1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sanktione duhen, por ato nuk janë gjithçka

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë rënë dakord për të vendosur sanksione ndaj regjimit në Bjellorusi. Ky është një hap i drejtë, megjithatë çelësi për të arritur ndryshimet e dëshiruara në Minsk ndodhet diku tjetër.

default

Nuk vihet në dyshim që ministrat e BE-së vendosën në mënyrë të drejtë. Ngritja e sanksioneve ndaj regjimit të Aleksandr Lukashenkos në Bjellorusi është një hap i duhur për të ndaluar represionet kundër opozitës demokratike. Bashkimi Evropian ua ka këtë borxh aktivistëve bjellorus që luftojnë për demokraci dhe të drejta të njeriut. Edhe nëse disa prej tyre lihen të lirë, në arrest shtëpie dhe në burgje ndodhen ende shumë prej tyre.

Jo më simbol

Me zgjedhjet presidenciale të falsifikuara masivisht dhe me një politikë brutale represioni kundër opozitës demokratike, pushtetmbajtësi Lukashenko që ndodhet që prej 17 vjetësh në pushtet, e ka treguar qartë se nuk i respekton vlerat evropiane. Prandaj është e drejtë jo vetëm që të ringrihen sërish sanksionet që Bashkimi Evropian i pati ngrirë dy vjet më parë, sanksione kundër Lukashenkos dhe anëtarëve të tjerë të regjimit dhe shërbimit sekret, por sanksionet duhet madje të përfshijnë edhe persona të tjerë.

Por ne në Evropë nuk duhet të presim shumë prej sanksioneve. Vetëm me ndalimin e udhëtimeve në Evropë dhe me ngrirjen e pasurive të funksionarëve të lartë bjellorusë në BE, nuk do të arrihet që të detyrohet Minsku për të respektuar principet demokratike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për forcimin e kërkesave të shoqërisë civile ruse dhe përkrahjen e forcave demokratike. Të gjitha këto janë formula të respektueshme dhe morale, të cilat duhet të vihen në zbatim.

Deutsche Welle Russische Redaktion Ingo Mannteufel

Ingo Mannteufel

Sanksione ekonomike dhe politike të harmonizuara me Rusinë

Nëse Bashkimi Evropian do të dojë vërtet të ushtrojë presion mbi Lukashenkon, atëherë do të duhet të ushtrojë sanksione ekonomike kundër Bjellorusisë dhe të harmonizojë poltikën me Rusinë. Për shembull institutet evropiane dhe ndërkombëtare nuk duhet t`i japin më kredi Bjellorusisë. Po ashtu mund të shtrohet edhe çështja si mund të ndalohen importet bjelloruse të naftës në BE. Këto lloj sanksionet mund të prekin bazën ekonomike të sistemit të Lukashenkos.

Pastaj Bashkimit Evropian do t`i duhet të flasë me Rusinë për një politikë të përbashkët ndaj Bjellorusisë. Sepse ndihma që mori në fillim të dhjetorit 2010 nga Moska, i dha Lukashenkos hapësirën për të shtypur masivisht opozitën bjelloruse gjatë zgjedhjeve presidenciale. Nëpërmjet kësaj mënyre veprimi, Lukashenko ndodhet në mëshirë të Moskës. Sepse, që prej fushatës së ashpër mediatike ruse kundër presidentit bjellorus, të verës së kaluar është bërë e qartë se Kremlini dhe veçanërisht presidenti rus Dmitri Medvedev nuk janë më shokët më të ngushtë të Lukashenkos.

Por llogaritë ruse nuk mund të kuptohen lehtë. Kremlini preferon më mirë një Lukashenko të padëshiruar, të varur se sa një udhëheqje të re bellaruse, e cila mund të kthehet drejt Evropës. Kjo lojë jek e jek e Moskës, është baza e politikës lëkundëse të Lukashenkos. Nëse Bashkimi Evropian do të ndryshojë diçka në Minsk, atëherë tema e Bjellorusisë duhet të bëhet pjesë e axhendës evropiano- ruse dhe duhet bindur Moska që Lukashenko nuk është i interesuar për partneritetin ruso- evropian.

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi Aida Cama

  • Data 01.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QxK3
  • Data 01.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QxK3