1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

S'duhet pasur frikë nga referendumet

5 Nëntor 2011

Paralajmërimi për mundësinë e mbajtjes së referendumit në Greqi ka shtuar frikën në Evropë. Çfarë do të ndodhte në qoftë se grekët me të vërtetë i thonë "jo" paketës së shpëtimit apo dhe vetë euros?

https://p.dw.com/p/135Pp
Nicolas Sarkozy, Angela Markel dhe Giorgos Papandreou.
Merkel, Sarkozy dhe PapandreouFotografi: dapd

Që një popull në referendum mund të thotë edhe "jo", është parë disa herë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Ndër të tjera edhe në vitin 2005, kur bëhej fjalë për miratimin e kushtetutës evropiane. Në shumicën e vendeve mjaftoi që për këtë çështje të vendosin parlamentet, si për shembull në Gjermani. Por në disa shtete u mbajt edhe referendumi. Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, ishte i sigurt se populli do ta mbështet këtë ide: „Për të hyrë në fuqi, kushtetuta duhet të ratifikohet në të gjitha vendet anëtare. Në disa vende anëtare do të ketë edhe referendume. Nga kjo nuk duhet të ketë frikë askush.“

Vdekja e projektkushtetutës

Gerhard Schröder
Gerhard SchröderFotografi: AP

Në fund kushtetuta u shpall e vdekur, sepse francezët e më pas edhe holandezët i thanë "jo". BE-ja u fut në një krizë të thellë, ndërsa ideja për një kushtetutë të përbashkët u shndërrua në gërmadhë. Pas rënies së pluhurit, shefat e shteteve anëtare të BE-së nisën një iniciativë të re. Në vend të një kushtetute, u propozua miratimi i një marrëveshje, të njohur si marrëveshja e Lisbonës. Ndryshe nga teksti kushtetues, marrëveshja ishte më e ngushtë, me qëllim që të mos ketë problem gjatë miratimit. Në Francë dhe Holandë ajo u miratua pa asnjë problem.

Irlanda thotë "jo"

Problemi lindi në Irlandë, ku 53 % e qytetarëve dhanë votën kundër marrëveshjes. Komisionerit të BE-së Jose Manuel Barroso nuk i mbeti asgjë tjetër veçse të konstatojë: „Si mbështetës i marrëveshjes unë natyrisht, që kam shpresuar një rezultat tjetër. Por ne duhet të respektojmë rezultatin e referendumit."

Megjithatë Barroso ishte kundër ndryshimit të tekstit të bukur të marrëveshjes. Pas presioneve të shumta nga Brukseli dhe qendrat tjera evropiane, qeveria në Dublin ra dakord që të organizojë një referendum të dytë, pasi u bënë disa lëshime të vogla, me të cilat sigurohej neutraliteti ushtarak i Irlandës. Dhe me të vërtetë, referendumi i dytë rezultoi me sukses.

Jose Manuel Barroso
Jose Manuel BarrosoFotografi: picture alliance/dpa

„Faleminderit shumë Irlandë. Kjo është një ditë e madhe për Irlandën dhe Evropën“, tha Barroso.

Referendumet e tilla shumë të rëndësishme janë bërë një gjë e rëndomtë për BE-në. Shefat e qeverive duan t'u ikin pakënaqësive të shumta. Ata nuk janë në gjendje madje as të garantojnë se e kanë të sigurtë shumicën në parlamentet e veta. Kjo u dëshmua së fundi edhe në Sllovaki. Deputetët së pari votuan kundër ombrellës së shpëtimit, ndërsa në raundin e dytë të votimit e mbështetën atë.

Përgjigja "jo" e popullit në referendum është një prej themeleve të demokracisë. Politikanët evropianë kanë përvojat të mjafuteshme me këtë. Por në kohën e krizës ata nuk i kujtojnë me dëshirë rregullat e këtilla.

Autor: Leon Stebe / Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama