1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sarkozy kërkon më shumë kontrolle

Presidenti francez kërcënon në fushatën elektorale me rifutjen e kontrolleve kufitare. Por udhëtimi pa kontrolle pasaportash është sipas "Shengenit" një përparësi qendrore e Evropës.

Tabela e daljes nga Shengeni

Tabela e daljes nga Shengeni

Për ministrin e Jashtëm të Luksemburgut është mbushur kupa me deklaratat populiste të djathta të presidentit francez. Socialdemokrati luksemburgas i quan "vringëllim shpatash në nivelin më të lartë" ato që nxorri nga goja Nikolas Sarkozy para 30.000 mbështetësve në lidhje me politikën e migrimit dhe me marrëveshjen Shengen. Ajo që e zemëron veçanërisht Jean Asselbornin është që presidenti francez Sarkozy dëshiron ta pezullojë përkohësisht Marrëveshjen nëse nuk respektohen të gjitha kërkesat e Francës për një reformë të rregullave të Shengenit.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian në Bruksel bëri të ditur në lidhje me këtë se as Franca, dhe as ndonjë shtet tjetër nuk mund të shkëputen pa e zgjatur nga Marrëveshja e Shengenit. Ndërkohë, rregullat për qarkullimin e udhëtarëve janë pjesë e Marrëveshjeve Evropiane dhe jo më marrëveshje të thjeshta juridike ndërkombëtare midis shteteve. Këtë karakter e kishte ende marrëveshja e parë e Shengenit në vitin 1995. Ai që kërkon të ndryshojë Shengenin, duhet të ndryshojë Marrëveshjet e Lisbonës, bazat juridike të BE. Dhe dihet që kjo mund të bëhet vetëm me miratimin e shteteve të tjera të BE.

Komisarja përgjegjëse për Politikën e Brendshme dhe rregullat e Shengenit në KE, Cecilia Malmström pranoi në vitin 2011, pas një grindjeje midis Italisë dhe Francës për vazhdimin e rrugës së migrantëve ilegalë, se Marrëveshja e Shengenit duhet kapërcyer. Ajo paraqiti në dhjetor një propozim të parë. Por ai u refuzua nga shumë shtete anëtare. Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich (CSU) u ankua se zonja Malmström dëshirojë të ndërhyjë në të drejta sovrane të shteteve. Komisarja suedeze e BE kishte propozuar që kontrollet kufitare duhet të lejohen vetëm pas miratimit nga Brukseli.

Nicolas Sarkozy në Bayonne, jugperëndim i Francës

Nicolas Sarkozy në Bayonne, jugperëndim i Francës

Greqia duhet t'i kontrollojë më mirë kufijtë

Presidenti francez pohon tani në fjalimet e tij elektorale se në Francë ka shumë të huaj. Kjo ka të bëjë me kontrollet e dobëta në kufijtë e jashtëm të BE. Brenda 12 muajsh pas rizgjedhjes së tij eventuale Shengeni duhet reformuar, kërkoi Sarkozy.Kritikat drejtohen para së gjithash ndaj Greqisë, nga kufiri i së cilës me Turqinë vijnë shumica e emigrantëve ilegalë në Evropë.

Kjo kritikë mbështetet edhe nga shtetet e tjera të BE, sic u shpreh së fundi në konferencën e ministrave të Brendshëm të BE.

Por Zyra Evropiane e Statistikave, Eurostat, thotë se pjesa e të huajve në popullatën franceze në shkurt 2012 është 5,8%. Kjo është një shifër më e vogël se mesatarja e BE, 6,5%.

Autor: Bernd Riegert/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica