1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Separatistët besnikë të Moskës njoftojnë për shumë të vdekur në Donesk

av/vfb (dpa, rtr)27 Maj 2014

Luftimet e ashpra në Ukrainë lindore shuajnë shpresat për qetësimin e situatës menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale. Gjatë një ofensive të ushtrisë pati shumë të vdekur. Moska kërkon ndërprerjen e menjëhershme të tyre.

https://p.dw.com/p/1C7bg
Ostukraine Krise Flughafen Donezk 26.05.2014
Fotografi: Alexander Khudoteply/AFP/Getty Images

Presidenti i ri i Ukrainës Petro Poroshenko e ka bërë realitet deklaratën e tij për intensifikimin e luftës kundër separatistëve në lindje të Ukrainës. Që nga e hëna (26.05.2014) ushtria po zhvillon në rajonin e Doneskut luftime të ashpra me forcat proruse. Këta njoftuan, se në 24 orët e fundit janë vrarë së paku 40 vetë.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të aksionit ushtarak. Në një telefonatë me kryeministrin e Italisë Matteo Renzi ai foli për një "aksion ndëshkues" të Kievit kundër kryengritësve. Edhe ministri i tij i Jashtëm Sergej Lavrov tha se aksioni ushtarak duhet të ndërpritet menjëherë. Moska akuzoi Kievin, se po përdor forcat e armatosura në lindje të vendit kundër popullit të vet. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë duhet të hetojë përleshjet në Donesk.

Ostukraine Krise Flughafen Donezk 26.05.2014
Aeroporti në DoneskFotografi: Reuters

Kreu i shtetit në fjalimin e tij të parë i kishte cilësuar separatistët banditë dhe terroristë, me të cilët nuk negociohet. Ata duan ta kthejnë rajonin "në një Somali," shtoi ai duke bërë krahasim me luftën civile në lindje të Afrikës. Ai tha se këtë nuk do ta lejojë. Prandaj do të vazhdohet "operacioni anti-terror". Në të njëjtën kohë ai ofroi dialog me Moskën. Lavrov tha, sipas agjencisë së lajmeve Interfax, se qeveria e tij është e gatshme për bisedime. Megjithatë zhvillimet aktuale i shuajnë shpresat për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit.

Qëllohet një kamion me separatistë

Separaristët nga Donesku njoftuan se trupat qeveritare kanë qëlluar një kamion me luftëtarë të plagosur, i cili udhëtonte nga aeroporti për në një spital në Donesk, bëri të ditur udhëheqësi i separatistëve prorusë Pavel Gubarev. Autoritetet shëndetësore konfirmuan se në luftimet në qytetin milionësh ka patur të vdekur dhe të plagosur, pa përmendur një shifër të qartë. "Kundërshtari ka pësuar humbje të rënda, ne nuk kemi", u shpreh ministri i Brendshëm i Ukrainës Arsen Avakov.

Portali i internetit Donbass.ua publikoi së bashku me raportin e Gubarevit edhe mesazhin në video të një qytetari të Doneskut, të emetuar nga televizioni ukrainas në Kiev. Ky tregonte se automjeti ishte qëlluar nga një helikopter ushtarak. Por më parë separatistët kishin shtënë nga kamioni ndaj njerëzve në rrugë pa dallim, gjoja për të treguar civilë të vrarë për propagandë antiukrainase në televizionin shtetëror rus. Informacionet e pavarura për këtë mungojnë.

Separatistë në Donesk
Fotografi: Reuters

Separatistët sulmojnë aeroportin në Donesk

Donesku drejtohet nga forca ulshtarake proruse, që nuk e njohin qeverinë e Kievit dhe as rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës (25.05.2014). Me sa duket si përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj votimit separatistët të hënën vunë nën kontroll aeroportin në qytetin milionësh duke e detyruar atë të mbyllet. Sipas një zëdhënësi të aeroportit përfaqësuesit e së ashtuquajturës "Republika Popullore e Doneskut" ishin shfaqur në territorin e aeroportit duke kërkuar tërheqjen e ushtarëve ukrainas.

Trupat qeveritare, sipas informacioneve të tyre, e vunë sërish nën kontroll aeroportin përmes një operacioni në shkallë të gjerë kundër separatistëve prorusë. Edhe në metropolin Donesk ka pasur luftime të ashpra.