1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët e përçarë rreth marrëveshjes për kufirin

Serbët nuk janë të një mendjeje rreth marrëveshjes për zgjidhjen e krizës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveri serbe e ka pranuar atë, ndërsa disa përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës e kundërshtojnë.

Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës e kundërshtojnë kompromisin

Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës e kundërshtojnë kompromisin

Qeveria e Serbisë ka kërkuar prej serbëve që të heqin barrikadat nga rrugët në veri të Kosovës dhe të respektojnë marrëveshjen e arritur me KFOR-in dhe përfaqësuesit e qeverisë kosovare, por serbët kanë vazhduar bllokadën e rrugëve në veri të Kosovës. Ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviq dhe shefi i delegacionit serb në bisedimet me Prishtinën Borisllav Stefanoviq, kanë planifikuar konsultime të reja me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosoës. Bogdanoviq tha se nuk është kurrfarë sekreti që përfaqësuesit e qeverisë serbe dhe serbët e veriut kanë qëndrime të ndryshme. "Përgjegjësia tani u takon përfaqësuesve të katër komunave serbe në veri të Kosovës. Marrëveshja nuk është ideale, por është maksimumi që kemi mundur të arrijmë në këtë moment", deklaroi Bogdanoviq për televizionin e Serbisë. Ndërsa Stefanoviq u shpreh se "shteti serb e ka thënë fjalën e vet dhe e ka pranuar marrëveshjen, tani radhën e kanë përfaqësuesit e serbëve në Kosovë".

Bllokada në Rudare

Bllokada në Rudare

Pas konsultimeve të përbashkëta të përfaqësuesve të katër komunave me shumicë serbe, të shtunën është vendosur që të martën në Leposaviq të mbahet një seancë e përbashkët e kuvendeve komunale paralele, ku do të merret qëndrim përfundimtar për marrëveshjen e arritur ditën e premte. Por në një kumtesë të përbashkët ata konstatuan se "populli është i vendosur të vazhdojë protestat kundër autoriteteve të Prishtinës me synim mbetjen në shtetin e Serbisë". Ata thonë se KFOR-it do t'i lejohet lëvizja e lirë për aktivitetet që dalin nga rezoluta 1244 e KS të OKB.

Reagimet në Serbi ndaj marrëveshjes janë të ndryshme. Drejtori i zyrës qeveriatre për bashkëpunim me mediat, Milivoje Mihajlloviq tha se marrëveshja zvogëlon rrezikun nga vazhdimi i incidenteve dhe eviton "vendosjen në veri të institucioneve të të ashtuquajturit shtet të Kosovës". Ai mendon se kjo marrëveshje mundëson vazhdimin e dialogut dhe i jep shanc paqes.

Mitrovica

Mitrovica

Profesori i fakultetit të shkencave politike në Beograd dhe një prej analistëve të njohur në Serbi, Predrag Simiq mendon se marrëveshja nuk i ka sjellë shumë Serbisë, e aq më pak serbëve të veriut. Fakti që në këtë marrëveshje nuk bëhet fjalë për futjen e mallrave tregtare nga Serbia në Kosovë, paraqet një fitore për Prishtinën zyrtare, thotë Simiq duke shtuar se marrëveshja qetëson situatën, por nuk përjashton përsëritjen e incidenteve. Ndërsa analisti tjetër Dushan Janjiq, është i mendimti se serbët e veriut të Kosovës janë nën ndikim të madh të opozitës radikale serbe. Sjellja e serbëve të atjeshëm do të dëshmojë autoritetin e vertetë të presidentit Boris Tadiq tek serbët e veriut, thotë Janjiq. Ai pohon se marrëveshja e fundit është shumë larg asaj që ka dashur Beogradi.

Partia Radikale ultranacionaliste u ka bërë thirrje serbëve të vazhdojnë bllokadën. Një delegacion treanëtarësh të kësaj partie është futur në veri të Kosovës dhe u ka thënë serbëve të atjeshëm se NATO dhe BE po bëjnë një politikë armiqësore ndaj Serbisë.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama