1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Samiti Turqi-BE nën hijen e sulmit kundër mediave në Turqi

Në një kohë kur demokracia në Turqi sulmohet, Turqia kërkon t'u japë hov të ri negociatave të anëtarësimit me BE. Evropa nuk duhet të druhet të përballet me problemin e vërtetë, mendon Seda Serdar.

Dy gazetarë shumë të njohur të Turqisë, Can Dündar dhe Erdem Gül u arrestuan të enjten. Ky vendim erdhi si shok, jo vetëm për mediat në Turqi, por shkaktoi reagime të mëdha në të gjithë botën. Gazetarët i akuzojnë se kanë bërë spiunazh politik dhe ushtarak, se kanë ndihmuar organizatën terroriste Fetullah dhe se kanë publikuar informacione konfidenciale. Në të vërtetë, ata i dënojnë sepse kanë bërë punën e tyre. Ky është një raund tjetër në lojën e frikësimit.

Megjithëse ankesa nga Presidenti Erdogan u bë që në verë dhe ai i kërcënoi njerëzit që publikuan informacionin për kamionët që thuhej se u transportonin armë turkmenëve në Siri, gjykata vendosi tani të veprojë. Në një kohë kur bota është e zënë me krizën turko-ruse, e cila në fakt është një luftë ndërkombëtare për pushtet në Siri dhe në rajon, brenda Turqisë goditja kundër mediave nuk duhet të kalojë pa u vënë re dhe të mbulohet vetëm me pak deklarata kritike.

Një proces i dhimbshëm në emër të demokracisë

Gazeta Cumhuriyet dhe gazetarët e saj kanë qenë prej kohësh objekt i presionit, si të gjithë gazetarët e tjerë që kanë punuar për të hedhur dritë në informacionet që është përpjekur të fshehë qeveria. Ata kanë qenë një prej zërave më të fortë në vend. Turqia po kalon nëpër një proces të dhimbshëm në emër të demokracisë dhe gazetarët janë në frontin e kësaj lufte. E drejta për t'u informuar është përkeqësuar në dekadën e kaluar dhe vendimi i fundit i gjykatës është një tjetër provë për këtë. Është shumë shqetësuese edhe që sistemi gjyqësor në Turqi nuk i mbron gazetarët. Synimi i vetëm i gjithë këtyre gjyqeve që kanë vazhduar prej vitesh është që ta bëjnë median të heshtë dhe të mbysin çdo zë që mund t'u vërë pikëpyetje vendimeve që merren nga politikanët drejtues të Turqisë.

Nevojë për solidaritet

Takimi i nivelit të lartë midis BE dhe Turqisë në fundjavë (28-29.11) do të gjejë një zgjidhje të qendrueshme për krizën e refugjatëve. Por Turqia njëkohësisht ka shpresa të mëdha se mund të rinisë procesin e negociatave me BE. Megjithatë, BE ka tani një shans për ta ndihmuar Turqinë që të kthehet në rrugën e demokracisë. Të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën në zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Por arrestimet e fundit tregojnë se demokracia e Turqisë ka nevojë për Evropën gjithnjë e më shumë çdo ditë që kalon. Evropa duhet ta marrë seriozisht përgjegjësinë e saj, nëse po kërkon një partner të besueshëm në rajon.

Pak para zgjedhjeve të nëntorit, kancelarja Merkel shkoi në Turqi për të folur për problemin e përbashkët për refugjatët - kjo megjithë përkeqësimin e situatës në të drejtat dhe liritë demokratike në Turqi. Ky ishte gabim. Tani, Evropa ka një shans të dytë për të treguar se vlerat që mbron ajo nuk janë vetëm për në letër. Këto vlera i sulmuan në Paris dhe tani ndodhen nën goditje në Turqi. Është koha më e përshtatshme për vendimmarrësit evropianë që të tregojnë solidaritet.