1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët e Kosovës kundër shuarjes së institucioneve paralele

Serbët e Kosovës nuk e pranojnë deklaratën e kancelaren gjermane Angela Merkel përmes së cilës nga Beogradi kërkohet shuarja e strukturave paralele. Ata vlerësojnë se kjo do të shkaktonte një valë të re të shpërnguljes.

Ura e Ibrit në Mitrovicë

Ura e Ibrit në Mitrovicë

Petar Miletiqi, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, thotë se duhet bërë një dallim serioz kur flitet për strukturat paralele në mes të asaj se çfarë paraqesin ato për pushtetin dhe qeverisjen lokale, si edhe çfarë do të thonë ato për jetën e serbëve në Kosovë. Komunat serbe, sipas anëtarit të Partisë së Pavarur Liberale (SLS) janë dëshmuar si zgjidhja e gabuar. Ato janë "jofunksionale, personeli i tyre nuk kryen atë punë për çfarë paguhet, ato shkaktojnë konfuzion në mesin e popullatës serbe dhe prej tyre nuk ka asnjë interes."

Në këtë aspekt Miletiq pajtohet me kancelaren Merkel, se si të tilla ato nuk duhet të ekzistojnë: "Megjithatë, ajo që do të thotë, jetë dhe që është pjesë e propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që është ekzistenca e shkollave, spitaleve, pra kujdesi shëndetësor dhe arsimi, unë mendoj se duhet të vazhdojnë të ekzistojnë. A ka mundësi që kjo të rregullohet më mirë? Kjo është edhe në interesin e të gjithë serbëve të Kosovës, duke më përfshirë edhe mua - që të kemi shëndetësi dhe arsimim më të mirë. Ne nuk jemi të kënaqur me nivelin që kemi sot. Ai mund të përmirësohet. Unë mendoj se kjo duhet të ndryshojë ... Thjesht, dua të theksoj dallimet në mes të gjërave që janë të rëndësishme për jetesë prej atyre politike", thotë Miletiq.

Zyra e komunës së Shtërpces

Zyra e komunës së Shtërpces

Shuarja e strukturave do të thotë ndihmë për spastrimin etnik të Kosovës

Zvonko Mihajloviqi, kryetari i komunës serbe të Shtërpcës, të financuar nga Beogradi, thotë se: "kjo është edhe një tjetër formë e presionit mbi serbët që kanë mbetur të jetojnë në Kosovë që kjo hapësirë të pastrohet nga serbët" dhe thekson se: "ndihma e Beogradit praktikisht është garancia e vetme për të mbijetuar."

"Më shumë se deklarata e Angela Merkel-it mua më shqetëson ajo se çfarë qëndrimi do të ketë qeveria jonë për këtë çështje. Nëse nën presionin e Perëndimit, në këtë rast Gjermanisë, dhe për hir të afrimit me një objektiv imagjinar për anëtarësim në BE, qeveria jonë lëshon pe dhe i shuan strukturat paralele, kjo do të thotë automatikisht ndihmë të ashtuquajturës qeveri e Kosovës që të spastrojë etnikisht Kosovën."

Nenad Zejak, njohës i mirë i rrethanave të këtushme dhe gazetar shumëvjeçar nga Kosova verëson se deklarata e kancelares gjermane do të thotë: "paralajmërim për tërheqjen e plotë të shtetit të Serbisë nga Kosova."

Përmbyllja e pavarësisë së Kosovës

"Në këtë mënyrë, krijohet përshtypja se Angela Merkel është duke u përpjekur që të rrumbullakësojë diçka që quhet pavarësia e Kosovës, përkatësisht krijimin e shtetit të Kosovës. Unë kam frikë se, - nëse gjykohet nga qëndrimet e njerëzve që jetojnë në veri, - kjo është edhe një nismë tjetër që me siguri do të krijojë një mur edhe më të madh ndarës mes serbëve dhe institucioneve të Kosovës."

Edhe qytetarët e nacionalitetit serb mendojnë ngjashëm. Për shembull, Slavomir Miriq nga Lipjani thotë se nuk do të ishte mirë nëse shuhen institucionet paralele të financuara nga Beogradi: "Për shkak se këto të ashtuquajtura institucione paralele, siç quhen nga autoritetet kosovare, janë kushti i vetëm për mbijetesën e popullatës serbe në këtë rajon. Nëse ato shuhen - me siguri që një pjesë e madhe e popullatës serbe do të largohen nga këto hapësira. Sepse, nëse ne mund të edukojmë fëmijët tanë në gjuhën amtare, nëse ne mund të trajtohemi tek mjeku serb, këto janë disa prej parakushteve, dhe se nuk do të ketë një jetë normale në këto hapësira pas 13 viteve të gjata të mosbesimit dhe tërë asaj që shkaktoi lufta në këtë rajon."

Autor: Refki Alija/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi