1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Samiti për sigurinë: Dialog gjithëpërfshirës kundër ekstremizmit të dhunshëm

Në samitin e parë ministerial kundër ekstremizimit të dhunshëm që përfundoi (20.05) në Tiranë u shtrua si domosdoshmëri konsolidimi i një strategjie gjithëpërfshirëse, ku të përfshihen të gjitha strukturat relevante.

Megjithë shembujt e mirë të bashkëpunimit të vendeve ballkanike në luftën kundër terrorizmit, në samit u theksua se rreziku i përhapjes së formave të ekstremizimit të dhunshëm është evident. Oratorët kujtuan ekzistencën e shumë faktorëve që ndikojnë në nxitjen e qasjes ekstreme, si mund të jenë faktorët socialë, por dhe të tjerë që kanë ndikuar në mënyrë historike ose jo, në nxitjen e tendencave që çojnë në organizimin e formacioneve të dhunshme terroriste. Pjesmarrës në diskutim nuk ishin vetëm zyrtarë të lartë të ministrive të brendshme nga rajoni, por dhe nga vendet e BE-së, si Italia, Gjermania e Austria e nga SHBA.

Nënsekretarja amerikane e shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall përmendi faktin se ekstremizmi i dhunshëm është një çështje globale. “Të bashkojmë forcat për një dialog gjithëpërfshirës mes autoritetev lokale, komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile kundër kësaj të keqeje. Nevojiten strategji për të arritur qëllimin. Terroristët nuk i njohin kufijtë. Të bashkëpunojmë të gjithë së bashku për të ndaluar rekrutimet. Të parandalojmë që fëmijët të bëhen terroristë”- apeloi në punimet e samitit dyditor, Sewal.

“Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër informalitetit, lufta kundër paligjshmërisë dhe lufta kundër kriminalitetit janë objektiva, rezultatet e të cilave ndihmojnë në punën që ne duhet të bëjmë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Lufta kundër pastrimit të parave dhe mbi të gjitha garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut shërben domosdoshmërisht në krijimin e shoqërive që përjashtojnë, duke parandaluar çdo praktikë të ekstremizmit të dhunshëm”, u shpreh ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri.

Ndërkohë që ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni vuri në dukej se lufta kundër ekstremizmave të çdo lloji është e pakompromis, ndërsa çdo përfshirje në luftërat jashtë Kosovës, dënohet me ligj.

Nga pjesmarrësit u shtrua nevoja e koordinimit të angazhimit të agjencive të specializuara në përballimin e rreziqeve që vijnë sidomos nga procesi i rekrutimit të luftëtarë të huaj të Shtetit Islamik (IS).

Komunitetet fetare të interesuara të mos dëmtohet misioni i tyre

Evis Nasto, kryeredaktore e lajmeve në UTV News mendon se në këtë periudhë kur besimi fetar është duke u keqpërdorur për qëllime terroriste dhe luftëndjellëse, vetë bashkësitë dhe komunitetet fetare kanë shumë për të bërë, me kontribut në qartësimin e mjegullnajës së krijuar. Sipas saj, në rradhë të parë janë pikërisht komunitetet fetare ato që humbasin nga ky instrumentalizim, duke i lënë vend krijimit të paragjykimeve dhe stigmave, të cilat dëmtojnë misionin e tyre religjoz. Por dhe sepse shoqëria nuk duhet të humbasë besimin në këtë periudhë të vështirë krize jo vetëm politike por edhe shoqërore, thotë Nasto për Deutsche Welle-n.

“Feja më shumë se kurrë, duhet të shërbejë si burim ushqimi i shëndetshëm shpirtëror për të qenë më altruist dhe më dashamirës ndaj tjetrit, edhe nëse ai është i ndryshëm me ne. Për këtë arsye besoj se përfaqsuesit e komuniteteve fetare duhet të jenë më aktivë në frenimin e personave që mashtrohen duke u larguar nga vendi për t'ju bashkuar ekstremistëve në Siri apo vende të tjera të shndërruara në vatra të luftës.

Drejtori i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, Ilir Aliaj, shikon varfërinë si një nga shkaqet kryesore që njerëzit kërkojnë zgjidhje të tilla të dëshpëruara, duke iu bashkuar forcave ekstremiste. Ai veçon si element themelor arsimimin. Besoj shumë që një shoqëri e shkolluar nuk ka asnjë hapësirë për njerëz, të cilët kërkojnë zgjidhje jashtë vendit të tyre dhe aq më pak duke u bashkuar me forcat ekstremiste në botë, shprehet Aliaj për Deutsche Welle-n.

“Kur flas për arsimin përfshij edhe rolin që duhet të luajnë komunitetet fetare, në arsimim, kështu për shembull në Gjermani sipas informacionit që kam, ekzistojnë kurse për imamët e xhamive që mbahen në institucione publike dhe kurrikula e tyre është e miratuar nga Ministria e Arsimit. Kjo jo vetëm ndikon në arsimimin religjoz të të rinjve, por i mban ata dhe imamët larg influencave radikale”.

Impakti i shtetit në periferi

Dorian Koçi, analist në media, e shikon prirjen e largimit të njerëzve jashtë vendit, për t'ju bashkuar forcave radikale në shtete të tjera dhe sepse shteti nuk funksion si duhet. Ai thotë se nuk është partizan i ndërhyrjes shtetërore në gjithçka dhe kudo, por është evidente mungesa totale e autoritetit të institucioneve në periferi, sipas tij, dalëngadalë është bërë zëvendësimi nga institucione të tjera që kanë afruar kinse një “kujdes social” për të përfituar dhe përgatitur ushtarë që t'i bashkëngjiten dhunës.

“Nuk besoj shumë në variantin e rekrutimit të njerëzve nga varfëria, përmes pagesave të majme, pasi realiteti ka treguar se në mes luftëtarëve që i janë bashkangjitur IS-it, ka shumë që shprehin një mobilizim shpirtëror dhe fetar. Duket qartë se formula e vjetër kombformuese është tkurrur përkundrejt identitetit fetar, por kjo është një betejë e vjetër po aq sa ekziston dhe shteti shqiptar. Për të mos rënë në kurthin e përditshëm të kësaj kundërvënie, kultura, arti, vetëdija nacionale, historia, shteti, mirëqenia sociale duhet të gjenden pranë individit jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në skajet më të largëta e periferitë shqiptare. A kemi arritur të kemi një realitet të tillë? Pa dyshim që jo. Gjithçka në Shqipëri është e përqendruar në qendër dhe qyteza të vogla e të humbura shqiptare, përveçse janë të humbura në mjerim po kridhen dhe në terrin e injorancës së prodhuar nga qytetërimi ynë modern i individualizmit dhe mospërfshirjes në punë që nuk sjellin fitim”, shpjegon për Deutsche Welle-n Dorian Koçi.