1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Schmidt-Eenboom: Një skandal i pastër

Sipas informacioneve në medie Prokuroria Gjermane po heton ndaj një punonjësi të BND, që mendohet se ka spiunuar për SHBA-në. Eksperti i shërbimeve sekrete Schmidt-Eenboom shpjegon çfarë e bën kaq të veçantë këtë rast.

DW: Një bashkëpunëtor 31-vjeçar i shërbimit informativ gjerman BND duket se ka spinuar për llogari të SHBA. A është kjo e zakonshme në biznesin e shërbimeve sekrete apo kemi të bëjmë me një skandal të mirëfilltë?

Erich Schmidt-Eenboom: Kemi të bëjmë me një skandal të mirëfilltë. Ne jemi në një situatë ku në shërbimin informative gjerman agjentët amerikanë në Gjermani nuk shihen si shërbime sekrete kundërshtare, atyre madje iu pranohet një lloj spiunazhi në Republikën Federale por që një punonjës i BND të angazhohet nga një organ kushtetues kjo është një shkelje e padëgjuar e kufijve dhe bashkëpunimit mes shërbimeve sekrete.

Nëse dyshimet rezultojnë të vërteta, çfarë pasojash do të ketë kjo sipas jush në raportin gjermano-amerikan?

Plani politik do të rëndohej padyshim jashtëzakonisht. Tek shërbimet informative pres një reflektim profesional që thotë: shërbimet informative veprojnë kështu dhe pas një kohe pezmatimi i rikthehen punës normalisht.

Punonjësi duket se është angazhuar në mënyrë specifike për punën e Komisionit hetimor për NSA-në. Cilat informacione mund ta interesojnë në këtë kuadër në mënyrë të veçantë SHBA?

Erich Schmidt-Eenboom

Erich Schmidt-Eenboom

Ka një numër informacionesh. Nga njëra anë ata duan të sigurohen se do të marrin vesh gjithçka çfarë Edward Snowden i thotë Komisionit, edhe në mbledhje të fshehta. Pastaj duan natyrisht të dinë në ç'masë BND informon parlamentarët gjermanë për bashkëpunimin e klasifikuar sekret mes BND dhe SHBA. Në përgjithësi bëhet fjalë për të mësuar sa më të shumë të jetë e mundur për nivelin e informacioneve që ka Komisioni në mënyrë që të merren masa përkatëse mediatike për raportin përfundimtar të tij.

A do të influencojë ky rast edhe punën e Komisionit?

Komisionit sigurisht që kjo nuk i erdhi e papritur. Ai gjithnjë ka supozuar se ka një interes të madh të shumë shërbimeve sekrete të huaja, jo vetëm të SHBA, për punën e tij. Këshilla për Komisionin është që në të ardhmen përfaqësuesit e autoriteteve që gjithsesi kanë një influencë të madhe në këto komisione, të përjashtohen të paktën nga seancat jopublike.

Fillimisht u dyshua se punonjësi spiunonte për rusët. Dhe kjo duket se nuk sqaruar ende plotësisht. E konsideroni të mundshme që ai gjatë marrjes në pyetje ka dashur të japë një pistë të rreme me NSA-në?

Këtë nuk e besoj pasi mund të kontrollohet. Sigurisht që në biznesin e shërbimeve informative ekziston mundësia që njerëzit të rekrutohen nga palë që japin identitet të rremë. Kjo do të thotë se atyre u sugjerohet që punojnë për një shërbim amerikan, por ata që ia thonë, vijnë nga shërbimet ruse. Edhe kjo është e imagjinueshme në këtë biznes.

Si i rekruton BND punonjësit e tij? Kemi të bëjmë me një procedurë klasike aplikimi apo ndiqen procedura të tjera?

Ndërkohë procedura është klasike. Vendet e punës shpallen, ka kandidatë dhe këta kandidatë përpara marrjes në punë natyrisht i nënshtrohen një kontrolli sigurie, pikërisht për t'u siguruar se nuk punojnë për shërbime kundërshtare.

Cilat janë mekanizmat e BND për mbikqyrjen e punonjësve të vet?

Shihen problemet në sjellje si alkooli, varësia nga loja, borxhet dhe të tjera të këtij lloji, shihen marrëdhëniet familjare në shtete kritike, kontrollohet karakteri, karriera dhe merret mendimi i personave të referencës për të krijuar një pamje të qartë të personit dhe të mos vlerësohen vetëm rezultatet objektive të punës.

Cilat janë dënimet që kërcënojnë në Gjermani një spiun që zbulohet?

Kjo varet nga përmasat e aktivitetit të spiunazhit. Meqenëse në këtë rast bëhet fjalë për përgjimin e një organi kushtetues, pres të ketë dënim të rëndë. Kjo do të thotë shumë vite burg ose liri me kusht.

A është ky një rast i veçantë apo ka pasur raste të tilla edhe në kaluarën?

Spiunazh amerikan në Republikën Federale ka pasur gjithnjë në fushën politike, ushtarake dhe shoqërore. Kjo sigurisht nuk është ndjekur penalisht por është pranuar. Një rast kaq të rëndë që një punonjës i shërbimit informativ gjerman të spiunojë një organ kushtetues nuk ka pasur kurrë.

Erich Schmidt-Eenboom është publicist dhe specialist në studime për paqe. Prej vitesh ai merret intensivisht me punën e shërbimeve sekrete dhe ka shkruar për këtë libra dhe artikuj të shumtë.