1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190411 Tschernobyl Geber

19 Prill 2011

I ashtuquajturi sarkofag, që mbulon reaktorët, që shpërthyen në Çernobil e mban të mbyllur materien rrezatuese vdekjeprurëse, duhet rinovuar. Për këtë BE i vë në dispozicion Ukrainës edhe 110 milionë euro shtesë.

https://p.dw.com/p/10wBZ
Centrali bërthamor i Çernobilit
Centrali bërthamor i ÇernobilitFotografi: picture alliance/dpa

Sa më shumë i afrohesh bllokut numër 4 të reaktorëve të Çernobilit, aq më shumë zhurmë bën aparati matës i rrezatimit. Gjilpëra e monitorit, që tregon nivelin e ndotjes, zhvendoset dukshëm. Rrezatimi këtu është 100 herë mbi kufirin normal, thotë specialisti i Greenpeace Heinz Smital. „Rrezatimi nuk vjen këtu nga trualli, por direkt nga reaktori, duke depërtuar betonin disa metra të trashë.“

Izolimi i ri i centralit bërthamor

Ndërtesa të braktisura në afërsi të Çernobilit
Ndërtesa të braktisura në afërsi të ÇernobilitFotografi: DW/K.Percy

Mbulesa prej betoni u ndërtua 25 vjet më parë brenda gjashtë muajsh mbi bllokun e reaktorit të shpërthyer. Me kalimin e viteve vazhdimisht ka qenë e nevojshme të izolohen të çara dhe vrima, përmes të cilave hynin në reaktor uji i shiut dhe i borës së shkrirë. Një konstruksion tubash çeliku, i cili u ngrit mes viteve 2004 dhe 2008, mban tre nga katër muret e rrezikuara nga shembja të sarkofagut të vjetër. Julia Marosiç, nga departamenti për bashkëpunim ndërkombëtar i Çernobilit, e vlerëson shumë konstruksionin mbajtës: „Ky konstruksion do të stabilizojë edhe 15 vjet të tjera mburojën mbrojtëse. Pra kemi edhe 15 vjet siguri dhe pra kohë për të punuar për mbrojtësen e re."

Koha është shumë e nevojshme, pasi punët në projektin gjigant janë më të vështira nga sa pritej. Fillimisht sarkofagu i ri i lëvizshëm planifikohej të ishte gati në vitin 2007. Tanimë flitet për vitin 2015. Sipas ekspertit të Greenpeace për mbrojtjen nga rrezatimi, Heinz Smital, edhe ky afat vështirë se arrihet: „Ndërtimet direkte mbi bllokun e reaktorit nuk janë të mundura, pasi rrezatimi atje është aq i lartë, sa nuk mund të punohet. Pra ndërtohet larg tij, mbi shina. Ky është objekti më i madh i lëvizshëm, që është ndërtuar ndonjëherë në Tokë. Kupola 29.000 tonë e rëndë duhet të vendoset më pas mbi reaktor.“

Deri sot vazhdojnë vetëm punët përgatitore për vendin e ndërtimit dhe rrugët e shinave. Trualli me ndotje shumë të madhe duhet larguar, në mënyrë që punëtorët të mos përballen me rrezik të madh të rrezatimit. „Disa procese kanë rezultuar më të vështira, nga sa është vlerësuar fillimisht. Projekti do të jetë më i shtrenjtë, pasi do të duhet shumë më tepër kohë", thotë Smital.

Kontribut i konsiderueshëm financiar i BE

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso në Kiev me presidentin Viktor Janukowitsch
Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso në Kiev me presidentin Viktor JanukowitschFotografi: dapd

Kostot rriten nga viti në vit. Aktualisht vlera e projektit llogaritet në 1,6 miliardë euro. Që tani bashkësia ndërkombëtare merr pjesë në masë të konsiderueshme në financim, para së gjithash Bashkimi Evropian. Rreziku, që buron nga reaktori, vazhdon të jetë shumë i madh. Sipas vlerësimeve vetëm 5% e lëndës djegëse bërthamore është çliruar gjatë shpërthimit.

„Kjo do të thotë që 95% janë ende brenda dhe aktualisht duket se kjo masë e ngurtë po shpërbëhet gjithnjë e më shumë në pluhur. Kjo do të thotë që kemi një masë shumë të madhe pluhuri radioaktiv, i cili në një farë mënyrë duhet transformuar në masë të lidhur dhe duhet penguar të dalë", shpjegon Smital.

Ukraina shpreson që bashkësia ndërkombëtare e studiesve të angazhohet edhe më tej për zgjidhjen e problemit. Ajo shpreson gjithashtu që shumë vende donatore të ndjekin shembullin e BE-së. Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso, të hënën (18.4.) i premtoi presidentit ukrainas Janukoviç edhe 110 milionë euro. Të martën (19.4.) një numër shtetesh, ndër ta anëtarë të BE-së dhe G-8, prezantojnë në një konferencë në Kiev mbështetjen e tyre për izolimin e ri të centralit bërthamor.

Autor: Christina Nagel/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica