1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sejdiu: "Askush nuk është mbi ligjin"

Intervistë ekskluzive e programit shqip të Deutsche Welles me kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu

default

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në bisedë me DW.

DW: Zoti President, ju u takuat deri tani me persona shumë të rëndësishëm të shtetit gjerman. Cilat mesazhe keni marrë prej tyre?

Sejdiu: Është një vizitë shumë e rëndësishme dhe them se është kënaqësia ime e veçantë që të kem takime në nivelet më të larta me udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe natyrisht në të gjitha takimet e deritanishme. Gjermania ka shprehur një mbështetje të fuqishme për Kosovën, një përkushtim të saj për të qenë pjesë e proceseve të mëdha, mbështetje në zhvillime më të shpejta ekonomike dhe natyrisht një garancë e fuqishme në mbrojtjen e qëndrimit të saj se Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur, me integritet të plotë.

DW: Mbështetja e Gjermanisë është e lidhur me disa kërkesa, që kanë të bëjnë konkretisht me procesin e reformave në Kosovë e veçanërisht me luftën kundër korrupsionit. Çfarë i premtuat ju bashkëbiseduesve tuaj në këtë drejtim.

Sejdiu: Kosova është jetësisht e interesuar të luftojë të gjithë fenomenet negative të saj. Janë fenomene të dhimbshme në shoqëritë e tranzicionit dhe veçanërisht tash në shtetin, që sa ka lind. Dhe për ne është shumë me rëndësi që pikërisht edhe fenomeni i korrupsionit të luftohet me gjithë energjitë e mundshme.

DW: A mendoni se kontrolli i shtëpisë së zotit Limaj nga ana e EULEX-it po e dëmton pak a shumë imazhin e Kosovës në perëndim dhe si do të ishte mirë të reagonte zoti Limaj në këtë rast?

Sejdiu: Unë nuk dua të kem paragjykime për raste dhe çështje, të cilat mund të ngrihen në një formë apo në një formë tjetër. Për mua vlen formula: Askush nuk është mbi ligjin. Janë pushtete të ndara dhe ato duhet ta bëjnë punën e vet, flas për gjyqësorin, apo për pjesën e hetuesisë dhe kjo vlen për secilin njeri, pavarësisht. Pra, është me rëndësi që puna e institucioneve të bëhet në mënyrë të ndershme dhe ajo ndershmëri dhe pavarësi e institucioneve të japë të vërtetën për çdo fakt, që mund të ngrihet.

DW: Lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Kohët e fundit kanë dalë disa raporte nëpër media, që flasin se kanë filluar bisedime për çështje teknike, ose janë në planifikim e sipër. Sa të vërteta ka në këto raporte?

Sejdiu: Jemi në fazën jo vetëm të përgatitjes por edhe të kërkesës, që të dinamizohen proceset. Për ne është me rëndësi që pikërisht të jepet një kartë e qartë e detyrave të shtëpisë, siç e quajmë ne, në mënyrë që të kemi sinjale të drejtpërdrejta, se cila ditë çfarë do të kërkojë dhe cila do të jetë pritja kohore ose afati kohor i përmbushjes së tyre. Në mënyrë që Kosova të mos mbetet anash këtyre proceseve, duke filluar me liberalizimin e vizave, por edhe procese të tjera. Sepse do të ishte shumë e padrejtë që të jetë një afat i palimituar, apo fare të mos ketë afat në këtë drejtim. Dhe kërkesa jonë definitive dhe e shprehur është që Kosovës t'i bëhet e qartë se cilat detyra në cilën kohë dhe cila do të jetë gama e tyre e përgjithshme.

DW: E keni fjalën për bisedimet e drejtpërdrejta me Serbinë?

Sejdiu: E kam fjalën në raporte, që kanë të bëjnë natyrisht me liberalizmin e vizave, me komisionin për zgjerim dhe gjithë këto, por natyrisht edhe në procese të tjera.

DW: Sa të gatshëm jeni ju të pranoni ndryshimin e kufijve të Kosovës?

Sejdiu: Ne kemi një Kosovë integrale, të njohur me sovranitetin e saj dhe integritetin nga gjithë vendet, që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Natyrisht se nuk do të pranojmë asnjëherë që trualli dhe trungu i saj të cungohet dhe për ne është e papranueshme absolutisht çdo qasje që mund të ketë për negociimin e çështjet e statusit. Jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë për tema që janë në interes të dy vendeve, e këto janë të shumta: Është ajo e lëvizjes së lirë të qytetarëve, parandalimi i krimit të organizuar, çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, por asnjëherë nuk do të bisedojmë për tema, që do të cenonin tërësinë integrale të Kosovës e që eventualisht do të ishin rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe në përmasa rajonale.

DW: Kjo kërkon që serbët e Kosovës të integrohen në jetën politike të Kosovës, një temë që e ceku edhe ministri Westerwelle në bisedën me ju.

Sejdiu: Serbët e Kosovës e kanë prosperitetin e vet në Kosovë, Kosova është e gatshme të përmbushë të gjitha obligimet ndaj qytetarëve të saj dhe një kujdes të veçantë ndaj komuniteteve, sikur është edhe komuniteti serb.

DW: Kohët e fundit ka dalë prapë në skenë UÇK-ja, që ka marrë përsipër autorësinë për ngjarjet e Bllacës. Sa të rrezikuara i shihni marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni?

Sejdiu: Është çështje e organeve, që merren me sigurinë që të japin përgjigjen e drejtpërdrejtë. Për ne është me rëndësi që të ndërtohen raporte të mira dhe stabile mes vendeve fqinjë e këtu hyjnë edhe raportet me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, por edhe me Serbinë, pse jo?

DW: Në qershor do të zhvillohet një konferencë ballkanike në Sarajevë. Si do të prezantohet Kosova?

Sejdiu: Natyrisht se Kosova do të pranojë të shkojë në takim e e prezantuar njësoj sikur dhe të tjerët, asgjë më pak. Do të ishte për ne një nder i veçantë që të jemi pjesëmarrës të rregullt në takimet rajonale, të japim kontributin tonë për ato çështje, për të cilat jemi përgjegjës, por Kosova nuk do të pranojë asnjëherë që të ketë ndonjë cilësi tjetër në këtë tavolinë.

Intervistoi: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 06.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NGYw
  • Data 06.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NGYw