1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sanksione të reja ndaj Sirisë

24 Mars 2012

Sanksionet e reja të BE-së rëndojnë tani edhe mbi familjen e presidentit sirian. Ministrat e jashtëm të BE-së mbështeten para së gjithash në ndyshimin e qendrimit të Rusisë.

https://p.dw.com/p/14QCg
Bashar al Assad me gruan Asma
BE vendos sanksione kundër klanit të AssaditFotografi: dapd

Nuk është herë e parë që ministrat e jashtëm të BE-së vendosin sanksione ndaj regjimit sirian. Gjithnjë e më shumë persona janë tashmë të prekur prej tyre. Por qeveria e presidentit Bashar al-Asad vazhdon të ushtrojë dhunë të ashpër ndaj opozitarëve. As misioni ndërmjetësues i të dërguarit të OKB-së Kofi Anan nuk e ndryshoi situatën. Tani BE vendosi ndalim-udhëtimi edhe për familjarët e ngushtë të Asadit, gruan e tij Asma, nënën, motrën dhe kunatën e tij. Pak kohë më parë ishte bërë e ditur se gruaja e Asadit, Asma kishte udhëtuar për shopping në Paris. Kjo nuk do të jetë më e mundur.

Por nuk është fjala thjesht për ndalimin e "udhëtimeve për shopping", tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Bruksel. "Synimi është që regjimi i Asadit të ndiejë trysninë. Dhe për këtë qëllim duhet të përfshihen në sanksione edhe pjesëtarët e klanit të tij." Meqenëse Asma al-Asad është shtetase britanike, në të ardhmen ajo të paktën mund të udhëtojë në Britani të Madhe. Në këtë rast qeveria britanike do të gjendej në pozitë të vështirë.

Catherine Ashton në konferencë shtypi pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së
Sanksionet nuk duhen nënvleftësuar - Catherine Ashton në konferencë shtypiFotografi: dapd

Sanksionet janë edhe sinjal politik

Të shumtë janë ata që pyesin: nëse sanksionet e deritanishme kundër Sirisë nuk kanë sjellë rezultat, përse duhet të kenë efekt këto të fundit? E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton shprehet optimiste. Nuk e nënvleftësoj asnjëherë efektin e sanksioneve, tha Ashton."Nga njëra anë ato prekin persona dhe institucione në mënyrë të tillë që i pengon të vazhdojnë të sillen si më parë. Dhe së dyti ato janë një sinjal i fortë politik për mënyrën se si mendon bashkësia e shteteve për ngjarjet", shtoi ajo.

Shpresat tek Rusia

Ministrat e jashtëm Alain Juppe dhe Guido Westerwelle
Ministrat e jashtëm Alain Juppe dhe Guido WesterwelleFotografi: dapd

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rezolutat kritike ndaj Sirisë deri tani kanë dështuar për shkak të vetove ruse dhe kineze. Qendrimi rus duket megjithatë se po ndryshon. Ministri i Jashtëm francez Alain Juppé ka shpresa të mëdha për këtë. "Unë gëzohem që rusët po lëvizin në drejtimin tonë. Tani duhet të mbështesim misionin e Kofi Ananit. Për fat të keq reagimet e para të regjimit të Damaskut janë si zakonisht tejet negative." Është e rëndësishme që trysnia të vazhdojë, tha ministri francez. Juppé shpreson rezultate nga takimi i ardhshëm i "Miqve të Sirisë" në 1 prill në Stamboll.

As Asadi dhe as evropianët nuk duan kaos

Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt i drejtoi thirrje indirekte vetë Asadit. Gjetja e një gjuhe të përbashkët me opozitën është në interes të presidentit, thotë Bild. "Duhet të ketë një proces politik. Kjo është rruga e vetme për të penguar që vendi të rrëshqasë në luftë civile, e cila do të kishte pasoja shkatërrimtare edhe për vetë regjimin. Por ne kërkojmë një proces politik të koordinuar ndryshimi, asgjë tjetër", u shpreh ministri suedez Carl Bild.

Kështu politikani suedez përcakton edhe një vijë të kuqe: transformin i koordinuar do të thotë që të mos ketë armë për kryengritësit dhe aq më pak një ndërhyrje evropiane. Megjithatë BE duket se nuk e di saktë si duhet të veprojë. Nëse sanksionet dhe diplomacia nuk japin së shpejti rezultatin e dëshëruar, pyetja për mjete të tjera do të shtrohet sërish.

Autor: Christoph Hasselbach / E. Xhani

Redaktoi; Bahri Cani