1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përmend kushte për riintegrimin e talibanëve

Për shkak të problemeve masive financiare ministrat e mbrojtjes të 28 vendeve anëtare të NATO-s kërkojnë më shumë siguri për më pak para. Gjatë një takimi në Stamboll diskutohet zbatimi i strategjisë së Londrës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen dhe Ministri amerikan i Mbrojtjes, Gate

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen dhe Ministri amerikan i Mbrojtjes, Gate

Fond për integrimin e talibanëve

Me propozimin e tij për t'u dhënë para talibanëve të gatshëm për t'u integruar duke kontribuar kështu në pajtimin kombëtar, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle pati korrur shumë kritika, kryesisht nga shtypi gjerman. Por në konferencën e Londrës për Afganistanin nga ky propozim lindi një projekt konkret. ´

Një sërë shtetesh janë të gatshme të paguajnë në të ashtuquajturin fondi i riintegrimit, Gjermania p.sh. do të japë 10 milionë euro gjatë pesë viteve të ardhshme. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Anders Fogh Rasmussen, e përkrah idenë dhe mbajti njëkohësisht qëndrim ndaj kritikave. Pak para fillimit të konferencës së ministrave të mbrojtjes në Stamboll, Rasmussen e cilësoi ofertën një investim për paqen:

"Në Afganistan janë të shumtë ata që luftojnë jo për arsye fetare apo ideologjike. Ata nuk janë patjetër kundër qeverisë afgane apo trupave ndërkombëtare nga aspekti ideologjik. Ata luftojnë për talibanët për pak para apo për shkak të vështirësive të ndryshme. Ne u ofrojmë një rrugë të re në jetën e tyre."

Talibanët mund të integrohen vetëm me kushte

Rasmusseni u përpoq para së gjithash të largonte shqetësimet se Perëndimi kërkon të blejë me mjete të dyshimta paqen në Afganistan.

"Duhet të përmbushen kushte të caktuara. Së pari ky proces duhet të mbështetet nga vetë afganët. Së dyti, çdo ofertë për paqe duhet të respektojë kushtetutën afgane dhe të drejtën ndërkombëtare. Kjo nënkupton respektimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut përfshirë ato të grave. Pra ne mbështesim pajtimin dhe riintegrimin po nuk e bëjmë këtë në kurriz të vlerave dhe interesave tona."

Ajo së cilës Rasmussen nuk i ka dhënë përgjigje është se si mund të parandalohet që talibanët t'i marrin paratë dhe megjithatë të vazhdojnë të luftojnë? Dhe si mund të identifikohen ata cilët paraqiten si talibanë vetëm për të marrë paratë? Të dy këto pyetje pritet të diskutohen më tej në konferencën e Stambollit.

Por çështja e parave nuk shtrohet vetëm në rastin e fondit të riintegrimit. Edhe ngritja e ushtrisë afgane është një çështje financiare. NATO-ja ka llogaritur se janë paguar vetëm një e pesta e mjeteve financiare, që nevojiten çdo vit. Të gjitha planet për tërheqje të trupave ndërkombëtare varen nga zëvendësimi i ushtarëve të huaj me ata afganë. Pra në fund të fundit edhe çështja e tërheqjes së trupave ndërkombëtare ka karakter financiar. Nuk është rastësi që shifrat publikohen pikërisht tani. Konferenca e Nato-s në Stamboll dhe konferenca e sigurisë në Mynih janë mundësi për të kërkuar më shumë përpjekje nga partnerët e aleancës.

Autor: Christoph Hasselbach/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 05.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Lttp
  • Data 05.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Lttp