1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sejdiu anulon vizitën në Maqedoni

Presidenti Sejdiu tha se e ka pranuar ftesën zyrtare nga Maqedonia, por vetëm një ditë para vizitës ai nuk dukej i sigurtë, nëse vizita do të realizohej siç e parasheh protokolli shtetëror për vizita presidentësh.

default

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, anulon vizitën në Maqedoni, sepse pala maqedonase nuk është e gatshme ta presë me ceremoni zyrtare presidentin e Kosovës. Megjithë anulimin e kësaj vizite në Maqedoni presidenti Fatmir Sejdiu thotë se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e veçmas me fqinjët duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze, që e meritojnë. Analistët e pavarur mendojnë se raportet Kosovës me Maqedoninë janë të ndërtuara mbi bazën e paragjykimeve nga e kaluara dhe kjo sipas tyre është ajo, që këto dy vende nuk po mund të përmirësojnë raportet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike.

Presidenti Sejdiu anuloi vizitën në Maqedoni, sepse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare. Me 13 maj presidenti Sejdiu pati marrë ftesë nga presidenti i kësaj republike George Ivanov, që të vizitojë Maqedoninë dhe që vizita te realizohej për datën 28 maj.

“Mund t´u them se kam pranuar ftesën për vizitë zyrtare ne Republikën e Maqedonisë. Edhe njëherë e përsëris, një vizitë zyrtare në gjithë cilësinë, që duhet të ketë një vizitë zyrtare. Qëndrimi im është shumë i qartë. Çdo lëvizje nga kjo mund të më shtyjë të rishikoj qëndrimin tim", thotë presidenti Sejdiu.

Dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, rishikoi qëndrimin dhe merr vendim, që ta anulojë vizitën në Maqedoni, sepse protokolli i shtetit maqedon ndryshon në momentet e fundit. Vendoset, që presidenti Sejdiu të mos pritet me ceremoni zyrtare, por në një vilë presidenciale në Ohër. Presidenti i Kosovës nuk pranon ta vizitojë Maqedoninë në këtë cilësi dhe shprehet megjithatë se ai dhe institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e veçmas me fqinjët, duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze, që e meritojnë. Analisti i pavarur Driton Lajqi, thotë se mospjesëmarrja e presidentit Sejdiu dy javë më parë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit maqedonas ishte tregues i qartë se në çfarë pike janë raportet Kosovë- Maqedoni.

“Maqedonia nuk ka vullnet politik, që të ketë raporte të mira me Kosovën, mirëpo është e detyruar t'i respektojë kushtet e vëna nga institucionet ndërkombëtare që të sillet konformë rregullave regjionale, që duhet të jetë një faktor stabiliteti në rajon”, thotë Driton Lajqi.

Driton Lajqi, thotë se raportet e Kosovës me Maqedoninë janë të ndërtuara mbi bazën e paragjykimeve nga e kaluara dhe si të tilla është vështirë të përmirësohen shpejt.

“Është besuar shumë se ka filluar një etapë e re e bashkëpunimit dhe e vlerësimit të drejtë që në momentin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia, mirëpo Maqedonia po dërgon sinjale, që nuk janë të gatshëm, që Kosovën dhe shqiptarët t'i trajtojnë në mënyrë të barabartë”, thotë Driton Lajqi.

Maqedonia e njohu Republikën e Kosovës gjashtë muaj më parë në një moment, që shkonte ne favor të Kosovës, në kohën kur asambleja e përgjithshme e OKB-së, me kërkesë të Serbisë kërkoi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që ta shqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo që nga ajo kohë Maqedonia dhe Kosova akoma nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica





  • Data 28.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hyvk
  • Data 28.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hyvk