1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sarkozy pro zgjerimit global të energjisë atomike

Industria nukleare franceze luan në Ligën e Parë Botërore dhe sheh një potencial të madh rritjeje sidomos jashtë vendit. Për këtë po angazhohet aktualisht fuqishëm edhe vetë presidenti Sarkozy.

Nicolas Sarkozy

Nicolas Sarkozy

Pavarësisht se ku ndodhet, në Kinë, Indi apo në Lindjen e Mesme, presidenti i Francës Nikolas Sarkozy nuk e ka problem që të paraqitet si "përfaqësues tregtar" i ekonomisë bërthamore franceze. Që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2007 ai angazhohet për përhapjen e teknologjisë atomike. Ai nuk ka frikë të merret hapur me këtë çështje: dhe ka lidhur kështu marrëveshje bashkëpunimi në fushën atomike jo vetëm me Sirinë por edhe me Libinë.

Nga dita e hënë (08.03.) ai është mikpritës i një konference ndërkombëtare për shfrytëzimin civil të energjisë bërthamore. Ai kërkoi ndihma financiare ndërkombëtare për projektet atomike në vendet në zhvillim, nga të cilat mund të përfitojë edhe vendi i tij.

Nikolas Sakozy u shpreh në konferencë me fjalë të qarta. Bota, tha ai në hapje të konferencës në Paris ka nevojë për një rilindje të energjisë atomike: "Shfrytëzimi paqësor i energjisë bërthamore është nga pikëpamja franceze një lëndë ngjitëse e solidaritetit ndërkombëtar. Secili ka nevojë për tjetrin për të ecur përpara."

Central atomik, Tricastin Francë

Central atomik, Tricastin Francë

Këto fjalë u dëgjuan me kënaqësi nga lobiistët e industrisë bërthamore franceze po ashtu edhe nga ministrat dhe sekretarët e shtetit të 65 vendeve, që shfrytëzojnë ndërkohë energjinë atomike apo planifikojnë ta shfrytëzojnë atë. Vetëm gjatë dy dekadave të ardhshme në mbarë botën pritet ndërtimi i rreth 450 centraleve të reja atomike. Jordania për shembull ka vite që po përpiqet të gjejë rrugë për mbulimin e nevojave energjetike gjithnjë në rritje. Ky vend nuk ka as gaz e as naftë por ka uranium. Koncerni atomik francez Areva do të hynte me kënaqësi në biznes me Jordaninë, por këtij vendi i mungojnë paratë dhe as Banka Botërore e as Banka Evropiane për Zhvillim nuk jep atij kredi.

"Ky është një skandal. Këto institute ndërkombëtare nuk financojnë projekte atomike civile. Kështu ato dënojnë vendet që të shfrytëzojnë burime energjetike që janë më të shtrenjta dhe që ndotin më shumë ambientin. Punë e bukur!" - tha Sarkozy.

Për presidentin Sarkozy energjia atomike është një energji ekologjike. Por ai nuk flet për dioksidin e karbonit, i cili lirohet gjatë përpunimit të uraniumit. Prandaj ai kërkon që të ardhurat nga tregtia me të drejtat për ndotjen e ambientit në të ardhmen të përdoren edhe për energjinë bërthamore. Dhe në mënyrë që mbarë bota të përfitojë nga arritjet e teknologjike franceze Sarkozy dëshiron që në afërsi të Parisit të hap një shkollë të lartë për energjinë atomike. Kjo për faktin se: "Ne kemi një problem masiv me shkollimin e ekspertëve tanë. Në mbarë botën na mungojnë inxhinierët dhe teknikët e kësaj fushe."

58 centrale bërthamore janë të kyçura aktualisht në rrjetin energjetik francez. Më shumë se çdokund tjetër në Evropë dhe popullsia ka shumë më pak probleme me reaktorët bërthamorë sesa në Gjermani. Megjithatë pikërisht në fillim të konferencës në Paris kundërshtarët e energjisë bërthamore shpërndanë dokumente të Zyrës për mbikqyrjen e sektorit atomik sipas të cilave reaktori i ri që po ndërtohet nga koncerni Areva në Kanalin e Lamanshit paraqet një rrezik të lartë.

Didier Anger nga rrjeti kundër energjisë bërthamore 'Crilan': "Në bazë të informatave që kemi te ky reaktor mund të paraqesë rrezik nga nxehtësia e tepërt. Nëse ndodh një fatkeqësi atëherë reaktori nuk mund të ndalet më".

Shoqata Energjetike franceze "Electricité de France - (EDF)" e hedh poshtë si të pabazë frikën që shfaqin kundërshtarët e energjisë bërthamore. Edhe koncerni Areva i hedh poshtë akuzat. Koncerni atomik përpiqet që gjatë konferencës të vendosë kontakte biznesi me vendet e interesuara për ndërtimin e centraleve bërthamore.

Autor: Christoph Wöß/Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pan

  • Data 09.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MOIF
  • Data 09.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MOIF