1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme

Fletëvotimet me simbole të Republikës së Kosovës tashmë janë shtypur dhe do të përdoren në të gjithë vendin, përfshirë edhe vendbanimet serbe.

Përfaqësuesit e shumicës së serbëve të Kosovës, që garojnë në zgjedhjet e përgjithshme me listën “Srpska”, pas konsultimeve me Beogradin zyrtar kanë vendosur të ftojnë qytetarët serbë, që të votojnë në zgjedhjet e së dielës në Kosovë.

Mediat lokale serbe citojnë njërin nga kandidatët e listës Serpska, Branimir Stojanoviç të ketë thënë se "Për shkak të përgjegjësisë ndaj popullit serb në Kosovë, ne kemi vendosur që të shkojmë dhe të votojmë. Nuk duam që njerëzit, të cilët në mënyrë aktive promovojnë formimin e të ashtuquajturës Ushtri të Kosovës të jenë në gjendje të vendosin drejtpërdrejt rreth kësaj dhe shumë temave tjera të lidhura me jetën tonë", citon media publike serbe (RTS), Branimir Stojanoviç.

Ky vendim i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës vjen menjëherë pas deklaratës së kryeministrit të Serbisë, Aleksander Vuciç, i cili tha se “bojkoti i zgjedhjeve në Kosovë nga ana e serbëve është një zgjidhje e keqe”.

Kosovo Parlamentswahlen Plakate in Strpce

Pllakata në Sterpce

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës patën ngrirë aktivitetet parazgjedhore në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ. Ndër vendimet, që përfaqësuesit e serbëve kundërshtojnë më se shumti, janë simbolet e Kosovës në fletëvotime dhe vendet e garantuara. Ata dëshirojnë që fletëvotimet të mos kenë simbole të Kosovës, ashtu siç u veprua në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar, sikundër dëshirojnë që pos vendeve të garantuara prej 10 ulësesh, të mund të fitojnë vende shtesë, varësisht nga rezultati i zgjedhjeve.

Çështja e fletëvotimeve

Zyrtarë të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ) thonë se tashmë ky mekanizëm ka një vendim të mëhershëm dhe fletëvotimet janë shtypur me simbole të Kosovës dhe të cilat vlejnë për tërë territorin e Kosovës.

“Shtypja e fletëvotimeve për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës ka përfunduar. Fletëvotimet janë unike për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ashtu siç është vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, i tha DW Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Çështja e vendeve të rezervuara

Po ashtu kërkesa e përfaqësuesve të serbëve për vazhdimin e mandatit për vende të rezervuara nuk është miratuar në legjislaturën e kaluar të kuvendit të Kosovës, kështu që kësaj rradhe, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, 20 vende do të jenë të garantuara për pakicat, 10 për komunitetin serb dhe dhjetë të tjera për pakicat kombëtare jo serbe.

Analistët politikë nga ana e tyre thonë se përfaqësuesit e serbëve sidomos ata nga veriut i Kosovës, dëshirojnë që megjithë pjesëmarrjen në zgjedhjet e Republikës së Kosovës, prapë përmes mbulimit të simboleve në materialin zgjedhor të krijohet përshtypja e një lloj neutraliteti ndaj statusit të Kosovës.

Rashiti: nuk ka shumë entuziazëm nga ana e serbëve për të votuar

Naim Rashiti, drejtor i institutit nga Grupi i Politikave për Ballkanit, i tha DW-së se serbët e veriut me praktikën e zgjedhjeve të shkuara, ku në materialin zgjedhor u mbuluan simbolet e Kosovës, kanë shpresuar të krijojnë një precedan, që do të përdoret edhe në këto zgjedhje.

“Kësaj rradhe zgjedhjet e përgjithshme nuk kanë qenë pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe Serbia është përcaktuar, që serbët të marrin pjesë në jetën politike dhe administrative të Kosovës. Çështja është, se si liderët e serbëve të Kosovës e përceptojnë këtë çështje, në raport me votuesit e vet dhe sipas mendimit tim përmes kësaj çështjeje, ata po provojnë që të nxjerrin sa më shumë serbë, që të votojnë ditën e zgjedhjeve. Sepse siç duket, ka shumë pak entuziazëm nga ana e serbëve për të votuar dhe këtu marr shembull zgjedhjet lokale të vitit të shkuar, ku vetëm 35 mijë vota ishin nga radhët e komunitetit serb”, thotë Naim Rashiti.

Sidoqoftë në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar qeveria e Beogradit kishte ftuar serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje. Rezultati, serbët tashmë udhëheqin në dhjetë komuna të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.