1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Senatori Zanna: "Qeveria e Nigerisë po i injoron spastrimet etnike“

Senatori Ahmed Zanna kritikon Presidnetin dhe qeverinë për dështim në luftën kundër terrorizmit. Rajoni i këtij senatori është i përfshirë nga krimet e organizatës Boko Haram. Ajo ka rrëmbyer së fundi edhe 200 nxënëse.

Deutsche Welle: Rrëmbimi i nxënëseve para një muaji ka ndodhur në qytetin tuaj Borno. Thuhet madje se autoritetet e kanë ditur me orë të tëra që Boko Haram do të sulmojë këtë shkollë në Chibok. Si ka qenë e mundur që terroristët megjithatë t'i rrëmbejnë 200 vajzat nga shkolla?

Ahmed Zanna: Kjo vërtetë është e frikshme dhe është shndërruar në një gjendje të përditshme qysh prej gjashtë muajsh. Boko Haram ka dërguar në disa raste madje edhe letra paralajmëruese për objektivat që do të sulmojë. Këto informacione i kanë pasur edhe organet e sigurisë, por për fat të keq nuk kanë bërë asgjë për t'i evituar këto vepra. Ka disa burime të sigurta që thonë se organet e sigurisë e kanë ditur për sulmin në shkollë dy orë më parë, por nuk kanë ndërmarrë asgjë. Kur Boko Haram ka nisur sulmin, në shkollë nuk ka mbetur asnjë ushtar. Një ushtar pësoi atak në zemër, ndërsa të tjerët janë larguar.

Nigeria jep me miliarda euro për ushtrinë. Pse në ushtri dhe polici është kjo gjendje kaq e keqe?

Unë vërtetë jam i befasuar me sjelljen e forcave të sigurisë. Drejtuesit me të cilët jam në kontakt ankohen për mungesë pajisjesh. Mungojnë armë e madje edhe uniforma. Morali i ushtarëve është jashtëzakonisht i ulët. Dot të dëshiroja ta dija se ku shkojnë gjithë ato para.

Ka informacione se disa politikanë të nivelit të lartë e dinë se ku janë vajzat e rrëmbyera. E vërtetë?

Po, këtë ma kanë konfirmuar njerëzit nga vendlindja ime. Kam informacione se vajzat e rrëmbyera janë parë në një rajon të caktuar dhe janë dorëzuar në duart e forcave të sigurisë. Dy-tre prej tyre më kanë thënë se prej këtij vendi janë transportuar diku tjetër, por nuk dua ta përmendin vendin e saktë. Ndoshta i kanë dërguar ndërkohë në ndonjë vend tjetër, por unë kam burime shumë të mira dhe i di gjërat.

Pse nuk doni të bëni publike të dhënat për vendndodhjen e nxënëseve?

Sepse kjo mund të rrezikojë jetën e tyre. Ndoshta janë transportuar ndërkohë diku tjetër. Mendoj se është më mirë të mos e them vendin.

Nëse vërtetë dihet se ku janë, apo ku kanë qenë ato, deri para pak kohësh, pse qeveria nuk ndërmerr asgjë për lirimin e vajzave?

Ushtria është e pajisur keq. Ushtria i ka konfirmuar edhe informacionet e mia, por ajo nuk ka mundur të ndërmarr asgjë, për të mos rrezikuar jetën e vajzave. Pas ndihmave nga bashkësia ndërkombëtare, ekziston shansi që vajzat të lirohen. Sot më kanë informuar se është shumë e mundur që vajzat të lirohen, gjë që më jep shpresë.

Boko Haram i paraqet vajzat e rrëmbyera përmes një videoje

Boko Haram i paraqet vajzat e rrëmbyera përmes një videoje

Keni nevojë për ndihmën e SHBA-së dhe vendeve të tjera?

Po, kemi. Dhuna e Boko Haram po vazhdon prej tre vjetësh dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. Në veçanti në gjashtë muajt e fundit është shtuar dhuna. Ndaj është shumë e kuptueshme edhe vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare.

Çfarë organizate është Boko Haram, mund të thuhet diçka? A janë ata terroristë apo kriminelë të thjeshtë?

Fillimisht ka qenë një organizatë islamike, por ndërkohë janë shndërruar në kriminelë. Pjesëtarët e saj sulmojnë fshatrat, shkatërrojnë çfarë u del përpara dhe vrasin njerëz - edhe myslimanë, gra dhe fëmijë. Kjo është e tmerrshme. Ata nuk i përkasin fesë islame.

Si është e mundur që ata të kenë pajisje të mira?

Edhe kjo është shumë e habitshme. Disa pajisje i kanë blerë në Çad, por shumica e armëve vijnë nga ushtria dhe policia.

Madje edhe presidenti Goodluck Jonathan ka deklaruar se mbështetësit e Boko Haram janë nga rrethi i tij. Ka vërtetë politikanë që e mbështesin organizatën Boko Haram?

Me sa di unë ka dhe politikanë që i financojnë këta kriminelë. Sistemi ynë është plot gabime. Edhe më parë e kam thënë se këtu bëhet fjalë për një lloj spastrimi etnik. Qeverisë nuk i intereson fare se çfarë po ndodh. Gjërat ndodhin vetëm në disa rajone, brenda disa grupeve etnike, të cilat nuk e mbështesin qeverinë. Presidenti kurrë nuk ka shprehur keqardhje për këto gjëra. Ai thjesht nuk interesohet fare për njerëzit në veri të vendit.

Qeveria pra nuk është e interesuar që t'i ndalë këto veprime?

Pikërisht, sepse po të ekzistonte vullneti politik i ushtrisë dhe i policisë, ky fenomen do të ndalej.

A ka ndonjë mundësi për zgjidhjen e këtij problemi?

Këtë duhet ta shohim si një problem nacional. Nëse e ke të sëmurë një pjesë të trupit, atëherë nuk mund ta injorosh, por duhet ta shërosh. Ky problem nuk është problem rajonal, por është problem i tërë vendit. Kjo e dëmton edhe ekonominë e tërë vendit, ndaj si i tillë edhe duhet të zgjidhet.

Ahmed Zanna është qysh prej tre vjetësh në Senatin e Nigerisë si përfaqësues i shtetit Borno, ku muajt e fundit janë zhvilluar thuajse të gjitha sulmet e organizatës Boko Haram. Kjo pjesë është në veri të Nigerisë, ku jeton grupi i popullsisë Haussa.