1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sejdiu: Zbatimi i strategjisë për integrimin e Veriut të Kosovës kërkon veprime enegjike

Strategjia e qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për integrimin e Veriut të Kosovës mori mbështetjen e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën në të cilin bëjnë pjesë 25 vende që e kanë njohur pavarësinë.

Fatmir Sejdiu

Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se strategjia që parasheh integrimin e veriut të Kosovës është inkurajuese që në këtë pjesë të vendit të vendoset rendi dhe ligji. Ai thotë se strukturat paralele serbe duhet të shuhen përfundimisht dhe personat që janë në krye të tyre dhe që kanë bërë vepra penale në veri të Kosovës duhet të përballen me ligjin. Grupi Ndërkombëtar për Kosovën, i cili diskutoi të hënën në Vjenë strategjinë e qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për Veriun, i dha mbështetje të plotë kësaj strategjie.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë ekskluzive për DW-në, thotë se në veri të Kosovës edhe më herët ka pasur hapësirë që të veprohet: “Ka pasur hapësirë dhe mundësi që të veprohet edhe më herët. Kemi kaluar dhjetë vjetë të plota dhe sidomos në periudhën e administrimit të Kombeve të Bashkuara është dashur që të ketë projekte më të drejpërdrejta në kuptimin integrues të qytetarëve dhe në kuptimin e zgjidhjes së shumë problemeve në radhë të parë edhe jetësore të tyre. E dyta ka qenë një vonesë e paarsyeshme e shtrirjes së misionit EULEX me të gjitha kapacitetet në veri të Kosovës. Por, them se veprimet e tashmë janë inkurajuese dhe strategjia për veriun është në të njejtën linjë me angazhimet edhe kosovare edhe ndërkombëtare për të vënë rend dhe ligj në këtë pjesë të Kosovës.”

Mitrovica

Mitrovica

Sipas presidentit Sejdiu tash është e rëndësishme që të zbatohet strategjia për veriun dhe për këtë kërkohen veprime energjike: “Zbatimi i strategjisë për veriun nuk duhet të bëhet në mënyrë të dhunshme, sepse do të ishte kundër njerëzve të Kosovës, mirëpo, e them se duhet të shkohet në mënyrë energjike për të vënë rend dhe ligj dhe ata që janë përgjegjës për veprat e kryera natyrisht të përgjigjen para ligjit.”

Përpjekjet e Prishtinës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për zbatimin e strategjisë për integrimin e Veriut dhe krijimin e komunës së Mitrovicës veriore janë kundërshtuar nga Beogradi zyrtar. Sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën dhe Metohinë, Oliver Ivanovic, u ka deklaruar mediave lokale në Kosovë se serbët e asaj pjese nuk kanë nevojë për komunën e krijuar nga Prishtina, sepse sipas tij ata kanë komunën e tyre të krijuar nga Beogradi.

Mirëpo, analisti i pavarur Ramush Tahiri, mendon se strukturat paralele serbe, në të cilat bëjnë pjesë serbët e Kosovës, me publikimin e strategjisë për veriun do të kthehen kah institucionet e Kosovës. “Ndihma e Beogradit për strukturat paralele nuk mund të jetë edhe në kundërshtim me parimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk mund të jetë në kundërshtim edhe me parimet e vetë Serbisë e cila e ka pranuar rezolutën 1244 të KS-it,” - thotë Ramush Tahiri.

Sidoqoftë Zyra Civile Ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës janë shprehur se nuk do ta përdorin forcën e autoriteteve të rendit për ta zbatuar strategjinë për veriun. Ata besojnë se strategjia do të mbështetet nga serbët lokalë të asaj pjese dhe kjo të dëshmohet me pjesmarrjen në zgjedhjet për komunën e veriut të Mitrovicës që janë paraparë të zhvillohen në pranverë të këtij viti.

Autor: Bekim Shehu
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 09.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LxCz
  • Data 09.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LxCz