1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sekretarja amerikane e shtetit sjell mesazhe të rëndësishme

Angelina Verbica12 Tetor 2010

Hillary Clinton në Beograd nuk sjell propozime konkrete, por mbështet Serbinë në rrugën e anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë, pohojnë ekspertët.

https://p.dw.com/p/PcVG
Hillary Clinton në SarajevëFotografi: AP

Vizita e sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton në Ballkan dëshmon se vëmendja e Uashingtonit nuk është larguar aq shumë nga ky rajon, megjithë problemet e mëdha në "vatrat e tjera të nxehta". Disa ekspertë janë të mendimit se administrata e presidentit Obama tani ka një qëndrim më miqësor ndaj Beogradit, pasi ai ka ndryshur kursin e ashpër në politikën ndaj Kosovës.

Pritet edhe presion ndaj Prishtinës për fillimin e dialogut me Serbinë

Megjithatë, përveç vëmendjes dhe mbështetjes verbale, deri tani SHBA-ja nuk i ka ofruar asgjë konkretisht Serbisë. Raportet ekonomike mes këtyre dy vendeve janë të pakta, ndërkohë që mbështetja e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE ende është vetëm në nivelin retorik. Beogradi shpreson që Uashingtoni do të ushtrojë presion ndaj Holandës, për të ndryshuar qendrimin e saj të ashpër ndaj anëtarësimit të Serbisë.

„Çështja e ndikimit tek Holanda ka qenë një temë edhe më parë", thotë për Deutsche Wellen eksperti Mako Papiq, nga Agjencia Stratfor dhe shton: "Presioni i SHBA-së në këtë rast mund të jetë i mirë, por Holanda është një partner më i ngushtë i Uashingtonit se shumë vende të tjera evropiane. Prandaj Amerika nuk mund t'i garantojë Serbisë ndonjë ndryshim të politikës holandeze, në veçanti pas raportit të fundit në parlamentin holandez, për bashkëpunimin jo tepër të shkëlqyeshëm të Serbisë me Tribunalin e Hagës për krime lufte".

Ajo, që mund të pritet, është një presion më i madh i Uashingtonit ndaj institucioneve kosovare për dialog me Serbinë. Uashingtoni deri tani ka mbështetur Prishtinën pa rezerva. Ekspertët e Stratforit janë të mendimit se kjo tani po ndryshon. Sipas tyre Uashingtoni nuk është tepër i kënaqur me hezitimet e Prishtinës për fillimin e shpejtë të dialogut me Beogradin për shkak të zgjedhjeve, që priten në këtë vend, pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu. Po ashtu është dërguar sinjal i qartë se në Kosovë nuk do të lejohen korrupsioni dhe shkeljet e ligjit. Marko Papiq pret vazhdimin e presionit amerikan ndaj Kosovës.

„SHBA-ja definitivisht po bën presion ndaj Prishtinës. Amerika nuk do të ndryshojë qendrimin ndaj sovranitetit të Kosovës, por ka shumë çështje të tjera të hapura. Gjatë vizitës së Hillary Clinton në Prishtinë do të dërgohet sinjal i qartë se duhet të bisedohet me Beogradin, i cili ka bërë lëshime të shumta në rezolutën e fundit para OKB-së."

Rregullimi i gjendjes në Ballkan në duart e BE

Papiq është i mendimit se Amerika i ka lënë BE-së rolin kryesor në rregullimin e gjendjes në Ballkan. SHBA-ja është marrë me Ballkanin intensivisht në vitet 90-të. Ndërkohë që, sipas ekspertëve të Stratforit, tani kanë ndryshuar interesat gjeosrategjike amerikane, që shihet edhe nga mesazhet e sekretares Clinton që priten në Beograd.

„Ajo nuk do të sjellë mesazhe dhe propozime konkrete, por do të shprehë mbështetje. Uashingtoni ka pranuar që BE-ja të udhëheqë dialogun e ardhshëm mes Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse Kosova është e interesuar për një rol dominant amerikan. Dallimet sa i përket kësaj cështje mes Prishtinës dhe Uashingtonit paraqesin dëshmi se BE-së i është lënë roli kryesor për zgjidhjen e këtij problemi", mendon Papiq.

Autor: Marina Maksimoviq/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica