1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Samiti i G20-s: Mes konfliktit në Siri dhe reformës së tregjeve financiare

Nën hijen e ashpërsimit të konfliktit në Siri dhe marrëdhënieve të tensionuara SHBA-Rusi fillon në Shën Peterburg samiti i G-20-s. Në fokus do të jenë temat ekonomike dhe ato financiare.

Salla e konferencës

Salla e konferencës

Çdo gjë është gati. Presidenti rus, Vladimir Putin nuk ka kursyer as paratë e as mundimin për t'u paraqitur të enjten në mbrëmje (05.09.2013) si një mikpritës perfekt i samitit të 20 vendeve më të industrializuara dhe atyre në ekspansion. Pallati i Konstandinit në brigjet e gjirit të Detit Balltik mund të izolohet mjaft mirë nga demonstruesit. Qindra gazetarë do të sillen me varka nga Shën Peterburgu deri në vendin e samitit. Raportimet duhet të japin imazhin e një samiti harmonik, i cili do t'i ndihmojë botës për më shumë punë dhe mirëqenie. Kjo është dëshira e Putinit. Por gjendja aktuale botërore të bën të mendosh se samiti i tetë i G20-s mund të jetë çdo gjë tjetër, por jo harmonik.

Kujtojmë se konflikti në Siri, vërtet nuk ndodhet në axhendën e punës së samitit, por sigurisht do të jetë një temë qendrore e tij. Bashkimi Europian, kështu u bë e ditur nga qarqet e Brukselit të premten e kaluar, nuk synon patjetër të vendosë konfliktin në Siri në axhendën e ditës. Por vetë mikpritësi Putin ka bërë fjalë se në samit do të diskutohet për konfliktin në Siri. Nëse do të ketë një takim tete-a-tete mes Putinit dhe presidentit amerikan, Barack Obama, kjo është ende e pasigurtë. Marrëdhëniet mes dy vendeve pas aferës së zbuluesit, Edward Snowden që bëri publike përgjimet masive të NSA-së, janë ftohur dukshëm.

Ekonomia dhe financat në fokus

Megjithatë vendet anëtarë të G20-s - që e shohin si veten si një forum ekonomik dhe një të politikës së jashtme, do t'i kushtohen çështjeve të rëndësishme ekonomike. Nga njëra anë do të bëhet një bilanc i ndërmjetëm i reformës së tregjeve financiare. Duhet kujtuar se kriza ekonomike botërore, që shpërtheu si pasojë e falimentimit të bankës amerikane, Lehman Brothers, ishte arsyeja që bashkoi 20 vendet më të rëndësishme të industrializuara në një samit të G20-s. Në mesazhin e saj në video në fundjavë, kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh:

"Në radhë të parë bëhet fjalë për ekonominë dhe financat. Sigurisht bëhet fjalë edhe për axhendën e zhvillimit. Pikërisht samiti i G20-s në Korenë e Jugut para tre vitesh ka drejtuar vëmendjen tek vendet më të varfra, që nuk përfqasohen rregullisht në procesin e G20-s. Por ekonomia botërore mund të funksionojë shumë mirë, vetëm nëse shkon mirë zhvillimi i vendeve më të varfra. Sigurisht në këtë kuadër do të diskutohen edhe tema të politikës së jashtme. Këtë vit me siguri edhe Siria."

Suksese dhe rreziqe

Nga njëra anë krerët e shteteve dhe qeverive të G20-s mund të hedhin të kënaqur vështrimin nga reforma e tregjeve financiare, e iniciuar në samitin e Londrës në vitin 2009. Martin Faust nga Shkolla e Frankfurtit për Financat dhe Menaxhimin është i mendimit se disa suksese janë rritur. "Bankat sot janë më solide të pajisura me kapitalet e veta, këto konsiderohen si rrufepritës në raste rreziku. Por sigurisht kemi ende problemin që disa banka janë shumë të mëdha. Në rast se ato futen në vorbullën e krizës, shtetet do të vazhdojnë t'i mbështesin ato. Në këtë pikë nuk kishte një qëndrim të vendosur. Ekziston nocioni "to big to fail" - "shumë i madh për të dështuar". Këtu duhej që të zvogëloheshin në mënyrë të kontrolluar bankat e mëdha që veprojnë në shkallë botërore.

Prof Martin Faust, Shkolla e Frankfurtit për Financat dhe Menaxhimin

Prof Martin Faust, Shkolla e Frankfurtit për Financat dhe Menaxhimin

Edhe Sven Giegold, kritik i globalizimit dhe eurodeputet i të Gjelbërve e sheh si të futur në rrugën e duhur procesin e rregullimit të tregjeve financiare. Rreziku megjithatë nuk ka kaluar. "Ajo që po arrijmë ngadalë është që bankat po sigurojnë kapitalin vetjak. Perandoria në hije e derivatete po bëhet ngadalë transparente, Hedgefondet së paku po kontrollohen - pra ka disa përmirësime. Por rreziqet nuk kanë kaluar, sepse përmasat e zhytjes në borxhe janë shumë mëdha. Ne qëndrojmë të ulur në një njëjtin mal borxhesh, dhe nga këtu mund të rrjedhin gjithnjë zhvillime problematike."

Iniciativë kundër evazionit fiskal

Reduktimin e borxheve G20 e kishte planifikuar që në samitin e Torontos në vitin 2010. Këto plane nuk kanë gjetur ndonjë zbatim, me përjashtim të Gjermanisë, e cila duhet të justifikohet gjithmonë për politikën e saj të kursimeve dhe eksporteve.

Në Shën Peterburg kjo temë nuk do të luajë ndonjë rol të madh. Më shumë do të diskutohet trazirat ekonomike në vendet në ekspansion si India dhe Brazili. Nga ana tjetër pritet që të miratohet një iniciativë kundër evazionit fiskal të megakoncerneve. Edhe sektori në vlerë bilionash i të ashtuquajturave banka në hije do të merret në shqyrtim në vitet e ardhshme.

Fusha veprimi për anëtarët e G20-s ka shumë. Edhe për të punuar, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve lider do të punojnë pa u bezdisur - për këtë garanton Putini. E drejta e demonstrimit është reduktuar dukshëm, masat e sigurisë janë ekstreme. Madje aeroporti ndërkombëtar i Shën Peterburgut është mbyllur. Nga e mërkura deri në premten nuk ka qarkullim të rregullt ajror.