1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Samiti në Uashington - Obama pret përfaqësuesit e BE në Shtëpinë e Bardhë

Në Uashington nis punimet sot në mbrëmje samiti amerikano-evropian. Amerikanët shqetësohen për krizën e borxheve në Evropë, ndërkohë që evropianët duan të kërkojnë nga amerikanët më shumë angazhim në politikën e klimës.

Uashingtoni e pret me gëzim këtë takim

Uashingtoni e pret me gëzim këtë takim

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, dhe e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton takohen me presidentin amerikan, Barack Obama.

Samiti i fundit mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së ishte i mërzitshëm për presidentin amerikan, Barack Obama. Ky samit nuk qe edhe aq interesant si të mëparshmit, gati në të gjitha pikat ne ishim dakord, u shpreh asokohe presidenti amerikan.

Ku qëndrojnë diferencat amerikano-evropiane?

Herman Van Rompuy dhe Jose Manuel Barroso në samitin e G20 në Cannes

Herman Van Rompuy dhe Jose Manuel Barroso në samitin e G20 në Cannes

Këtë herë veçse takimi do jetë më shumë pikant, sepse ka disa çështje, ku amerikanët dhe evropianët vërtet ndajnë mendime të ndryshme. Për shembull: kush është fajtor për krizën aktuale financiare në Evropë? Edhe për çështjen e klimës opinionet nuk janë të njëjta. Në Afrikën jugore nis samiti për klimën, dhe në tavolinën e bisedimeve qëndron i ulur edhe një edhe mëkatarët më të mëdhenj të klimës, Shtetet e Bashkuara.

Temë tjetër: A do të gjejnë SHBA dhe Evropa një gjuhë të përbashkët lidhur me Iranin, apo Egjiptin? Ambasadori i BE-së në Uashington Joel Vale de Almeida mendon se pavarësisht këtyre, takimi është i rëndësishëm: "Mendoj se është një takim i rëndësishëm, ai zhvillohet pas vendimeve të rëndësishme të BE-së e samiteve evropiane, si edhe pas një udhëtimi të rëndësishëm të Obamës në rajonin e Azisë Paqësore."

Presidenti Obama është kujdesur mjaft në javët e fundit për rajone të tjera në botë. Prandaj në Uashington ka sunduar heshtja, kur vinte fjala tek Evropa. Pas ndryshimit të qeverisë në Romë dhe Athinë, Obama gjeti disa fjalë inkurajuese. Por notat negative të agjencive rating për Hungarinë dhe Belgjikën komentohen në Uashington vetëm me dyer të mbyllura.

Amerikanët të pakënaqur me menaxhimin e krizës evropiane

Në Uashington nuk dëgjohet shumë për të ngarkuarën për politikën e Jashtme, Catherine Ashton

Në Uashington nuk dëgjohet shumë për të ngarkuarën për politikën e Jashtme, Catherine Ashton

Kjo nuk është sekret, sepse po qe se lëngon ekonomia evropiane, kjo i sjell kokëçarje edhe SHBA-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, nuk ka pranuar kritika nga SHBA, një vend që vetë është thellësisht i zhytur në borxhe.

Ambasadori i BE-së de Almeida: "Po t'i hedhësh sytë tek temat, që preokupojnë Obamën dhe ato, që prekin evropianët, vihet re një gjë e përbashkët, përqëndrimi tek rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës. Kjo është ajo, që njerëzit presin nga liderët e tyre dhe këto do të diskutohen edhe në këtë takim."

Pyetja, që shtrohet në SHBA, është se çfarë influence kanë në Evropë, këta tre politikanë miq. Barroso përplaset herë pas here me kancelaren Merkel, së fundmi tek tema e eurobondeve. Merkel thotë "Jo", Barroso "Po". Apo në politikën e jashtme. Në Uashington nuk dëgjohet shumë për të ngarkuarën për politikën e Jashtme, Catherine Ashton. Obama e bën politikën e jashtme më mirë me presidentin Sarkozy, si së fundmi në Libi.

Megjithatë, pavarësisht këtyre pakënaqësive, në fund vlen ajo, që tha edhe presidenti i KE-së Barroso para udhëtimit në Uashington: "Marrëdhëniet transatlantike janë në këto kohë të vështira ekonomike më të rëndësishme se kurrë më parë. Ne jemi partnerë strategjikë për njëri-tjetrin dhe aleatë të hekurt." Këtë e di edhe presidenti Obama. Nga Shtëpia e Bardhë u kumtua: Uashingtoni e pret me gëzim këtë takim.

Autor: Sabrina Fritz/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica