1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Schmidt-Necke: Duhet arritur në një rezultat të pakontestueshëm, edhe nëse duhen përsëritur zgjedhjet

Eksperti gjerman për Shqipërinë, Michael Schmidt-Necke mbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, votat e hedhura gabim, dhe rrugët për daljen nga kriza e re politike.

Pamje nga një lokal votimi në Tiranë.

Zgjedhjet lokale në Shqipëri ashpërsojnë krizën politike.

DW: Në Shqipëri është ashpërsuar situata politike. Numërimi i votave në kutitë e gabuara për postin e kryetarit të bashkisë nxori fitues kandidatin demokrat, Lulzim Basha, me 81 vota përparësi. Kjo shkaktoi reagimin e fortë të kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës dhe kryetar opozite, Edi Rama. Ai kishte në numërimin e kutisë së fundit për kryetar bashkie një javë më parë, 10 vota më shumë. Secila palë pretendon se e ka të drejtën me vete. Besimi në institucionet ligjore mungon. Çfarë mund të ndihmojë në këtë rast?

Schmidt-Necke: Nuk do të ishte serioze të vendosje se cila palë në këtë konflikt ka të drejtë. Nga ana tjetër është shumë problematike, kur pas një rezultati zgjedhjesh, kur u bë e njohur fitorja e ngushtë e Ramës, papritur një sasi letrash që janë ndodhur në kutitë e gabuara të përmbysin rezultatin. Ka mundësi të ketë ndodhur kështu, por prapë ka vend për dyshime. Pra është e qartë që klima e mosbesimit mes qeverisë dhe opozitës rritet. Këtë vit kemi parë përshkallëzim masiv të situatës politike. Që në këtë moment ishte e qartë se zgjedhjet lokale do të ishin më problematike se të shkuarat.

DW: Situata ligjore për votat në kutitë e gabuara në Shqipëri nuk është e qartë. Ligji shqiptar shprehet qartë se kush mund të quhet votë e pavlefshme, por nuk saktëson se çfarë duhet bërë me votat që ndodhen në kutitë e gabuara. Opozita akuzon për këtë arsye qeverinë e Berishës "për kanibalizëm zgjedhor", pasi për të KQZ, është zëdhënëse e Berishës. Sa e kompromenton ky numërim votash qeverinë Berisha?

Schmidt-Necke: Kjo i kompromenton institucionet në tërësi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndodhet në shënjestër të kritikave nga të gjitha anët, por kjo ka ndodhur edhe më parë. Tani e gjitha kjo bie mbi qeverinë, sepse pala tjetër mendon - pra nëse ka pasur manipulime - se këtu ka pasur dorë qeveria. Nuk dua të pretendoj se ka pasur manipulime, por edhe nuk mund ta vë dorën në zjarr se nuk pasur ndonjë manipulim. Për fat të keq Berisha ka një të shkuar jo edhe aq të qartë, sa i përket ndikimit në zgjedhje, po të kujtojmë zgjedhjet e vitit 1996. Por në këtë moment duket se topi ka kaluar në anën e ndërkombëtarëve apo tek ODIHR-i, që deri më tani ka thënë se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë transparente, por klima zgjedhore u përcaktua nga mosbesimi mes partive. Por mbi numërimin e votave në kutitë e gabuara nuk është shprehur.

DW: Çfarë bëhet në Gjermani me votat që janë hedhur në kutitë e gabuara në zgjedhje, nëse kemi dy apo më shumë kuti votimi?

Schmidt-Necke: Në Gjermani rezultatin e zgjedhjeve do ta kishim brenda mbrëmjes së të njëjtës ditë dhe madje preciz. Sigurisht është e mundur edhe tek ne që rezultati të jetë kaq i ngushtë, saqë duhet riparë dhe kjo do të thotë rinumërim në ato minibashki ku rezultati nuk është i qartë- dhe po qe se ka pasur vota të hedhura gabim atëherë nuk shoh rrugë tjetër vetëm që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë ndikimin e saj që në ato zona që janë të diskutueshme të rivotohet.

Lidhur me gabimet, kjo është e vështirë, sepse tek ne në Gjermani normalisht votohet në një kuti, dhe votimi rajonal është çështje landesh. Fleta e votimit është e shenjuar shumë qartë tek ne, dhe komisionet e votimit janë të vëmendshëm që votat të hidhen në vendin e duhur. Nuk di saktë se ç'parashohin ligjet zgjedhore në veçanti,

DW: Në Shqipëri nuk ka qenë ndonjëherë e vetëkuptueshme që humbësi i zgjedhjeve të pranojë humbjen. Si e kuptoni ju këtë si njohës i Shqipërisë, me çfarë lidhet kjo?

Schmidt-Necke: Kjo të bëjë sigurisht me atë që Shqipëria ka një traditë shumë të dobët demokracie, si demokraci parlamentare. Që nga krijimi si shtet gati ka njohur vetëm sisteme ose autoritare ose diktatoriale, gjë që sjell që një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare ka një qëndrim refuzues ndaj shtetit, sepse shteti është perceptuar si një instrument represioni dhe jo si formë e organizimit të të gjithë shoqërisë. Për fat të keq kjo nuk ka ndryshuar shumë pas vitit 1990. Shoqëria shqiptare është shumë e polarizuar në kampet e majta dhe të djathta, ku nuk ka dallim mes programeve politike.

Me zgjedhjet lidhet edhe një qëndrim pritës i anëtarëve e përkrahësve të një partie. Pra po qe se fiton partia ime, edhe unë fitoj diçka, një post në administratë, një administratë lokale që drejtohet nga partia ime do të më favorizojë kur të shpërndahen tenderat. Pra me fitoren lidhet shumë më tepër se një interes demokratik, pra çështja se kush do të drejtojë administratën në një qytet të madh si Tirana, për shumë njerëz është një komponente e qartë materiale.

DW: Shenjat në Tiranë janë për një kurs konfrontimi, që nuk dihet se ç'udhë do të marrë, së paku opozita paralajmëron revolta. Si mund të gjendet zgjidhja në këto kushte, me qëllim që të mos rrezikohet procesi i integrimit evropian të vendit?

Schmidt-Necke: Nuk shoh për momentin një zgjidhje afatshkurtër. Për mua zgjidhja qëndron tek ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve, që në ato minibashki ku ka pasur probleme të përsëriten zgjedhjet, nën një vëzhgim më të fortë ndërkombëtar, që rezultati për humbësin, kushdoqoftë ky, të mos jetë i kontestueshëm. Po qe se nuk bëhet rivotim atëherë mendoj se Shqipëria shkon drejt një konfrontimi më të ashpër, dhe se si mund të zgjidhej ky pastaj, për këtë për fat të keq më mungon tani fantazia.

Intervistoi: Lindita Arapi

Redaktoi: E.Xhani