1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sarkozy lufton për çdo votë

Nikolas Sarkozi nxiton për t'u rizgjedhur president i Francës. Por sondazhet flasin kundër tij dhe kohë nuk ka, madje as për Sarkozy gjithnjë në nxitim.

Sarkozy shpall kandidaturën për president në televizionin francez

Sarkozy njofton kandidaturën për president në televizionin francez

Ai është përditë i pranishëm në mediat franceze: Herë me një letër drejtuar francezëve, herë në një takim direkt me qytetarët dhe herë polemik në fushatën zgjedhore. Për fjalët e qarta është i njohur francezi me origjinë hungareze dhe greko-hebreje.

Sarkozy dhe fshesa

Nicolas Sarkozy në fushatë elektorale në Villepinte, në lindje të Parisit, 11 mars 2012

Nicolas Sarkozy në fushatë elektorale në Villepinte, në lindje të Parisit, 11 mars 2012

Famë ndërkombëtare Nicolas Sarkozy arriti në qershor 2005. Atëherë ai vizitoi familjen e një djali njëmbëdhjetë vjeçar, që ishte vrarë gabimisht nga një plumb qorr në betejën mes bandave në qytetin La Courneuve, pranë Parisit. Si ministër i Brendshëm ai ishte përgjegjës për sigurinë e brendshme në periferitë e trazuara nga krimi, papunësia, dhe mungesa e perspektivës. Ai premtoi: "Këtu nuk ke fjalë tjetër për të thënë, duhet vetëm të vish të pastrosh me fshesë. Këtu duhet bërë pastrim." Dy muaj më vonë dy adoleshentë nga familje emigrantësh humbën jetën, ngaqë i zuri korenti, duke u fshehur nga policia në një stacion transformatorësh. Si kundërpërgjigje në shumë lagje shpërthyen trazira të dhunshme. Iu vu zjarri shumë makinave. Erdhi ora e politikanit të fortë Nicolas Sarkozy. Ai ishte aty para mediave, kur policia kryente operacione. Dhe këtu ai gjente përsëri fjalë të qarta: "Për ata, që i kanë vënë flakën një autobusi dhe kanë dërguar në spital një foshnjë 18 muajsh, unë them: Se janë llum."

Siguria e brendshme temë e përhershme

Sarkozy si ministër i Brendshëm në La Courneuve pranë Parisit, në vitin 2005

Sarkozy si ministër i Brendshëm në La Courneuve pranë Parisit, në vitin 2005

Më parë Sarkozi, ka qenë nga viti 1983 deri në vitin 2002, kryetar bashkie në periferinë e pasur të Parisit, lagjen Neuilly-sur Seine. Por si ministër i Brendshëm, fillimisht nën kryeministrin Jean-Pierre Raffarin, pastaj - pas një pauze të shkurtër si superministër për Ekonominë dhe Financat - përsëri si ministër i Brendshëm nën Dominique de Villepin, ai mundi të trajtonte temat e tij të preferuara: emigracionin dhe sigurinë e brendshme. "Kush do të jetojë në Francë dhe të përfitojë nga kjo e drejtë qëndrimi, duhet të respektojë ligjin," ishte mesazhi i tij i qartë.

Më 6 Maj 2007 ai u zgjodh për herë të parë president i Francës. Edhe në politikën e jashtme ministri deri atëherë i Brendshëm gjeti linjën e vet. Në vizitën e tij të parë në Berlin, ai deklaroi se nuk ekziston asgjë, për të cilën, pas kaq shumë provave, të mund të sakrifikohej miqësia franko-gjermane.

Në politikën e jashtme

Merkel dhe Sarkozy demosntrojnë me dëshirë miqësinë franko-gjermane

Merkel dhe Sarkozy demosntrojnë me dëshirë miqësinë franko-gjermane

Këtë miqësi franko-gjermane u pëlqen ta demonstrojnë kancelares Angela Merkel dhe presidentit, Nicolas Sarkozy. Gjatë krizës së borxhit të euros lidhja fitoi një forcë të padikutueshme: dueti që duhej ta shpëtonte Europën nga kriza.

Por edhe përtej Evropës Sarkozy u tregua se nuk druhet të marrë vendime në politikën e jashtme. Me këmbënguljen e tij Franca njohu në vitin 2011, si shteti i parë evropian, qeverinë kalimtare libiane. Sarkozi, për dallim nga qeveria gjermane, u angazhua për sulme ajrore mbi Libi dhe për marrjen e masave kundër regjimit të Gadafit. "Sigurisht e ardhmja e Libisë varet nga libianët, Franca nuk do të vendosë në emër të tyre", tha Sarkozy. "Por në qoftë se ne do të ndërhyjmë në anën e shteteve arabe, atëherë në emër të një ndërgjegje universale, që nuk mund të tolerojë krime të tilla", u shpreh presidenti francez.

Popullariteti i "Sarkos" ka rënë

Präsident Nicolas Sarkozy pas atentatit në shkollën heberej në Toulouse

Präsident Nicolas Sarkozy pas atentatit në shkollën heberej në Toulouse

Megjithatë vlerësimet për Sarkozy në sondazhe kanë renë prej kohësh. Sondazhet tregojnë se votuesit janë të interesuar, që si president i ardhshëm të sigurojë vendet e punës dhe sigurimet shoqërore dhe ta vërë nën kontroll krizën ekonomike. Në këtë drejtim me sa duket Sarkozy nuk i ka bindur zgjedhësit. As historitë e lëvizshme të jetës së tij private- së fundi të gruas së tij të tretë, ish-modeles Karla Bruni, dhe vajzës së tij të vogël Giulia - nuk sollën shumë dobi.

Por në mars të vitit 2012 erdhi kthesa e shkaktuar nga atentatet e tmerrshme në Tuluzë dhe Montauban, në të cilat u vranë shtatë vetë, ndër ta tre fëmijë hebrenj dhe një mësues. "Ky është një sulm ndaj Francës", shkruante Sarkozi në "Letrën drejtuar popullit francez" dhe ishte kthyer përsëri në temën e tij të preferuar, në sigurinë e brendshme. Si president ai tregoi aftësi burri shteti në kohët e krizës politike dhe pati sukses. Pak pas atentateve autori i krimit u arrestua. Dhe menjëherë Sarkozi shpalli ligjet e reja kundër terrorizmit. Vlerat e tij në sondazhe u ngjiten përsëri, me sfidantin e tij socialist, François Hollande, ai ndodhet në garë kokë me kokë.

Humbës në balotazh?

Sarkozy nuk mënon së paraqituri veten si burrë i shkathët e aktiv shteti, që sipas mendimit të tij Hollande nuk është. "Vetëm me energji mund të kapërcehen krizat, që Franca ka përjetuar gjatë katër viteve të fundit", këtë do t'ia bëjë të qartë Sarkozi zgjedhësve të tij, edhe në mënyrë patetike: "Franca ka vuajtur, por i ka përballuar krizat, sepse ne kemi vepruar. Palëvizshmëria na ka shkatërruar."

Por fundi i fushatës do të dalë megjithatë në dëm të Sarkozy. Këtë e thonë të paktën sondazhet dhe parashikimet. Ata e shohin Hollande si fitues, më së voni në zgjedhjet e balotazhit më 6 Maj.

Autor: Dafne Grathwohl/A. Verbica

Redaktoi: Aida Cama