1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sarrazin në Tiranë: Prioritet reforma në drejtësi

Manuel Sarrazin, deputet i të Gjelbërve, anëtar i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian në Bundestag viziton Shqipërinë. Për DW ai flet mbi procesin e reformave në Shqipëri në kuadrin e integrimit drejt BE-së.

DW: Zoti Sarrazin cili është qëllimi i vizitës suaj në Tiranë?

Manuel Sarrazin: Nuk është hera e parë që përfaqësues apo delegacione nga Bundestagu vijnë për vizita pune në Shqipëri, në kuadër të marrëdhënieve mes dy institucioneve. Në cilësinë dhe të anëtarit të Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian në Bundestag, interesi është edhe në zhvillimet që lidhen me procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe në ecurinë konkrete në këtë aspekt nga ana Shqipërisë.

DW: Në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë janë artikuluar qartë pesë prioritete, si kusht për ecjen përpara të procesit. Sipas optikës suaj, në cilat aspekte Shqipëria ka bërë përpara? Cilat mbeten sfidat për plotësimin e këtyre kushteve?

Manuel Sarrazin: Ecuria e reformave, e plotësimit të objektivave janë në fokus dhe në vëzhgim të kujdesshëm nga ana e institucioneve evropiane. Mund të thuhet se ka progres në disa aspekte, por për momentin mund të them se në top të detyrimeve për vendin, objektivi më specifik lidhet me realizimin e reformës në drejtësi. Për këtë është punuar dhe po vijohet nga palët, ndërkohë që janë të qartësuara edhe mendimet e vlerësimet e ndërkombëtarëve mbi çështje të caktuara të kuadrit ligjor. Janë bërë hapa të mëdhej përpara, por ajo që është prioritare aktualisht është finalizimi i procesit, që hap rrugë fazës së zbatimit të reformës.

DW: Ju gjendeni aktualisht në Tiranë në një moment kur ka tension mes dy grupimeve kryesore politike. Deputetët e opozitës njoftuan të premten e kaluar, se nuk do të mund të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit, pa u plotësuar të paktën tri kushte që ata kanë vendosur. Do të jetë kjo çështje e diskutimeve gjatë takimeve me politikanët shqiptarë?

Manuel Sarrazin: Në çdo vend që shkojmë kontaktet tona nuk janë vetëm me autoritetet qeveritare, por edhe me grupimet politike opozitare, apo me përfaqësues të shoqërisë civile. Parlamenti gjerman, por dhe unë personalisht jemi në kontakt me zhvillime të ndryshme të rëndësishme, dëgjojmë nga të gjitha palët komente dhe argumentet, që ata kanë mbi këto zhvillime. Na ka qëlluar që të jemi këtu në një atmosferë të ndezuar mes mazhorancës dhe opozitës, në diskutime të nxehta mbi çështje të ndryshme. Konkretisht nuk jam në gjendje të bëj një vlerësim se cili ka apo nuk ka të drejtë në këtë debat. Nuk mund të përfshihem në një pozicion të tillë, sepse gjithnjë ka tensione mes shumicës dhe opozitës, dhe cilido parlamentar gjerman nuk mund të vendosej në rolin për të gjykuar se cili ka të drejtë dhe cili e ka gabim.

DW: Po t'i kthehemi asaj që ju përmendët si prioritet, reformës në drejtësi. Për këtë objektiv që lidhet drejtëpërdrejtë me procesin e integrimit evropian. Shumica dhe pakica parlamentare nuk janë dakordësuar ende për disa nga çështjet kryesore të kësaj reforme. Mendoni se të dyja palët do të arrijnë ta finalizojnë procesin?

Manuel Sarrazin: Unë mendoj se çështja e parë dhe më e rëndësishme e reformës në drejtësi mbetet përmbajtja. Sa unë kam informacion dhe sa unë kam konstatuar, palët janë të angazhuara dhe kanë bërë hapa përpara në këtë drejtim. Palët në proces mendoj dhe besoj se do të mbeten të interesuara që ta shtyjnë përpara procesin. Nuk kam dijeni për detaje dhe elemente të caktuara mbi çështje që janë në diskutim e sipër nga ana e qeverisë, grupeve politike dhe ekspertëve, por thelbësore mbetet përmbajtja e kuadrit legjislativ. Të bëj një footnote: kam ndjesinë se mes palëve kryesore do të ketë arritje tek marrëveshja për ato aspekte që janë ende në fazën e diskutimit.

DW: Zoti Sarrazin, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ekziston problemi i azilkërkuesve. Mendoni se ky fenomen do të detyrojë Gjermaninë dhe vendet anëtare të BE-së që të shkojnë në rivendosjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë që do të duan të lëvizin në zonën Schengen?

Manuel Sarrazin: Nuk e pranoj këtë. Nuk mendoj kështu.

DW: Konkretisht fenomeni ekziston, përbën shqetësim…

Manuel Sarrazin: Unë nuk mendoj se zgjidhja do të ishte rivendosja e vizave. Personalisht kam besim se zgjidhja është dhe duhet të gjendet në alternativa të tjera. Nuk mund të rikthehemi tek regjimi i vizave për qytetarët shqiptarë. Nuk mendoj kështu.