1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët në Kosovë largojnë një barrikadë kryesore

Vendimi për largimin e kësaj barrikade u arrit të hënën pas një takimi, që zyrtarët e forcave paqeruajtëse zhvilluan me njërin nga udhëheqësit e serbëve në veri, Sllavisha Ristic, njoftojnë mediat lokale serbe.

default

Serbët e veriut të Kosovës larguan nga rruga njërën nga barrikadat kryesore, në Jagnjenicë, në rrugën kryesore Zveçan-Zubin Potok aty, ku një javë më parë gjatë një përleshjeje u plagosën 21 ushtarë gjermanë dhe austriakë të KFOR-it. Vendimi për largimin e kësaj barrikade u arrit të hënën pas një takimi, që zyrtarët e forcave paqeruajtëse zhvilluan me njërin nga udhëheqësit e serbëve në veri, Sllavisha Ristic, njoftojnë mediat lokale serbe. Forcat paqerujatëse konfirmojnë se ka një marrëveshje me serbët e veriut, që në Jagnjenicë të qëndrojë një pikë-kontrolli e përbashkët e KFOR-it dhe e policisë së Kosovës, nga stacioni policor i Zubin Potokut.

Sllavisha Ristic, pas takimit me përfaqësuesit e KFOR-it, tha për mediat lokale serbe: “Ramë dakord që KFOR-it të largohet nga rruga, që trafiku të funksionojë, e kur të lirohet rruga, ata do ta instalojnë një pikë kontrolli. Ky ishte kushti i tyre, ndërsa kushti ynë ishte që bashkë me ta kontrollin e trafikut ta kryejë policia lokale nga stacioni i Zubin Potokut. Ata e kanë pranuar këtë variant, ndaj do të hiqen makinat, që janë shkatërruar gjatë aksionit të KFOR-it të para një jave”, citojnë mediat lokale serbe zotin Ristiq.

Ai thotë se barrikadat e tjera do të vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë, ndërsa afër pikë-kontrollit të KFOR-it në Jagnjenice do të qëndrojnë edhe përfaqësues të serbëve për të vëzhguar që misioni EULEX-i dhe institucionet e Kosovës të mos ta perdorin këtë rrugë dhe këtë udhëkryq për nevojat e tyre.

Edhe ministri serb për Kosovës në qeverinë e Serbisë e ka përshendetur gatishmërinë e serbëve për të larguar barrikadat nga rrugët në veri.

Barrikada serbe në Kosovë

Barrikada serbe në Kosovë

"E mirëpres marrëveshjen e KFOR-it dhe përfaqësuesve politikë të serbëve për hapjen e rrugës Zubin Potok-Zveçan, sepse kjo paraqet një zhvillim pozitiv dhe shënon fillimin e procesit të heqjes së barrikadave”, ka thënë Bogdanovic, për agjëncinë e lajmeve Beta.

Që nga muaji korrik serbët e pjesës veriore të Kosovës kanë ngritur barrikada nëpër rrugët duke kundërshtuar kështu vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare me Serbinë në Brnjak dhe Jarinje.