1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Samiti i G7 pa Rusinë

Samiti i G7 synon të jetë unik ndaj Rusisë, por kjo s'është e lehtë. Në takimin pa prezencën e Rusisë u fol shumë për raportet me presidentin Putin. Një shans i mirë për sqarimin e gjërave do të jetë D-Day.

Në vend të një kështjelle elegante në një vend idilik në Soçi të Rusisë, siç ishte parashikuar, presidentët dhe kryeministrat u takuan në godinën e Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Vendndërtimet e shumta dhe shiu i pandalshëm bën që atmosfera të jetë edhe më e rëndë. Vendi i mbajtjes së këtij takimi nuk ishte si në Soçi, por samitet këtu janë bërë rutinë. Çdo dy-tri javë parakalojnë këtu limuzinat e mëdha me ngyrë të zezë, ndaj ndërtimi i një infrastrukture të veçantë nuk ishte i domosdoshëm. Pra ishte logjike, që samiti i G7 të mbahet në Bruksel.

Rusia duhet të deeskalojë

Jo idilik, vendi i zhvillimit të konferencës në Bruksel

Jo idilik, vendi i zhvillimit të konferencës në Bruksel

Marrja e Krimesë nga Rusia ishte shkaku i largimit të përkohshëm të Rusisë nga samiti G8. Ky ishte "çmimi politik", që Moska duhet ta paguajë, tha presidenti i Këshillit të BE, Herman Van Rompuy. Por Rusia do të duhej të pranohej në këtë samit, sa më parë që është e mundur. Por Van Rompuy dhe presidenti iu Komisionit Evropian José Manuel Barroso nuk u përgjigjen direkt pyetjes së një gazetari, nëse kushti për ripranimin e Rusisë është, që ajo të largohet nga Krimeja. Van Rompuy i bëri thirrje Rusisë të bashkëpunojë me presidentin e zgjedhur të Ukrainës dhe të jetë aktive në deeskalimin e gjendjes në Ukrainë. Rusia do të duhej të tërhiqte trupat e saj nga kufiri me Ukrainën dhe të veprojë tek seperatisët rusë në këtë vend.

Sanksionet dhe definimet

Barroso shtoi se "BE-ja duhet të ushtrojë një presion të qendrueshëm ndaj Rusisë." Këtu mendohen sanksionet, të cilat BE do t'i forcojë kundër Rusisë, në qoftë se Moska influencon shkallëzimin e situatës në Ukrainë. Por mbetet e paqartë, se si do ta definojë G7 këtë influencë. Ndërhyrja e Rusisë në Lindje të Ukrainës do të ishte një rast i tillë. Por mendimet e G7 janë të ndara, sa i përket sanksioneve, nëse kjo do të thotë edhe sanksione ekonomike, si për shembull ndërprerja e importit të gazit dhe vajit rus. Një gjë e tillë do të prekte në masë vendet everopiane, si Gjermania, por jo SHBA-në dhe Kanadanë. Ndaj presidenti amerikan Barack Obama mund të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë.

Merkel angazhohet për bisedime

Kancelarja Angela Merkel tha se "G7 ka treguar një qëndrim unik në javët e kaluara për çështjen e Ukrainës dhe Rusisë". Ajo do të dëshironte që qëndrimi të mbetet unik, sepse përçarja do t'i shkonte në favor presidentit Putin. Merkel ishte e vetmja, e cila u angazhua për "vazhdimin e bisedimeve me Rusinë". Por as ajo nuk përjashton sanksionet shtesë ndaj Rusisë. Të tjerët i shohin me dyshime telefonatat e rregullta të kancelares Merkel me presidentin Putin. Ende është e paqartë, nëse presidenti i SHBA-së Obama do të ketë një takim të ndarë me presidentin Putin gjatë ceremonive të festimit të përvjetorit të 70 të D-Day, të zbarkimit të trupave aleate në Normandi. Ndërkohë që takimet e presidetit Putin me kancelaren Merkel, presidentin e Francës Francois Hollande, dhe kryeministrin britanik David Cameron, janë planifikuar.

BE-ja planifikon një konferencë donatore për Ukrainën

Nga Putini kërkohet që të ndikojë në qetësimin e separatistëve në Lindje të Ukrainës

Nga Putini kërkohet që të ndikojë në qetësimin e separatistëve në Lindje të Ukrainës

Barroso bëri të ditur se Ukraina do të ketë një mbështetje të fuqishme evropiane. Polonia shënon këto ditë përvjetorin e 25 të zgjedhjeve të para të lira demokratike. Barroso tha se zgjedhjet e kanë përshpejtuar transformimin demokratik në të gjitha vendet e Evropës së Mesme dhe Lindore. Zhvillimet në Ukrainë kanë dëshmuar se ky proces atje ende nuk ka përfunduar dhe se shumë vende në kufijtë lindorë po luftojnë për zgjedhje demokratike në vendet e tyre sovrane. BE-ja nuk është e interesuar vetëm për dënimin e Rusisë. "Ne duhet të ndjekim një strategji të dyfishtë", tha Barroso dhe shtoi: "Qeverinë ukrainase duhet ta mbështesim ekonomikisht dhe politikisht, me qëllim stabilizimin dhe rimbëkëmbjen ekonomike të saj." BE do të organizojë në korrik një konferencë donatorësh, bëri të ditur Barroso. Sa i përket raportit me Rusinë, sytë e botës janë drejtuar nga festimet e D-Day të premten: Varet nga paraqitja e Putinit, kush flet me të dhe kush ia jep dorën? Çdo gjest i vogël paraqet simbol.