1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sejdiu: Gjatë dy viteve të para të pavarësisë Kosova ka treguar qëndrueshmëri institucionale

Sfidë mbetet rritja e mirëqenies sociale në Kosovë dhe integrimi në shoqërinë kosovare edhe i atyre serbëve që s'pranojnë të bashkëpunojnë me institucionet vendore.

Fatmir Sejdiu në intervistë me DW

Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë në një intervistë për DW-në me rastin e dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë se gjatë dy viteve të para të pavarësisë Kosova ka dëshmuar se është faktor stabiliteti në rajon

DW: Zoti president, Kosova mbushi dy vjet që nga shpallja e pavarësisë, sa janë përmbushur objektivat e institucioneve të Kosovës për këtë kohë?

Sejdiu: Unë them përgjithësisht është një ecje e sukseshme gjatë këtyre dy vjetëve, Kosova ka dëshmuar qëndrueshmërinë e saj politike, ekonomike dhe shtetërore. Nuk janë realizuar pritjet e këqija që dikush i ka pasur të projektuara si ogure të këqija, se do të ndodhë shpërngulje masive e serbëve, do të ndodhë hakmarrje ndaj tyre, do të ketë mostrajtim të duhur të pakicave, por ndodhi e kundërta. Ka një qasje të mirë në relacionet brenda etnive në Kosovë me përjashtim të hezitimit të disa serbëve. Gjatë dy vjetëve ka ndodhur një përmbyllje e mirë e ciklit të ndërtimit të institucioneve vitale. Është krijuar Gjykata Kushtetuese, Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, janë hapur 21 misione diplomatike, kemi siguruar 65 njohje kualitative për Kosovën, kemi raporte të mira me vendet e rajonit me përjashtim të Republikës së Serbisë. Natyrisht përpara nesh ka shumë sfida që qytetarët kanë pritur të përmbushen, si janë sfidat e natyrës sociale mirëpo është shumë e qartë se më të parën nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet duke pasur parasysh se Kosova ka pasur një ekonomi të shkatërruar dhe të gjitha sistemet e shkatërruara. Mos të harrojë këtu që pas shpalljes së pavarësisë Kosova është anëtarësuar në dy mekanizma ndërkombëtarë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

DW: Numri i njohjeve të shtetit të Kosovës ka arritur në 65, kohët e fundit nuk kishte shumë njohje, ku mendoni se qëndron problemi, te mosangazhimi sa duhet i institucioneve të Kosovës, te diplomacia aktive e Beogradit kundër pavarësisë, apo ...?

Sejdiu: Po kemi këtë numër të njohjeve 65 vende, por ne kemi nevojë edhe për njohje të tjera natyrisht, dhe ka premtime se do të ketë edhe njohje të reja. Është shumë e qartë se gjatë kësaj kohe ka pasur jo një vrull të njohjeve siç ishte në ditët e para pas pavarësimit të Kosovës, në këtë linjë mund të jetë një grup i shteteve që presin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas kërkesës së Serbisë dhe mund të jetë një grup vendesh që nuk na kanë njohur dhe që janë nën influencën e marrëdhënieve të Republikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, por mendoj se megjithë kundërshtimin e Serbisë dhe të aleatëve të saj do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të njohjeve tjera.

DW: Zoti president, ç'prisni ju nga shqyrtimi i ligjshmërisë së pavarësisë nga GJND-së?

Sejdiu: Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka qenë një prezantim i denjë i Kosovës nëpërmjet njerëzve që ajo ka angazhuar dhe në këtë mes ka qenë edhe një mbështetje e mirë ndërkombëtare. Ju e dini se edhe numerikisht relacionet mbështetëse me ato kundër, kanë qenë më shumë në anën pozitive për Kosovën. Paralelisht mund të them se GJND, nuk mund të abstragojë argumentet e fuqishme që Kosova ka pasur edhe me momentin e shpalljes së pavarësisë, që ka qenë një moment që ka ardhur si pikë kulmore e ecjeve tona në procesin e lirimit dhe të pavarësisë së vendit dhe paralelisht edhe mbështetjes ndërkombëtare me një plan ndërkombëtar siç ishte plani i Ahtisarit. Pra këto çështje nuk mund të lihen anash dhe GJND do t'i ketë parasysh. Pra nuk mendoj se ka një kundërshtim ndërkombëtar që populli i Kosovës të vendosë për veten e vet.

DW: A ka ndonjë përpjekje të institucioneve të Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për realizimin e një strategjie për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, a nuk mendoni se kjo strategji është paksa e vonuar?

Sejdiu: Unë them se ka pasur hapësirë që të veprohet edhe më herët. Kemi kaluar dhjetë vjet sidomos me periudhën e misionit të kombeve të bashkuara ku është dashur që të ketë projekte më të drejpërdrejta në kuptimin integrues të qytetarëve dhe në kuptimit e zgjidhjes së shumë probleme jetësore të tyre siç janë kthimi i qytetarëve serbë në shtëpitë e tyre, por edhe i kthimit të shqiptarëve në veri të Kosovës.

E dyta ka qenë një vonesë e paarsyeshme e shtrirjes së misionit EULEX në veri të Kosovës. Mirëpo tash është më e rëndësishme se kjo strategji bie në frymën e përpjekjeve të përbashkëta edhe vendore edhe ndërkombëtare për të vënë rend dhe ligj edhe në këtë pjesë të Kosovës, ku ende ekzistojnë strukturat paralele që janë borxhli ndaj të drejtës, sepse shumë nga udhëheqësit e tyre dhe partizanët e tyre janë njerëz që kanë bërë veprimet të këqija në Kosovë dhe i kanë borxh popullit të Kosovës. Thjeshtë ata duhet të përgjigjen përpara drejtësisë. Ka dikush në Serbi që sot e kësaj dite mendon se duhet të ndahet territori i Kosovës, mirëpo përgjigja për këtë është JO.

DW: Autoritetet e Beogradit tashmë janë vënë në lëvizje kundër zbatimit të kësaj strategjie duke u shprehur qartë se serbët e asaj pjese kanë institucionet e tyre lokale të mbështetura nga Beogradi. Ju më herët keni hedhur tërthorazi idenë e krijimit të njësive policore që do të pamundësonin funksionimin e strukturave paralele. Ka vend këtu për përdorimin e forcës për shuarjen e strukturave paralele?

Sejdiu: Asnjëherë nuk kam thënë dhe nuk do të them se duhet të shkohet dhunshëm ndaj njerëzve të Kosovës, por e them se duhet të shkohet në mënyrë energjike për të vendosur rend dhe ligj dhe ata që janë përgjegjës për veprat e tyre duhet të përballen me ligjin. Por këtu nevojitet një bashkëpunim i thellë me institucionet ndërkombtare për të ecur me hapat që do të sigurojnë stabilitet të përgjithshëm të vendit.

DW: Në këtë fazë shumë punonjës të institucioneve të Kosovës janë në greva dhe protesta. Ata kërkojnë rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës, sa po rrezikohet vendi që të futet në një krizë sociale?

Sejdiu: Është e drejtë e secilit që të shprehë mendimin e vet qoftë në formë të grevës apo protestës që janë në kuadër të kornizave ligjore, por në të njëjtën kohë është borxh i institucioneve të shikojë mundësinë më të mirë të mundshme që në kuadër të mundësive buxhetore të jepen përgjigjet, por nuk duhet të krijohet një model që mund të rrezikojë stabilitetin e vendit. Unë mendoj se duhet të ketë në bashkëpunim dhe dialog me institucionet e Kosovës, por po e përsëris duhen shikuar mundësitë buxhetore, sepse askush nuk mund të dalë jashtë lëkurës. Është një gjë e keqe që të ketë premtime për diçka që nuk mund të mbulohet.

Intervistoi: Bekim Shehu
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 14.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M11E
  • Data 14.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M11E