1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët e veriut të Kosovës në referendum

Qeveria e Kosovës dhe prania ndërkombëtare, referendumin e serbëve të veriut të Kosovës e cilësojnë ilegal dhe pa efekte juridike

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Serbët e veriut të Kosovës të martën dhe të mërkurën u drejtohen kutive të votimit në kuadër të një referendumi të organizuar nga udhëheqësit politik të komunave paralele serbe. Me këtë referendum serbët e veriut deklarohen nëse i pranojnë apo jo, institucionet e Republikës së Kosovës. Lubomir Radoviq, anëtar i komisionit të referendumit, bënë të ditur se janë 35 mijë votues që do tu drejtohen 82 vendvotimeve në veri të Mitrovicës, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok. Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë së Kosovës, thonë se referendumi i serbëve të veriut të Kosovës është ilegal. Zëvëndëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, u tha mediave lokale, se qeveria e Kosovës nuk i kushton ndonjë vëmendje të veçantë referendumit të serbëve të veriut.

Referendumi i serbëve të veriut është ilegal

Në foto, Hajredin Kuçi

Në foto, Hajredin Kuçi

“Është një referendum ilegal që nuk ka asnjë efekt juridik apo politik. Unë mendoj se është tendencë e një grupi të serbëve në këtë pjesë që të fitojnë legjitimitet demokratik përballë serbëve të tjerë dhe po ashtu tentohet që ky të jetë një mjet tjetër politik për zhvillimet e ardhshme për veriun e Kosovës”, thotë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi.

Në të njejtën linjë është shprehur edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith. Ai u ka thënë mediave lokale serbe se komuniteti ndërkombëtar njëzëri e kundërshton referendumin e serbëve në komunat veriore të Kosovës.

Me këtë referendum përfitojnë vetëm politikanët ekstremistë

Në foto, Pieter Feith

Në foto, Pieter Feith

“Referendumi do të dëmtojë reputacionin e Serbisë dhe do ta dënojë veriun e Kosovës me stagnim dhe izolim, ku do të përfitojnë vetëm politikanët ekstremistë”, citohet të ketë thënë Pieter Feith.

Sipas tij, plani për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës gjendet vetëm në pakon e Marti Ahtisarit. Edhe një zëdhënës i UNMIK-ut, Olivier Salgado, ka deklaruar se referendumi në veri të Kosovë mbahet në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe për këtë arsye nuk do të ketë kurrfarë pasojash juridike.

Referendum i panevojshëm

Në foto, Oliver Ivanoviq

Në foto, Oliver Ivanoviq

Kundër mbajtjes së referendimit nga serbët e veriut të Kosovës është shprehur edhe qeveria në Beograd. Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në ministrinë serbë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, u tha të hënën mediave lokale serbe në veri se ky referendum është i panevojshëm, për shkak se institucionet e Kosovës, Serbia nuk do t`i pranojë kurrë. “Ky referendum dërgon një mesazh shumë negativ tek serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër. Ky referendum nuk do të sjellë asgjë të mirë, vetëm se do t'i ashpërsojë ndarjet midis serbëve të veriut dhe atyre që jetojnë në pjesë tjera të Kosovës”, thotë Oliver Ivanoviq.

Referendumi i serbëve është e drejtë demokratike

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Por kështu nuk mendojnë organizatorët e referendimit. Dobrosav Dobriç, një përfaqësues i serbëve nga komuna paralele e Leposaviqit, thotë se referendumi është shprehje e lirë dhe e drejtë demokratike e serbëve të kësaj pjese të Kosovës. Sipas tij, rezultatet e referendumit do ta dëshmojnë se a janë përfaqësuesit komunalë serb ata që nuk po lejojnë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, apo është vullneti i popullatës së veriut që ta refuzojë shtetin e Kosovës. “Populli qartë do ta thotë se a i përkrahin institucionet e të ashtuquajturës Republikë e Kosovës apo për institucionet e Serbisë, në kuadër të cilit kemi qenë deri më tash”, thotë Dobrosav Dobriç.

Policia s'ka plan të posaçëm gjatë kohës së mbajtjes së referendumit

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Sidoqoftë, policia e Kosovës, nuk ka hartuar ndonjë plan të posaçëm të sigurisë për kohën e mbjatjes së referendumit të serbëve në veri të Kosovës. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se: “për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike në veri të Kosovës policia do të veprojë njejtë sikurse ditëve të mëparshme”.

Referendumi, ku serbët e veriut të Kosovës pritet të deklarohen nëse i pranojnë apo jo, institucionet e Republikës së Kosovës, pason një status-quo disa vjeçare në veri të Kosovës. Institucionet e Kosovës, por edhe prania ndërkombëtare akoma nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e vet në këtë pjesë. Që nga paslufta, në veri të Kosovës funksionojnë institucionet paralele serbe të mbështetura nga Serbia.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti