1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Samiti i NATOS - samit historik për Shqipërinë dhe partneritetin transatlantik Europë -SHBA

Intervistë ekskluzive e kryeministrit Sali Berisha per Samitin e NATO-s, në Strazburg / Kehl

default

DW: Zoti Berisha, ka përfunduar Samiti i Strasburg / Kehl-it, ku ju morët pjesë si kreu i qeverisë, së një vendi amtar. Çfarë shënoi ky samit për Shqipërinë, NATO-n, paqen dhe sigurinë?

Sali Berisha: Ky ishte një samit historik për shqiptarët, që panë të kurorëzohet me sukses aspiratën e tyre, të bëhet realitet një ëndërr shumë e madhe. Samit historik për NATO-n, që në 60 vjetorin e tij paraqitet më e fuqishme dhe më madhështore se kurrë. Samit historik pasi për problemin më të mprehtë të paqes dhe të stabilitetit në botë, problemin e Afganistanit, pati një mbështetje të plotë nga të gjitha vendet anëtare.

Po kështu pati konsensus të gjerë për sekretarin e ri të NATO-s, kryeministrin danez, Rasmussen, pasi sekretari i tanishëm Scheffer ka vendosur të mos kandidojë për një mandat tjetër dhe të mbyllë misionin e tij në mënyrë të shkëlqyer. Rasmurssen është një pasardhës dinjitoz i tij. Samiti i Stasburg / Kehl-it ishte një samit suksesi.

DW: Le të mbetemi pak më gjatë tek Rasmussen, që në 1 Gusht të këtij viti vjen në krye të NATO-s, në një kohë kur organizatës i duhet të zhvillojë një koncept të ri strategjik.

Si e vlerësoni ju kryeministrin danez?

Sali Berisha: Do ta vlerësoj si një personalitet të shquar suksesi. Ai është një kryeministër suksesi. Jam i bindur që Rasmussen do ta çojë përpara reformën e Aleancës Atlantike me zotësinë, aftësitë dhe përkushtimin e tij.

DW: Samiti, siç e ju sapo e thatë, hapi edhe procesin e zhvillimit të një koncepti të ri strategjik të NATO-s. Tani edhe Shqipërisë, si anëtare e NATO-s, i takon të kontribuojë me idetë e saj në hartimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm. Çfarë mendoni?

Sali Berisha: NATO, pas rënies së Perdes së Hekurt, ia doli mbanë në mënyrë te shkëlqyer të çlirojë të zhvillojë dimensione të reja, që nuk i kishte patur më parë. Në emër të këtyre dimensioneve të reja, NATO çliroi Kosovën. Në emër të këtyre dimensioneve NATO është në Afganistan. Në emër të këtyre dimensioneve NATO është shndërruar tani në një magnet i madh për vende dhe territore që janë shumë larg hapësirës euro-atlantike. Afganistani tregon se është e domosdoshme reforma e Forcave, që të ketë një disponibilitet dhe përqëndrim më të madh në përballimin e situatave të reja. Shqipëria në të gjitha rastet do të japë mendimin e saj. Por ajo, që dua të them, është se NATO është një institucion, që nuk njohu kurrë lodhje, por vetëm ndoqi lirinë, vetëm e mbrojti atë. Në këtë kontekst jam shumë optimist për reformën që ajo po ndërrmerr.

DW: A shënoi ky samit fillimin e një faze të re të bashkëpunimit dhe partneritetit transatlantik. A mori Presidenti amerikan Obama, një mbështetje të plote, të vendosur për strategjinë e tij të re në drejtim të Afganistanit?

Sali Berisha: Në mënyrë absolute që po. Stragjia e Presidentit Obama pati mirëpritjen më të madhe dhe reagimin më të shpejtë nga liderët e vendeve anëtare të NATO-s. Disa probleme të krijuara për shkak të luftës në Irak dhe një lloj ndarjeje, që u shfaq atëhere, po mbyllet me shumë efikasitet. Presidentit Obama i është rezervuar pritja më e shkëlqyer jo vetëm nga Europa zyrtare, por siç keni vëne re edhe ju, nga Europa mediatike, Europa në tërësi. Ajo, që dua të them, ështe se me siguri një nivel të ri marrëdhëniesh mes dy brigjeve të Atlantikut ka nisur dhe do të ecë me shpejtësi.

DW: Pyetja e fundit. Cili është kontributi, që Shqipëria pritet të japë tani, që është anëtare e NATO-s?

Sali Berisha: Shqipëria do të dyfishojë numrin e trupave, që do të dërgojë në Afganistan, do të shtojë ekipin e saj të mjekëve dhe infermierëve edhe me 20 të tjerë, do të kontribuojë në fondin civil me ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe 6 shkollave elementare. Shqipëria do të shqyrtojë edhe mundësi të tjera për të kontribuar në ndërtimin civil të Afganistanit.

DW: Cilat janë pak a shumë shifrat finaciare? Çfarë fondi mendoni të vini në dispozicion të ndërtimit civil të Afganistanit?

Sali Berisha: Proporcionalisht me mundësitë e saj, Shqipëria nuk do të mungojë të japë çdo kontribut në rindërtimin e këtij vendi.

Autor:Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica





  • Data 07.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HS6X
  • Data 07.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HS6X