1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Schmidt-i qeverisi kundër frymës së kohës

Helmut Schmidt-i konsiderohej një socialdemokrat i një lloji të veçantë. Ai kishte parime, të cilat i mbronte në veprimtarinë politike edhe kundër partisë së tij, SPD. Heinrich August Winkler për të në bisedë me DW.

DW: Helmut Schmidt-i konsiderohej si kancelar që qeverisi kundër frymës së kohës. Madje edhe kundër shumë pjesëve të partisë së tij, SPD. Si shpjegohet reputacioni, popullariteti dhe autoriteti i tij po të kemi parasysh këto?

Heinrich August Winkler: Helmut Schmidti- kishte parime të forta, të cilave u përmbahej, dhe kur e kishte konstatuar diçka si të drejtë, ai edhe luftonte për të, edhe kur në kampin e vet politik kishte rezistenca masive dhe protesta. Ai para së gjithash u konfirmua si një "njeri i veprave". Në krizën ekonomike botërore, e cila filloi me shokun e çmimit të naftës në vitin 1973, ai e nxorri Gjermaninë në një mënyrë të tillë nga kriza, që solli admirim, edhe jashtë Republikës Federale Gjermane. Me Giscard d'Estaing ai ishte njëri nga themeluesit e takimeve të botërore të nivelit të lartë për ekonominë, të cilat nisën në vitin 1974, me atëherë gjashtë fuqi të mëdha perëndimore të industrializuara. Pastaj në krizën e terrorizmit, në krizën e aksioneve terroriste të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe, ai i vuri në pikëpyetje postin, kur pas rrëmbimit të Presidentit të Shoqatës së Punëdhënësve, Hanns-Martin-Schleyer, u rezistoi të gjitha përpjekjeve për presion të terroristëve të majtë. Na kujtohet sa fort i mishëroi ai atëherë interesat shtetërore të Republikës Federale Gjermane. Ai ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nga posti, po të kishte dështuar atëherë aksioni i lirimit të pengjeve në Mogadishu, në avionin e rrëmbyer të Lufthansas. Së fundi ai mbrojti në konfliktin për kërcënimin ushtarak të Republikës Federale Gjermane nga raketat sovjetike me rreze të mesme veprimi, një linjë të tillë, e cila bëri që në fund ndaj Perëndimit dhe Republikës Federale Gjermane të mos funksiononte shantazhi. Kjo është një meritë historike, e cila e radhit Schmidt-in edhe ndër bababallarët e ribashkimit të Gjermanisë. Ai dha kontributin e tij, që Bashkimi Sovjetik dështoi në përpjekjen e tij për të ushtruar presion ndaj Republikës Federale Gjermane dhe pengoi që Gjermania të ndahej nga Perëndimi. Këtu ai pati me të vërtetë pozicionin më të vështirë brenda partisë së tij.

Heinrich August Winkler

Heinrich August Winkler

Çfarë ishte socialdemokrate te Kancelari i pestë federal i Gjermanisë?

Helmut Schmidt-i e konsideronte për arsye të forta historike Partinë Socialdemokrate partinë e vetme që e mbrojti deri në fund demokracinë e parë gjermane, Republikën e Vajmarit. Ai kishte edhe një koncept të qartë për përgjegjësinë sociale përballë atyre që janë vërtet në hall. Ai kishte një koncept të drejtësisë sociale, të cilin ishte i gatshëm ta modernizonte herë pas here. Ai nuk donte një drejtësi sociale në kuptimin e një proteksionizmi brenda vendit, në kuptimin e ruajtjes së të drejtave sociale me çdo kusht. Ai ishte i gatshëm padyshim që të shtronte herë pas here pyetjen, a është përfytyrimi ynë për drejtësinë sociale në gjendje t'i rezistojë edhe presionit të konkurencës. Ai kishte veç kësaj përfytyrime të qarta për nevojën e vendosjes së kushteve kuadër nga shteti, duke pranuar si parim bazë lirinë e sipërmarrjeve. Në këtë pikë, në fillim të viteve '80 rezultuan edhe dallime me partnerin e koalicionit, partinë liberale FDP. Dhe kur kjo parti kaloi pastaj gjithnjë e më shumë në një kurs konfrontimi me SPD në politikën ekonomike dhe sociale, në krizën vendimtare ai ishte edhe në gjendje që ta evidentojë përgjegjësinë e FDP-së për prishjen e koalicionit të 1982-it, duke përgatitur edhe një largim të lavdishëm nga posti i Kancelarit Federal, gjë që i solli atij prestigj të ri.

Prof. Heinrich August Winkler bën pjesë në historianët e rëndësishëm aktualë të Gjermanisë. Një nga fushat specifike të kërkimeve të tij janë studimi i lëvizjes punëtore si dhe historia e SPD-së.

DW.COM