1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Samiti i SEECP pa rezultate por vetëm një fillim i mirë

Me deklaratën përfundimtare u mbyll samiti i shteteve të Evropës Juglindore në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Mungesa e projekteve konkrete është mangësia më e madhe SEECP...

default

Shumë zhurmë për asgjë, do të mund ta përshkruaje përmbledhtas samitin. Ndonëse në konferencën e shtypit kryeministri bullgar Sergei Stanishev e vlerësoi disa herë deklaratën përfundimtare të samitit si një mesazh udhërrëfyes për bashkëpunimin në të ardhmen në Ballkan, takimi në fakt nuk pati asnjë rezultat konkret. Madje as që pritej, që shtetet ballkanike do të arrinin në një pozicion unik sa i përket Kosovës, apo që Greqia dhe Maqedonia papritur do ta zgjidhinin grindjen për emrin e vendit. Madje samiti qe i destinuar të dështojë edhe në fushën e ekonomisë. Kjo pasi projektet e mëdha të ifrastrukturës dhe të energjetikës ose janë të diskutueshme siç është rasti i linjës naftësjellëse Nabucco apo i linjës South Stream, ose ato zhvillohen nën dirigjimin e BE-së.


Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore shkurt SEECP, është organizata pasardhëse e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Duket se edhe emri i komplikuar shpejgon fatin e këtij organizmi. Pakti i Stabilitetit i themeluar në vitin 1999 në Këln pavarësisht vështirësive fillestare pati efekt. Së pari, sepse ai u quajt si forca lëvizëse e Evropës. Së dyti, sepse bashkëpunimi në Ballkan u bë joshës përmes derdhjes së parave nga jashtë. Dhe së treti, sepse Pakti i Stabilitetit me krijimin e tryezave të ndryshme të punës ishte një organizatë që punonte vazhdimisht. Pa para, pa një ndarje të qartë të punës dhe pa influencë në BE organizmi pasardhës i kësaj nisme, pra Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një raund i parëndësishëm bisedimesh. Të gjithë pjesëmarrësit vazhdojnë t´i kenë sytë nga Evropa, në vend që të shohin në sy njëri-tjetrin dhe që BE-në të mos e konsiderojnë vetëm si qëllim, por edhe si një model të sprovuar për bashkëpunimin konkret rajonal.


Samiti që zhvilloi punimet në qytetin Pomori në brigjet e Detit të Zi megjithatë mund të dëshmojë si sukses modest faktin, që mblodhi së bashku ministrat e jashtëm, kryeministrat dhe presidentët e vendeve të Evropës Juglindore. Ndonëse delegacioni serb u largua nga seanca e së mërkurës për të protetstuar ndaj fjalimit të ministrit të jashtëm kosovar, përfaqësuesit zyrtarë të Beogradit dhe të Prishtinës për herë të parë u ulën së bashku në një tryezë konference rajonale.


Thënë shkurt: shtetet e Ballkanit u larguan si "subjekte të pjekura" prej Paktit të Stabilitetit. Tani bashkëpunimi rajonal është në dorën e tyre. Takimi modest në Pomorie edhe pse pa ndonjë sukses të madh mund të vlerësohet me shpresë si një fillim i mirë.




  • Data 21.05.2008
  • Autor Andreev, Alexander
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E41M
  • Data 21.05.2008
  • Autor Andreev, Alexander
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E41M