1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Separatistët shkaktojnë prapambetje ekonomike për Donbassin

Ekonomia në rajonin industrial ukrainas Donbass vuan nën konfliktin e armatosur. Ka dëme në infrastrukturë, gjendja e porosive është e errët dhe eksportet në Rusi kanë rënë.

Kriza politike që po zgjat në Ukrainë ka ushtruar efekt negativ në përgjithësi në ekonominë e vendit. Por prej të gjitha rajoneve në Ukrainë, rajoni i Donbassit në juglindje të vendit i vuan më tepër pasojat.

Sipas të dhënave të Departamentit të Donetskut të Zyrës Ukrainase të Statistikave, humbjet e sipërmarrjeve të rajonit në katërmujorin e parë të 2014-ës ishin rreth 37 përqind mbi mesataren e vendit. Humbjet në Donbass llogariten vetëm në tri muajt e parë të këtij viti me 1,8 miliardë euro, gjë që është një shumë më e madhe se e gjithë periudha e mëparshme (1,3 miliardë euro). Prodhimi industrial në rajon, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ra me 13 përqind. Shkaku për këtë ka të bëjë me pakësimin e porosive për eksport si dhe me një kërkesë më të dobët në tregun e brendshëm.

Uzinat e mëdha vazhdojnë të prodhojnë

Fabrikat e mëdha në rajonin e Ukrainës Lindore sipas të dhënave të tyre për momentin prodhojnë si më parë. Por parashikimet për muajt e ardhshëm janë të errëta. "Akoma puna vazhdon normalisht. Por gjendja e porosive është keqësuar. Cili i huaj do të vijë tek ne, kur i duhet të kapërcejë 13 barrikada rrugësh?" i thotë DW Volodimir Shulij, drejtues i sektorit të marketingut në "Fabrikën e Makinerive Novo-Kramatorsk". Qyteti Kramatorsk ndodhet në rajonin, ku trupat qeveritare kryejnë operacionin e tyre antiterror. Që prej prillit ato luftojnë në rajonet juglindore të Donetskut dhe Luhanskit kundër separatistëve prorusë.

Juri Makohon, nga Instituti Kombëtar i Studimeve strategjike, i thotë DW se fabrikat e Ukrainës lindore janë të orientuara me produktet e tyre drejt tregut rus. Por ky treg faktikisht ka humbur. "Vëllimi i shkëmbimeve tregtare midis Rusisë dhe rajonit të Donetskut që prej fillimit të vitit ka shënuar rënie masive", thotë Makohon. Vështirësi të mëdha i shkaktojnë industrisë dhe transportit të mallrave dëmet në sistemin hekurudhor në zonat e luftimeve. Fluturime thuajse nuk ka.

Sipërmarjet e vogla dhe të mesme e ndiejnë më fort barrën. Gjysma e firmave u detyruan t'i mbyllin dyert javët e fundit, prej tensioneve në rritje. Dyqanet bastisen prej separatistëve dhe ndaj sipërmarrësve ushtrohet shantazh. Prandaj shumë sipërmarrje të vogla janë larguar nga rajoni, për të shpëtuar nga sulmet e banditëve të së ashtuquajturës "Republikë Popullore e Donetskut."