1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Schmidt: Duhen negociata serioze mes Kosovës dhe Serbisë

Problemi i veriut të Kosovë nuk mund të zgjidhet pa vendosmërinë e të gjitha vendeve të BE-së dhe vetë palëve në konflikt. Mitrovica për Beogradin vetëm një instrument. Intervistë me Fabian Schmidt, njohës i Ballkanit

Fabian Schmidt, ekspert për Ballkanin

Fabian Schmidt, ekspert për Ballkanin

DW: BE hapi dyert për Serbinë duke i dhënë statusin e kandidatit për anëtarësim. Por ky vendim pati edhe kushtin që data për fillimin zyrtar të bisedimeve do të caktohet kur të jenë normalizuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Si e vlerësoni ju këtë hap të Komisonit Europian?

Schmidt: Unë e shoh kështu këtë vendim të BE-së për Serbinë: Nga njëra anë KE i BE-së natyrisht shpreson që duke i dhënë statusin e kandidatit, Serbisë, ajo do të jetë më e gatshme për të filluar një proces të negociatave serioze me Kosovën. Por çfarë do të thotë kjo? Pra ç'do të thotë negociata serioze me Kosovën. Problemi është se nëse Kosova dhe Serbia nuk njohin njëri-tjetrin si shtete, mund të sjellin një situatë shumë të ngjashme si me Qipron.

Edhe në Qipro BE ka bërë një gabim sepse duke pranuar Qipron në Bashkimin Evropian pa zgjidhur problemin me të dyja pjesët e ishullit që do të thotë se tani qeveria e pjesës greke flet në emër të qytetarëve në anën turke dhe kjo natyrisht nuk është një zgjidhje. Natyrisht që edhe Kosova si shtet mund të kërkojë anëtarësimin në BE, por si mund ta kërkojë këtë gjë apo procesin e asocim-stabilizimit kur vetë Kosova nuk është njohur nga shumë vende të BE-së? Ky është një ngërç, i cili nuk mund të zgjidhet pa një vendosmëri të fortë të Bashkimit Europian që do të thotë të të gjithë vendeve të BE-së, që hapi i parë duhet të jetë njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Përndryshe nuk do të ketë asnjë presion ose asnjë mundësi për t'i bërë presion Serbisë për të njohur Kosovën, Dhe pa njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit, si mund të normalizohen marrëdhëniet.

DW: Ky hap i BE-së zoti Schmidt vjen në një kohë kur situata në veriun e Kosovës është kthyer në një mollë sherri. Secila palë pretendon se ka të drejtë, pra si Beogradi ashtu edhe Prishtina. A mund të ketë një zgjidhje që do të sillte ndërkohë edhe paqen, sepse siç shkrujanë gazetat gjermane, zhvillimet e fundit në veri treguan se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka përfunduar.

Besueshmëria mes palëve luan rol nëarritjen e një zgjidhjeje

Schmidt: E qartë është që Mitrovica për Beogradin është një instrument pikërisht për të mos e zgjidhur çështjen e Kosovës, sepse në veriun e Mitrovicës ose në këtë pjesë të Kosovës veriore jeton një shumicë qytetare që nuk e njohin Kosovën si shtetin e tyre dhe nëse kjo situatë vazhdon duket se nuk do të jetë një zgjidhje e lehtë, Beogradi gjithmonë mund të arsyetojë mosnjohjen e Kosovës pikërisht me këtë problem. Në thelb dy shtetet sovrane kanë të drejtë të negociojnë edhe për kufijtë midis tyre. Pra në thelb ata kanë të drejtë. Problemi është a ka një besueshmëri mes dy palëve apo jo, pra duhet të zhvillohen negociata serioze me këtë frymë besueshmërie për të arritur në një zgjidhje. Zgjidhja duhet të ketë qoftë për të drejtat e minoriteteve, pra të pranohet që serbët në Kosovë kanë të drejtat e tyre si minoritet, që janë në nivel shumë më të lartë dhe po ashtu duhet që edhe qytetarët e veriut ta pranojnë që janë qytetarë të Kosovës. Por edhe Kosova vetë duke pranuar që ka një minoritet në veri, por që është armiqësuar me të gjithë Kosovën, mund të arrijë edhe në një pozitë që duhet të shtrojë pyetjene nëse i duhet ky minoritet? Pra mund të shtrohet pyetja se a na duhen ata njerëz dhe a është e nevojshme pjesa veriore e Kosovës për shtetin tonë? Natyrisht që kjo çështje është shtruar në tryezën e bisedimeve, por kam drojë se një kompromis ose nuk është i mundshëm, ose është shumë i vështirë sepse komunikimi, negociatat në një farë mënyre nuk zhvillohen realisht dhe ky është i pamundur për shkak të pozitës së bashkësisë ndërkombëtare, sipas së cilës nuk mund të ketë ndarje të Kosovës, për shkak të precedencës për Bosnjën dhe Hercegovinën ose për raste të tjera. Por edhe për arsye që serbët nuk mund të heqin dorë nga pretendimi që Kosova është Serbi si dhe për aspektet e dogmatizmave që janë prezent dhe që natyrisht janë pjesë e kulturës politike tani, që e ka të vështirë të flasë pa paragjykim. Për këtë arsye nuk jam shumë optimist që negociatat mund të zgjidhnin diçka. Po ashtu mendoj se duke mos pasur negociata serioze, procesi i integrimit mund të përfundojë në qorrsokak.

Pyetje: Me premtimin e BE-së për ta bërë Serbinë anëtare të saj, ndoshta është më e lehtë edhe zgjidhja e problemit të veriut, apo jo?

Duhet të ketë edhe pragmatizëm për të arritur tek paqja

Schmidt: Pyetja është: A është premtimi i anëtarësisë aq i fortë sa që të gjitha palët të ulen dhe të thonë: Mirë ne jemi në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian. A jemi gati të sakrifikojmë disa nga parimet të cilave u jemi përmbajtur deri tani për arsye të besimit, për arsye politike, ideologjike për arsye strategjike. A jemi gati të sakrifikojmë, të heqim dorë nga pretendimet, kërkesat tona sepse këtu është rreziku edhe i ruajtjes së prestigjit në këtë proces si dhe dhe kush e udhëheq shoqërinë serbe në këtë drejtim apo shoqërinë kosovarë në atë drejtim. Përshembull të dilte një lider serb dhe të thoshte: Po do ta njohim Kosovën si shtet. Ose një lider i Prishtinës që të thoshte: A është vërtet e nevojshme pjesa veriore për ne? Nuk them që kjo duhet të jetë zgjidhja dhe nuk them që është kjo e vetmja zgjidhje, por dua të them që duhet të ketë një nivel shumë të lartë të pragmatizmit në negociata dhe ky pragmatizëm nuk besoj që ekziston tani.

DW: Po Bashkimi Europian a mund të influencojë në zgjidhjen e këtij problemi?

Schmidt : Bashkimi Europian nuk mund ta zgjidhë problemin. Problemin mund ta zgjidhin vetëm ata që jetojnë aty, që do të thotë qytetarët e Kosovës, të Mitrovicës, qytetarët e Serbisë dhe përmes udhëheqësve të tyre mund ta zgjidhin këtë problem. Bashkimi Europian mund të pezullojë konfliktin kur ai përkeqësohet.

DW: Po përmes dialogut që është inicuar nga vetë BE-ja a mund të arrihet një kompromis?

Dhënia e statusit si kandidate Serbisë pë në BE - simbolike

Scmidt: Me dialogun që ka inicuar Bashkimi Europian, është arritur që njerëzit flasin me njëri-tjetrin dhe kjo ndoshta është më e rëndësishmja në këtë moment. Unë mendoj se vendimi i Komisionit Europian për dhënien e statusit si kandidate Serbisë për në BE, është më shumë një hap simbolik se sa një hap më pranë Bashkimit Europian, sepse simbolizon shpresën për shoqërinë serbe që do të thotë se BE-ja është gati për t'ju pranuar në familjen e vet, por ju keni përpara detyrat që duhet t'i zgjidhni. Natyrisht që është mundësia për të arritur në një zgjidhje. Mund të përmend këtu faktin historik se si Gjermania dhe Polonia arritën të vendosin një marrëveshje themelore, mbi bazën e së cilës Gjermania e ka pranuar që kufiri i Gjermnanisë është në lumin Oder, çka do të thotë që Gjermania e ka humbur pas Luftës së Dytë Botërore një pjesë të territorit të saj. Dhe kjo u bë për hir të paqes, për shkak të pranimit nga ana gjermane që një shtet ka vepruar në mënyrë kriminele ndaj një vendi fqinjë. Dhe për këtë mund të pranojë edhe humbjen e një pjese të territorit. Këtë Gjermania e ka pranuar me marrëveshjen themelore midis Polonisë dhe Gjermanisë në vitet 70'. Natyrisht procesi politik nuk ishte i lehtë për t'u realizuar. Por në fund të fundit e kanë arritur politikanë të tillë si Vili Brand, që u treguan të gatshëm për të firmosur një marrëveshje të tillë. Ndoshta edhe në rastin e Kosvës në të adhmen mund të ketë një shpresë për një kompromis paqësor mes palëve.

DW: Konkretisht si mund të jetë kjo në rastin e Kosovës?

Schmidt: Nëse Serbia është vërtet gati për një hap të tillë, për një njohje ndërkombëtare, për një përcaktim kufijsh me Kosovën dhe vetë Kosova është gati për të rënë dakord për një përcaktim kufijsh të rinj me Serbinë, askush nga Bashkimi Europian ose nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të thotë jo. Sepse nëse bëhet në mënyrë paqësore përmes negociatave dhe nëse procesin e mbështesin shumicat e popullsisë, që do të thotë nëse parlamenti i Kosovës dhe parlamenti i Serbisë bien dakord për një marrëveshje të tillë, unë mendoj që ky do të ishte një hap i dy shtetve sovrane, që e njohin njëri-tjetrin. Kjo do të ishte legalisht e mundshme, por unë nuk e di nëse politika është e gatshme për këtë, pra politika e Kosovës dhe ajo e Serbisë. Kjo varet nga dy shtetet.

Intervistoi Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora