1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Samiti i Parisit: Shpëtimi i klimës nën hijen e terrorit

Parisi i ka ende të hapura plagët e sulmeve terroriste. Tani qyteti do të presë rreth 100 krerë shtetesh për samitin e klimës. Për Presidentin e Francës, nga Konferenca e Klimës duhet të burojë „një shenjë shprese“.

Në Konferencën e Klimës do të flitet për jo më pak se për „të ardhmen e planetit“, kështu tha Presidenti francez François Hollande. Prandaj ajo jo vetëm që do të zhvillohet, por do të jetë edhe „një shenjë shprese dhe solidariteti“, theksoi Hollande pas sulmeve të 13 nëntorit. Kështu, siç është planifikuar, rreth 100 krerë shtetesh dhe qeverish priten të hënën në hapjen e Konferencës së 21-të të Klimës Globale – mes tyre Presidenti i SHBA Barack Obama, Presidenti rus Wladimir Putin dhe Presindenti kinez Xi Jinping.

Qëllimi i Konferencës është një marrëveshje, në të cilën të gjitha vendet do të marrin përsipër detyrimin që të reduktojnë emetimet e gazrave me efektin serë. Deri tani ekziston vetëm Protokolli i Kyoto-s i vitit 1997. Por ky përmban vetëm premtimet e disave prej vendeve industriale. Ndërkohë këto të fundit, të gjitha së bashku, janë përgjegjëse për madje më pak se 15% të emetimeve të dioksidit të karbonit (CO2) në mbarë botën. Përveç kësaj: Afati i Protokollit të Kyoto-s përfundon në vitin 2020.

Optimizëm për një fillim të ri

Në Paris do të bëhet përpjekje tjetër për një marrëveshje të re globale, e cila duhet të hyjë në fuqi në vitin 2020. Para 6 vitesh, samiti i klimës në Kopenhagen dështoi në këtë sipërmarrje Por vrojtues për shumë vite me radhë të procesit, si Christoph Bals, janë optimistë për Parisin.

“Vullneti politik është shumë më i madh se në Kopenhagen”, tha administratori politik i OJQ-së Germanwatch në një bisedë me Deutsche Welle-n (DW). “Së dyti, procesi i negociatave ka ecur më përpara se para Kopenhagenit. Dhe së treti: Zhvillimi real në botë është shumë më pozitiv sesa para Kopenhagenit. Kështu vitin e kaluar ne kishim situatën që emetimet e gazrave me efektin serë, të shkaktuara nga industria energjitike, nuk janë rritur, paçka se kemi patur një rritje të madhe ekonomike.”

UN-Klimakonferenz in Bonn

Christiana Figueres, sekretare ekzekutive e Sekretariatit të OKB-së për klimën,

Objektivi i dy gradëve nuk do të arrihet

Por edhe nëse shtetet me të vërtetë do të bien dakord për një marrëveshje. Që tani është e qartë: Objektivi për kufizimin e ngrohjes globale deri në dy gradë deri në fund të shekullit në krahasim me temperaturën e para fillimit të industrializimit nuk do të arrihet. Këtë qëllim i kishte vënë vetes bashkësia ndërkombëtare në vitin 2010 në samitin e klimës në Kankunin meksikan (Cancún).

Pasojat e një ngrohjeje të Tokës me të shumtën deri në dy gradë mendohet të jenë gati të papërballueshme., Fizikanti Anders Levermann i Institutit të Potsdamit për Studimin e Pasojave të Klimës në të njëjtën kohë paralajmëron: “Rreziku i shembjes së sistemeve ekologjike rritet me rritjen e temperaturës. Nëse do të vazhdojmë siç kemi bërë deri tani, ngrohja do të rritet deri në 5 gradë deri në fund të shekullit. Atëherë ne do të humbasim pjesën më të madhe të akujve malorë. Akulli i Detit Arktik nuk do të jetë më. Koralet, nga të cilat varet jetesa e 600 milionë njerëzve në mbarë botën, do të vdesin.”

Ndërkohë, para fillimit të Konferencës së Klimës në Paris, shumica mbizotëruese e shteteve pjesëmarrëse në këtë proces të Kombeve të Bashkuara kanë paraqitur paraprakisht planet e tyre lidhur me masën e uljes së emetimeve përkatëse të gazrave me efektin serë. Por përllogaritjet e OKB-së tregojnë: edhe nëse masat e planifikuara me të vërtetë do të zbatohen, temperatura deri në fund të shekullit do të rritet me rreth 2,7 gradë.

Pazifik Kiribati Inseln - Anstieg Meeresspiegel

Ishujt Kiribati në Paqësot i ndjejnë pasojat e rritjes së nivelit të detit

Rishikimi i nevojshëm – dhe i dëshiruar nga të tjerë

Prandaj disa shtete kërkojnë që Parisi të përcaktojë një proces në kuadrin e të cilit objektivat për mbrojtjen e klimës rishikohen çdo pesë vjet. Në këtë pikë kryenegociatori gjerman Karsten Sach pret të ketë tratativa të ashpra. “Pyetja e madhe është se kur do të ndodhë kjo për herë të parë”, sqaron Sach për DW. “Për shkak të një planifikimi më të mirë, shumë shtete i përcaktuar objektivat e veta për klimën deri në 2030-ën. Por duke qenë se ne nuk jemi ende në kursin, përmes të cilit ne do të ruajmë kufirin maksimal të dy gradëve, ne si Bashkim Evropian kërkojmë që rishikimi i parë të ndodhë para vitit 2020.” Sach shton se “disa shtete të mëdha” kanë këndvështrim një tjetër.

Të debatueshme janë edhe rregullat që do të vihen në bazë të këtij procesi dinamik të rishikimit të objektivave për mbrojtjen e klimës. Administratori i Germanwatch Bals sjell në vëmendje një problem: Baza të ndryshme llogaritjesh. “Disa vende i përfshijnë edhe pyjet në përllogaritjet e tyre, kurse të tjerat jo”, sqaron Bals. “Vendet kanë gjithashtu faktorë të ndryshëm emetimesh për lëndë djegëse fosile të ndryshme.”

Por kërkesa e negociatorëve të BE-së për më shumë transparencë do të hasë në kundërshtime - sidomos nga radhët e vendeve në ekspansion dhe me shtrirje të gjerë gjeografike. “Kina dhe India nuk shquhen për transparencë dhe llogaridhënie”, analizon përgjegjësja për politikën ndaj klimës në organizatën humanitare “Bukë për Botën”, Sabine Minninger.

Vendet në zhvillim kërkojnë siguri financiare

Për vendet më të varfra, të cilat janë bashkuar në grupin e vendeve më pak të zhvilluara, si edhe për shtetet e vogla ishullore, në plan të parë qëndrojnë tema të tjera. “Për shembull tema e financimit për çeshtjet e klimës pas 2020-ës” thotë Minninger, “po ashtu edhe pyetja se si do të veprohet kundrejt dëmeve dhe humbjeve nga ndryshimet klimatike.”

“Financimi për çështjet e klimës” do të thotë: Vendet e industrializuara i ndihmojnë vendet e varfra që zhvillimin e tyre ekonomik ta realizojnë duke përdorur sa më pak qymyrgur. Përveç kësaj është edhe ndihma për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike – si p.sh. mbrojtjen e brigjeve detare. Teorikisht, për këtë, deri në vitin 2020, duhet të jenë në dispozicion 100 miliardë dollarë në vit. Këtë e kishte vendosur Konferenca e Klimës në Kankun.

Por aktivistët vërejnë se premtimet financiare të Kankunit nuk përcaktojnë qartë se sa para dhe cilat vende do të grumbullojnë. Ata gjithashtu nuk tregojnë se si financimi për klimën gjatë viteve do të arrijë deri tek 100 miliardë dollarët. Vendet në zhvillim kërkojnë që me marrëveshjen e Parisit kjo në 2020-ën të ndryshojë.

Textentwurf für ein Abkommen bei der Klimakonferenz in Paris

Drafti i një marrëveshjeje të mundshme, formulimet përfundimtare sigurisht nuk janë bërë ende

Përqasje të ashpra gjatë tratativave në Paris do të ketë edhe për formulimet lidhur me të ashtuquajturat në anglisht “loss and damage”, dëmet dhe humbjet për shkak të ndryshimeve klimaterike. Drafti i parë i marrëveshjes së ardhshme nuk e kishte cekur me asnjë fjalë këtë temë qendrore sidomos për vendet e varfra si Bangladeshi dhe shtetet e vogla ishullore. Për herë të parë, gjatë bisedimeve paraprake në Bonn, të gjitha vendet në ekspansion dhe në zhvillim u vunë në mbështetje të vendeve më pak të zhvilluara dhe grupit të shteteve të vogla ishullore: Kjo u përkthye në një paragraf të ri shtesë.

Aleanca të mëdha për kthesën e madhe?

Edhe gjatë Konferencës në Paris do të diskutohet rreth çdo fjale. Që në fund të gjitha 190 shtetet pjesemarrese ta miratojnë marrëveshjen mbi klimën, do të duhet të lidhen aleanca. Kështu mund të mendohet se BE do t'i bashkohet kërkesave të shteteve të vogla ishullore, me qëllim që këto nga ana e tyre ta mbështesin BE-në për çështjet e tjera.

Vetëm një aleancë e madhe mund t'i bëjë ballë qëndresës së vendeve eksportuese të naftës, gjykon Christoph Bals. Sepse ata janë humbësit e mëdhenj në çështjen themelore të Parisit: Kalimi në një ekonomi botërore që përdor më pak ose aspak qymyrgur. Ambasadorja franceze e Konferencës së Klimës megjithatë ia lejon vetes ca optimizëm të vakët: Bérengère Quincy thotë: “Parisi nuk mund t'i ndreqë të gjitha gabimet, por Parisi mund të jetë një pikë kthese.”