1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Samiti për azilantët në shtator

Nisur prej valës së madhe të refugjatëve në Gjermani ndaj politikës po rritet presioni për të vepruar. Prandaj samiti i planifikuar për azilin do të zhvillohet përpara parashikimeve, pra më 9 shtator.

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung" (FAS), e cila i referohet për këtë njoftim zyrës së Kancelares, njofton se fillimisht ky samit mes qeverisë federale dhe atyre të landeve qe planifikuar të zhvillohej në tetor apo nëntor, por shkak të gjendjes së tensionuar në kampet e refugjatëve, përfaqësues të disa landeve federale kishin kërkuar me forcë që takimi të mbahet më herët.

Sidomos kryeministri bavarez Horst Seehofer (CSU) kishte ngulur këmbë për këtë takim duke thënë se takimi i kryeministrave të landeve me Kancelaren gjermane Angela Merkel nuk mund të shtyhet deri në vjeshtë. Sipas tij në rast se nis stina e ftohtë është tepër vonë, "sepse në dimër nuk mund të strehohen njerëzit në çadra," tha Seehofer, dhe "ne duhet t'i shpërndajmë refugjatët detyrimisht në objekte publike, dhe kjo nuk është më e rehatshme dhe duhet shmangur."

Horst Seehofer

Horst Seehofer

Zgjerimi i listës së vendeve të sigurta

Në takimin e ri të nivelit të lartë pritet të diskutohet ndër të tjera edhe për një zgjerimin e rrethit të vendeve të sigurta të origjinës dhe përfshirjen në të të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Vitin e kaluar si vende të sigurta qenë shpallur Serbia, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia. Ky klasifikim mundëson një procedurë të shkurtuar të azilit dhe një dëbim më të shpejtë në vendet e origjinës.

Sipas të dhënave të Entit Federal për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) përfshirja e Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë në listën e vendeve të sigurta të origjinës ka ndikuar në rënien e nivelit të azilkërkuesve nga këto vende.

Kështu në gjysmën e parë të vitit 2015 nga Serbia, Bosnja dhe Maqedonia ka pasur vetëm një rritje prej 23 për qind të numrit të azilkërkuesve në Gjermani në krahasim me muajt e mëparshëm. Kursi numri i kërkesave për azil nga vendet e tjera të Ballkanit që nuk konsiderohen ende si të sigurta u rrit me 515 për qind.

Gjermania - ëndërr për refugjatët nga Ballkani

Këtë vit kanë erdhur në Gjermani 200.000 azilkërkues. 97,000 e tyre janë refugjatë nga Ballkani dhe nga këta 78.000 nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Kërkesat e tyre kanë pak shanse për t'u pranuar në Gjermani. Niveli i refuzimit të kërkesave të refugjatëve nga Ballkani është sipas Entit Federal për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) 99 për qind. Sipas BAMF-it 85 për qind e të gjithë azilkërkuesve që vijnë nga Ballkani në Evropën Perëndimore bëjnë kërkesë për azil në Gjermani. Rreth 44.000 kërkesa për azil u takojnë refugjatëve nga Siria, të cilëve në 85 për qind të rasteve u ofrohet mbrojtje në Gjermani, njofton BAMF-i.