar kushtet e serbëve në Kosovë.

"Prandaj, prej fillimit ne kemi thënë se do të jemi pjesë e kësaj qeverie, sepse duhet të kemi mekanizmat të cilët në mënyrë direkte do të ndihmojnë serbët për të mbetur në Kosovë", pohon Rashiq.

Analisti kosovar Gëzim Baxhaku është i mendimit se bashkësia etnike serbe me 13 deputetët e saj në parlament, sikur ata të ishin unikë, do të mund të ishte një faktor shumë i rëndësishëm në institucione.

"Duhet theksuar se serbëve në Kosovë u garantohen më shumë të drejta se sa u takojnë sipas numrit të tyre. Kushtetuta u garanton atyre 10 vende të rezervuara në parlament, prandaj pres që ata të kenë në qeveri tre ministra e ndoshta edhe një post zëvendëskryeministri si dhe poste të zëvendësministrave dhe këshilltarëve", pohon ai.

Deri tani ka shumë emra shqiptarë dhe serbë që lakohen për postet ministrore, por përbërja e kabinetit të ri qeveritar do të dihet pas këshillimeve në nivelin më të lartë mes partive politike, që do të futen në koalicion. Seanca konstitutive e parlamentit mbahet të hënën, kur do të fillojë edhe zgjedhja dhe emërimi zyrtar i përfaqësuesve të institucioneve.

Autor: Zylfije Jakupi / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 18.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10JX4
  • Data 18.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10JX4