1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sarajevë- Meta: BE mbështetje Shqipërisë dhe Bosnjës për heqjen e vizave

Pjesëmarrja e Kosovës në samitin e Sarajevës, një ngjarje e rëndësishme. Zëri saj u dëgjua si gjithë të tjerët. Procesi i liberalizimit të vizave, i pandalshëm.

Ilir Meta, zevëndëskryeministër dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë

Ilir Meta, zevëndëskryeministër dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë

DW: Zoti Meta, cila ishte arritja më konkrete ose më e prekshme në këtë samit në përgjithësi dhe në veçanti për Shqipërinë?

Ilir Meta: Mendoj se arritja më konkrete për vendin tonë ishte mbështetja që të gjithë përfaqësuesit e lartë në këtë takim të nivelit të lartë në Sarajevë të Bashkimit Europian, por edhe të vendeve të tjera, të SHBA-së, i dhanë propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe për Bonjë-Hercegovinën. Mendoj gjithashtu se vetë organizimi i këtij takimi të nivelit të lartë është një arritje në vetvete, po të kemi parasysh se Bashkimi Evropian kohët e fundit po përballet me një krizë të vështirë ekonomike dhe financiare. Dhe në këtë drejtim, pikërisht në këtë kohë, kjo vemendje që iu kushtua Ballkanit perëndimor nga BE-ja, por edhe nga Shtetet e Bashkuara ishte shumë pozitive për t'i dhënë impulse të reja procesit të ardhshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit perëndimor dhe njëkohësisht të anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Europian.

DW: Zoti Meta, megjithatë duket se kriza politike në Shqipëri ka bërë që në këtë samit të mos deklarohet nga përfaqësuesit e BE-së një afat i përcaktuar, një datë për heqjen e vizave. Si e gjykoni ju këtë?

Ilir Meta: Nuk mund të përcaktohej nga pikëpamja proceduriale asnjë lloj afati, pavarësisht nga situata në Shqipëri apo në Bosnjë, apo kudo gjetkë, për arsye se nga pamja proceduariale, që tashmë këto procedura kanë nisur pas propozimit të Komisionit Europian dhe në kohën e duhur, Parlamenti Europian, Këshilli i vendeve anëtare do të vendosin sikurse ka ndodhur edhe me përvojën e tri vendeve të tjera, që fituan këtë proces më parë. Pra në këtë drejtim është e qartë se procesi i liberalizimit të vizave është i pandalshëm, ndërsa çështja e një date të përcaktuar as nuk mund të ishte kompetencë e këtij takimi të një niveli kaq të lartë, por natyrisht që do të jetë rezultat i përfundimit të procedurave nga të gjitha institucionet e tjera të BE-së.

DW: Në këtë samit, çfarë të reje pati lidhur me Kosovën, zoti Meta? A ka perspektivë edhe ajo për heqjen e vizave?

Ilir Meta: Mendoj se për herë të parë kemi në një ngjarje të rëndësishme të Ballkanit perëndimor pjesëmarrjen e Kosovës. Vetë formula e zgjedhur e organizatorëve bëri të mundur jo vetëm pjesëmarrjen e Kosovës, por edhe përfaqësimin e saj në të njëjtën mënyrë me të gjitha vendet e tjera dhe zëri i Kosovës u dëgjua si gjithë të tjerët. Ndërsa e veçanta është pikërisht në faktin se pothuajse që të gjithë pjesëmarrësit theksuan rëndësinë që sa më shpejt dialogu për liberalizimin e vizave dhe një udhërrëfyes të posaçëm t'i jepet Kosovës dhe ky proces të fillojë zyrtarisht me Kosovën. Dhe së dyti u theksua se është e rëndësishme që Kosova, Serbia të fillojnë dialogun për të zgjidhur çështjet praktike dhe për të punuar së bashku në dobi të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga dallimet etnike. Njëkohësisht një mesazh që u dha qartë për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor që kanë ende probleme të pazgjidhura midis tyre ishte zgjidhja e këtyre raporteve bilaterale në frymën europiane.

Intervistën e zhvilloi Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 02.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ng3A
  • Data 02.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ng3A