1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sanksionet ndaj Turqisë thikë me dy presa për Gjermaninë

Në BE po shtohen zërat për vendosjen e sanksioneve kundër Turqisë. Por vendsosja e sanksioneve do të prekte edhe ekonominë gjermane.

Rreth gjysma e eksporteve të Turqisë vijnë në BE dhe 60% e investimeve në Turqi vijnë nga BE-ja, tha të hënën (07.11) për radion kombëtare gjermane "Deutschlandfunk" ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn. "Ky është një mjet absolut presioni dhe në një moment të caktuar ne nuk mund t'i shmangemi vënies së tij në përdorim."

Gjermania, sipas të dhënave te zëdhënësit qeveritar, Steffen Seibert, nuk i mbështet këto kërkesa. "Qeveria tani nuk merr pjesë në një debat për sanskionet", tha Seibert (07.11) në Berlin. Tani nevojitet një "qendrim i qartë dhe i përbashkët europian" lidhur me Turqinë. "Për këtë është e drejtë që të mbahen të hapura kanalet e komunikimit." Nëse Turqia e rivendos dënimin me vdekje, sidoqoftë duhet të ndërpriten bisedimet për antarësimin në BE, shtoi Seibert.

Një thikë me dy presa

Sanksionet e BE-së me sa duket do ta preknin gjithsesi fort vendin e goditur ekonomikisht, por nga ana tjetër edhe ekonomia gjermane e eksportit do të ketë probleme. Pas puçit të dështuar në verë kurset e aksioneve në Turqi ranë, vlera e Lirës pësoi tronditje duke shënuar njërin pas tjetrit rekord rënieje. Agjencia e vlerësimit të bonitetit Standard & Poor's (S&P) e uli kredibilitetin kreditues të Turqisë me një shkallë nga  "BB+"në "BB-", në nivel rënieje.

Që pas tentativës për puç pejzazhi politik është polarizuar, e argumenton S&P vendimin. Turqia ka përpara një fazë të gjatë pasigurie politike. Kjo do të rëndojë thithjen e kapitalit të huaj në vend. Nga ana tjetër Turqia si vend në ekspansion prej vitesh shënon deficit në bilancin e rendimentit dhe për këtë arsye është e varur prej derdhjes së kapitalit nga jashtë vendit.

Gjermania dhe Turqia janë të lidhura përmes marrëdhënieve të ngushta tergtare. Më 2015 volumi i tregtisë bilaterale ishte mbi 36 miliardë Euro. Turqia ka eksportuar në Gjermani mallra në vlerën e 14 miliardë Eurove. Kësisoj ajo zë vendin e 14 ndër partenerët më të rëndësishëm për tregun e eksporteve gjermane. Rreth 60% e eksporteve gjermane në Turqi janë nga sektori i prodhimit të makinerive, automobilëve  si dhe nga dega e kimisë.

Prodhuesit e makinerive dhe automjeteve tërheqin vëmendjen për maturi

Kryesisht për degën e automobilëve Turqia është një partnere e rëndësishme tregtie dhe prodhimi. Të gjithë prodhuesit e automjeteve, që kanë nivel dhe emër, janë të përfaqësuar në këtë vend euro-aziatik dhe kontribuojnë në eksportet turke. Furnitori më i madh i pjesëve të këmbimit për automobilëve me fabrikën e vet në Bursa mbulon 1,5% të eksporteve në Turqi. Në dy vitet e kaluara kjo fabrikë është zgjeruar me një investim prej gjysmë miliardi Euro.

Tani përfaqësuesit e industrisë së automobilëve dhe të makinerive i shohin në rrezik bizneset e tyre në të ardhmen. Shoqata e Industrisë së Automobilëve (VDA) kërkon siguri planifikimi dhe shtet ligjor. Produhesit gjermanë të makinerive që pas vendimit për Brexit dhe tentativës për puç në Turqi tërheqin vëmendjen për "kujdes", thotë Ralph Wiechert, kreyekonomist i shoqatës VDMA. Investimet e mundshme në Turqi tani po "shqyrtohen veçanërisht me sy kritik".

35 përqind turistë më pak nga Gjermania në Turqi

Jo vetëm prodhuesit e makinerive, por në përgjithësi e gjithë ekonomia gjermane është e druajtur sa u përket investimeve të reja në vendin pranë Bosforit. 85 përqind parashikojnë me një rënie të ndjeshme si pasojë e gjendjes së paqendrueshme politike, ky është rezultati i një anketimi të krye ndër menaxherë. Vetëm katër përqind pranojnë, që bizneset e firmave gjermane nuk janë influencuar prej zhvillimeve të fundit.

Vitin e kaluar investimet direkte gjermane në Turqi arritën në rreth 9,2 miliardë Euro, 1,2 miliardë më shumë se një vit më parë. Aktualisht atje janë me pjesëmarrjen e kapitalit gjerman 6000 sipërmarrje dhe firma gjermane aktive.

Në fillim të këtij shekulli Turqia falë stabilitetit politik arriti kuota të larta të rritjes ekonomike me deri në dhjetë përqind duke bërë që të joshen investitorët e huaj. Por tashmë këto zhvillime janë tejkaluar. Si pasojë e një serie sulmesh ka pësuar rënie dega e turizmit, që përbën 10% të produktit bruto në vend në Turqi. Sipas shoqatës gjermane të turizmit numri i pushuesve gjermanë në Turqi, që përbën grupin më të rëndësishëm të turistëve, në pesë muajt e parë të këtij viti ka rënë me 35%.

wen/hb (dpa, rtrd, dw.com)