1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200910 D Gipfel Geo-Dienste

21 Shtator 2010

Të hënën në Berlin u mblodhën politikanë, mbrojtës të të dhënave personale dhe të konsumatorëve, si dhe ekspertë të internetit. Ata diskutuan si duhet të trajtohen të dhënat gjeografike, apo gjeo-të dhënat digjitale.

https://p.dw.com/p/PICE
Fushatë në mbrojtje të të dhënave
Fushatë në mbrojtje të të dhënaveFotografi: AP/ DW-Fotomontage

Ekonomia e ka vetë në dorë që të ofrojë edhe në të ardhmen shërbime për të dhënat gjeografike digjitale, ose gjeo-të dhënat, pa u orientuar në direktiva ligjore. Parakusht është një vetëdetyrim, një i ashtuquajtur kod i sjelljes. Në të duhet të përcaktohet, se cilat të dhëna lejohet të publikohen në internet, pa shkelur të drejtat e privacisë. Deri në 7 dhjetor, ofrues të shërbimeve të internetit, si "Google" kanë kohë, që të prezantojnë një propozim.

Shërbimi "Street View", i kritikuar shumë në Gjermani ka bërë që gjithnjë e më shumë njerëz të kundërshtojnë paraqitjen tridimensionale të shtëpive të tyre. Sipas të dhënave të saj, Google do t'i respektojë këto kërkesa. Ideja e një kodi sjelljeje gjeti rezonancë pozitive të shefi për Evropën i Google-s, Philipp Schindler. Ai tha se është i gatshëm që të japë një kontribut konstruktiv në dizajnimin e vetëdetyrimit.

Screenshot Google Street
Screenshot Google StreetFotografi: Google

Ministri Federal i Brendshëm, Thomas de Maiziere do të preferonte që të mos përdorte masa ligjore, por nuk i përjashton ato shprehimisht. Duhet të ketë një "vijë të kuqe" për përdorimin e të dhënave gjeografike digjitale, tha kristjandemokrati: "Dhe vija e kuqe kapërcehet atëherë, kur krijohen profile personaliteti dhe lëvizjeje, kur integrohen të dhëna veçanërisht delikate personale. Në këto raste ne kemi nevojë për një ligj."

Ministrja e Konsumatorëve, Ilse Aigner është e kënaqur që Google do t'i respektojë kundërshtimet e pronarëve të shtëpive dhe kalimtarëve të fotografuar rastësisht: "Por çështja është si trajtohen në përgjithësi këto probleme në të gjitha shërbimet e mundshme. Dhe sot ky ishte një hap në drejtimin e duhur."

Ministri Federal i Brendshëm, Thomas de Maiziere dhe ministrja e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger.
Ministri Federal i Brendshëm, Thomas de Maiziere dhe ministrja e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger.Fotografi: AP

I ngarkuari me Mbrojtjen e të Dhënave, Peter Schaar e quan idenë e një kodi vullnetar sjelljeje për ekonominë zgjidhjen më të mirë - teorikisht të paktën: "Unë natyrisht që do ta shoqëroj këtë dhe do të konsultohem edhe më përfaqësues të ekonomisë, për zgjidhje konstruktive. Nëse në fund nuk do të arrihet konsensus në radhët e ekonomisë, atëherë fjalën duhet ta marrë ligjvënësi."

Si propozime "pa dhëmbë" i kritikoi eksperti për mbrojtjen e të dhënave të partisë së Majtë, Jan Korte, propozimet e ministrit të Brendshëm. Ky qendrim dorëlëshuar nuk mbron as të drejtën bazë të vetëvendosjes për informacionet, as nuk rregullon në mënyrë të qartë të drejtat e përdoruesve të internetit për të qasje në të dhënat e tyre personale, tha ai.

Autor: Marcel Fürstenau/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama