1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sanxhak: Turqia shihet si “vëllai i madh”

Sanja Kljajic
23 Tetor 2016

Rajoni i Sanxhakut në Serbi shpesh shihet si një vend i ndikimit turk në Ballkan. Por një vizitë në qendrën e tij, Novi Pazar tregon, se “vëllazëria” nuk ndihmon aq, kur vjen puna tek ekonomia.

https://p.dw.com/p/2RYI8
Serbien Novi Pazar
Novi PazarFotografi: DW/S. Kljajić

Rrugë të ngushta të lidhura me ura të gurta mbi lumin Rashka, arkitekturë orientale dhe një imitim i Sebiljit (çezmës) të famshëm të Sarajevës. Megjithëse kohët moderne e kanë fshirë traditën turke të shallvareve, pamja e Novi Pazarit i ruan gjurmët e një qyteti të vogël turk, dhe banorët e tij ende kanë një dashuri të pafshehur për Turqinë. Kjo është arsyeja që shumë serbë i tregojnë me gisht ata si element i huaj, si një grup që është më shumë besnik ndaj Turqisë se vendit të tij.

Novi Pazari, gjeografikisht në jugperëndim të Turqisë është qendra e rajonit të Sanxhakut, me shumicë myslimane, i krijuar në kohët osmane, me qëllim për të ndarë Serbinë e Malin e Zi, dhe për të lidhur perandorinë me myslimanët e Bosnjes. Megjithë një mbështetje të qartë për Turqinë e presidentin Erdogan, autoritetet lokale e refuzojnë kritikën serbe për turkofili. "Boshnjakët e Sanxhakut e shohin veten si urë lidhëse mes Turqisë dhe Serbisë, një urë që mundëson lidhje ekonomike”, thotë për Deutsche Wellen, Nazim Licina, anëtar i "Shoqatës së Miqësisë të Turqisë” në Novi Pazar, e njëri nga organizatorët e demonstratës në Novi Pazar pro presidentit Erdogan pas puçit ushtarak.

Sanxhak - pse vlerësohet Erdogani

Banorët e këtushëm e vlerësojnë Erdoganin jo vetëm për arritjet ekonomike në vendin e tij, por edhe për ndalimin e procesit të shekullarizimit në Turqi, heqjen e trashëgimisë së Ataturkut e rikthimin tek islami. Ndoshta për këtë arsye ata e dënuan puçin, por nuk flasin me kritikë për arrestimin e largimin nga puna të mijëra vetëve.

Aida Corovic, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe ish-drejtoreshë e organizatës joqeveritare, "Urban IN”, thotë se është i papranueshëm çdo lloj justifikimi i Erdoganit. "Kjo tregon se sa afër primitivizmit e nacionalizmit jemi", thekson Corovic, duke shtuar se nuk ka të rinj që i dënojnë arrestimet në masë në Turqi.

Serbien türkisches Kulturzentrum in Novi Pazar
Qendër kulturore turke, Novi PazarFotografi: Imago/epd

Në kërkim të "vëllait të madh”

Besnikëria e Sanxhakut ndaj Turqisë ka shpjegim historik dhe kulturor, por është edhe një rezultat i qëndrimit të Serbisë ndaj këtij rajoni dhe boshnjakëve si minoritet. Banorët e këtushëm fajësojnë Serbinë për mungesën e infrastrukturës dhe investimeve, duke nxjerrë në dritë edhe traumat e pas-luftës pas rrëzimit të Jugosllavisë, kur humbën të afërmit e miqtë në masakrën e Srebrenicës. Për ta një argument shtesë, se pse e shohin Turqinë si protektore. "Boshnjakët në Sanxhak, po ashtu sit ë gjithë popujt në ish-Jugosllavi janë në kërkim të një vëllai të madh, ku të mbështeten”, shpjegon aktivistja Aida Corovic.

Nga ana tjetër, boshnjakët janë të lidhur me Turqinë edhe përmes një diaspore të madhe. Gati rreth 5 milionë boshnjakë jetojnë në Turqi, shumica nga Sanxhaku. Senad Ganic, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Novi Pazar thotë për Deutsche Wellen, se emigracioni filloi që në fillim të shekullit të 20-të, dhe arriti kulmin në kohën e komunizmit. "Në Mbretërinë e Jugosllavisë, myslimanëve u lejohej të rregullonin jetën e tyre në bazë të ligjit të sheriatit. Por me fitoren e komunizmit, pati një rezistencë masive kundër fesë, kjo preku më shumë komunitetin mysliman - që nga mënyra si ata visheshin deri tek mohimi i mundësive si të organizonin familjet apo martesat.”

BE paguan më shumë

Diaspora është e rëndësishme, kur vjen puna tek çështje ekzistenciale. Banorët në Novi Pazar janë të bindur se investimet turke në Serb i gjen kudo, por ekonomia në qytetin e tyre mbijeton vetëm sepse diaspora dërgon para. Por ende më zemërgjeri me këtë qytet është Bashkimi Europian. Agjencia e Kooperimit dhe Koordinimit Turk në Serbi, e themeluar para pesë vjetësh, zë vendin e dytë për projekte.

Aida Corovic Aktivistin und Journalistin Serbien
Aktivistja Aida CorovicFotografi: Medija Centar

Përmes kësaj agjencie janë rinovuar shkolla, rindërtuar ura dhe shkolla fshati, e së fundmi është rikonstruktuar reparti i gjinekologjisë në spital. Vlera totale e projekteve kap shifrën e 4 milionë eurove. „Megjithatë ka projekte të tjera në fushën e agrikulturës. Rajoni ynë është ideal për prodhimin e boronicës, agjencia turke ndihmoi për procesin e mbjelljes, kjo është mjaft e rëndësishme këtu, ku ka një numër të madh të papunësh", thotë Faruk Suljevic, asistent i kryetarit të bashkisë për bashkëpunimin ndërkombëtar. Ai thekson se nuk ka investime në industri. „Nuk kemi ndonjë mbështetje nga qeveria serbe, për të tërhequr investitorë të tjerë, jo vetëm ata turq. Nuk kemi as kompani të mëdha gjermane apo italiane."

Sipas banorëve të Novi Pazarit, bashkëpunimi në biznes ka mbetur në të njëjtën nivel si në vitet 90-të, kur të afërmit e tyre në Turqi i ndihmuan njerëzit këtu të blinin mallra të lirë për t'i rishitur në Serbi. Por gjithçka përtej këtij bashkëpunimi, është një mit, thonë banorët që përfliten për pozicionin e privilegjuar ndaj investorëve turq e lidhje vëllazërore. Një burrë i vjetër e përmbledh këtë marrëdhënie me shprehjen e kësaj zone - dashuri për dashuri, por djathi me para, apo si thuhet në shqip miqësia miqësi, por qesja të shkojë e të vijë.