1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët e veriut kundër Beogradit zyrtar

Bashkimi Evropian, SHBA dhe Beogradi zyrtar kanë kundërshtuar referendumin e serbëve në veri të Kosovës. Por liderët e serbëve në veri, të mbështetur nga opozita serbe në Beograd, nuk kanë hequr dorë nga ky referendum.

Në veri të Kosovës nuk ka më shumë se 35.500 serbë me të drejtë vote, por ata për vite të tëra po tërheqin vëmendjen e gjithë botës. Ata janë temë e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në NATO, në Bashkimin Evropian dhe në OSBE. Ata janë në gjendje që brenda një kohe të shkurtër të organizojnë edhe trazira, siç ndodhi në pjesën e dytë të vitit të kaluar. Tani duan që me 14 dhe 15 shkurt të organizojnë edhe një referendum për mospranimin e institucioneve të Kosovës. Referendumi organizohet pëkundër vullnetit të faktorëve më të rëndësishëm politik dhe ushtarak. Serbët e veriut tani sfidojnë jo vetëm bashkësinë ndërkombëtare dhe isntitucionet e Kosovës por edhe vet Beogradin zyrtar. Kjo mund të përfundojë edhe me një dështim të plotë të tyre.

Cili është qëllimi i tyre?

Qëllimi i tyre është eliminimi i çdo influence të institucioneve të Kosovës në veri të vendit. Që tani është e sigurt që gati 100 % e votuesve do të mbështesin këto qëllime. Në këtë mënyrë serbët e atjeshëm do të theksojnë edhe një herë se nuk e njohin pavarësinë e shpallur para gati katër vitesh. Për ta vetëm Beogradi është atdheu politik, ndërsa për qeverinë e Kosovës thonë se ajo përbëhet prej kriminelëve dhe terroristëve.

Beogradi ka paralajmëruar bashkëkombasit e vet në Kosovë që referendumi do të pengojë përpjekjet e tij për afrim me Bashkimin Evropian. Serbët e veriut thonë se Beogradi po bën presion ndaj tyre, por ata nuk do të heqin dorë nga qëllimet e veta. Ndërkohë që e kanë të qartë se i gjithë financimi i aktiviteteve të serbëve dhe institucioneve të tyre në veri vjen nga Beogradi. Ai çdo vit ndan për serbët e Kosovës rreth 500 milionë euro.

Referendumi serb është një shuplakë edhe për BE-në, i cili nuk ka arritur të shtrijë pushtetin e plotë në këtë pjesë të Kosovës. Beogradi ka paralajmëruar madje se zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale të Serbisë do të organizohen edhe në Kosovë.

Serbia para vështirësive

Kur merren parasyshë këto fakte, është shumë e qartë që Serbia do të ketë vështirësi të mëdha që të marr statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Është e vërtetë që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, janë arritur disa rezultate. Por shumë prej këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar. Për Uashingtonin dhe Brukselin më e rëndësishmja është që të shikojë nëse Beogradi do të pranojë heshturazi pavarësinë e Kosovës dhe do të pranojë të bashkëjetojë në paqe me vendin fqinj. Apo do të mbetet në qëndrimet e deritanishme maksimaliste. Serbët kërkojnë rikthimin e Kosovës nën pushtetin e Serbisë, siç shkruan edhe në Kushtetutën e Serbisë. Por kjo nuk ka të bëjë me realitein.

Gazeta Neue Zürcher Zeitung nga Zvicra shkruan se kohët e fundit këtë e ka kuptuar edhe presidenti Boris Tadiq. Të paktën sa i përket pjesës së Kosovës në jug të lumit Ibër. Tadiqi ka paraqitur një plan prej katër pikësh në të cilin  kërkohet mbrojtja e kishave dhe manastireve serbe, kthimi i pasurisë së serbëve, mbrojtja e serbëve dhe një status special për veriun e Kosovës. Por ky plan ka në fakt pesë pika, sepse ai e ka theksuar edhe një herë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Sidoqoftë, Tadiqi ka shprehur gatishëmëri që për këtë plan të bisedojë edhe me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Edhe kryeminstri kosovar është i gatshëm të takohet me Tadiqin, por vetëm për bisedime rreth njohjes së dy shteteve dhe për rregullimin e raporteve mes dy shteteve të pavarura.

Të dy politikanët kanë shprehur gatishmëri që "për shkak të interesave madhore" të takohen mes vete. Por deri tani nuk ka kurfarë afrimi të pozicioneve dhe nuk është përcaktuar ndonjë kohë e mundshme e takimit. Ndërkohë që Serbia gjendet në prag të zgjedhjeve, që për Tadiqin do të thotë se duhet t'u përshatet edhe kërkesave të elektoratit të tij.

Autorë: DPA/Bray/NZZ/Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti